Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit kërkon falje për puthjen mjaft të kritikuar

Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, ka kërkuar falje për puthjen që i dha në buzë sulmueses Jenni Hermoso, golashënuesja më e mirë e Spanjës, pas fitores së Kupës së Botës për femra.
Puthja që u kritikua mjaft në rrjete sociale u komentua edhe nga vetë kampionia: “Nuk më pëlqeu”, tha Hermoso në Instagram.
Një ditë më pas ai ka kërkuar falje: “Kam gabuar plotësisht, duhet ta pranoj,” tha Rubiales duke shtuar se ishte pa qëllim të keq dhe se ndodhi për shkak se ishte i rrëmbyer nga emocionet e fitores.
“Më duhet të kërkoj falje, të mësoj nga kjo dhe të kuptoj se kur je president duhet të jesh më i kujdesshëm”, deklaroi më tej ai.
Rubiales u kritikua edhe nga disa ministra të qeverisë spanjolle.
“Është një formë e dhunës seksuale që gratë vuajnë çdo ditë,” u shpreh Irene Montero, ministrja e Barazive në Spanjë.
Edhe ministri i Sportit i Spanjës, Miquel Iceta tha se ishte e papranueshme që Rubiales të puthte Hermoso: “Gjëja e parë që ai duhet të bëjë është të japë shpjegime dhe të kërkojë falje, është gjëja logjike dhe e arsyeshme për të bërë”.
Veprimet e Rubiales u kritikuan shumë edhe në mediat spanjolle. Gazeta spanjolle El Pais shkruante sot: “Xhenit nuk i pëlqeu puthja e Rubiales, as neve”.