Nuk ka më Messi apo Ronaldo! Pretendentët e Topit të Artë janë të gjithë emra të rinj
Për gati 15 vjet dominuan skenën e futbollit botëror dhe atë të ceremonive të “Topit të Artë”. Por tani ka nisur një epokë e re me Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, që kanë hapur krahun për yjet e tjerë të së tashmes dhe të ardhmes.
Si sulmuesi argjentinas, ashtu edhe ai portugez janë jashtë listës së shkurtër të kandidatëve për të fituar “Topin e Artë 2024”.
Fitues i “Euro 2024” me Spanjën, i titullit kampion në Angli, Botërorit për Klube dhe Superkupës së Europës, autor i 12 golave dhe 5 asistimeve, Rodri shihet mes pretendentëve kryesorë.
Por sfida e mesfushorit spanjoll pritet të jetë e fortë me disa prej golashënuesëve dhe fitusëve të tjerë. Vinicus Junior dhe Jude Bellingham fituan thuajse gjithçka me Real Madrid, Champions, La Liga e Superkupën e Spanjës.
I njëjti diskutim vlen edhe për Erling Haland e Lautaro Martinez. Për sulmuesin norvegjez 45 gola e 6 asist për titullin në Premier League, Botërorin e Klubeve e Superkupën e Europës me Manchester City. Nga ana tjetër, Lautaro Martinez shënoi 35 gola dhe 8 asist për titullin kampion e Superkupën e Italisë me Inter si dhe Kupën e Amerikës me kombëtaren e Argjentinës.
Lista e zgjeruar me 30 finalistët e fundit për “Topin e Artë” plotësohet me emra të tjerë të mëdhenj të futbollit, si Kylian Mbappe, Harry Kane, Lamine Yamal apo Phil Foden.
Gjithçka do të zbulohet më 28 tetor në ceremoninë që do të zhvillohet në Paris, ndërsa edhe një herë do të votojnë trajnerët e kapitenët e kombëtareve si dhe 100 gazetarë sportivë nga e gjithë bota, të akredituar nga “France Football”