SPORT

Ndeshjet e EURO 2020 që mund të jenë më tepër politike sesa sportive

Ndeshjet e EURO 2020 që mund të jenë më tepër politike

Një vit më vonë nga sa ishte planifikuar, EURO 2020 fillon sot dhe si çdo herë tjetër, në kontinentin e vjetër veç aspektit të spektaklit sportiv, politika nuk mund të qëndrojë larg sportit më popullor. Mungesa e Serbisë ka shmangur rrezikun e një përplasjeje me Kroacinë, ndërkohë që mos kualifikimi i Bjellorusisë i ka hequr UEFA-s peshën e vendimit për ta përjashtuar ose jo.

Megjithatë, nuk janë të pakta sfidat që mund të ndezin gjakrat politike dhe të përfaqësojnë më tepër sesa një përballje sportive.

Finlandë-Rusi

Një ndeshje e tillë do të ishte një përballje e pabarabartë në fushë, por vlera emocionale për finlandezët është shumë e lartë. Kjo është hera e parë që ata kualifikohen në Europian, ndërkohë që Rusia ka marrë pjesë plot 11 herë, duke u renditur e dyta pas Gjermanisë.

Ashtu si ka thënë një ish-ministër i mbrojtjes finlandeze, 3 rreziqet më të mëdha të sigurisë finlandeze janë “Rusia, Rusia, Rusia”, një konstatim që mjafton për të vlerësuar sa e tensionuar mund të jetë fusha në përballjen mes dy fqinjëve. Finlanda ka qenë gjithmonë nën kërcënimin e Rusisë që e ka parë si shtet satelit të perëndimit shumë afër kufirit të saj dhe kjo ka ndezur urrejtjen e ndërsjelltë.

Ukrainë-Rusi

Teksa dy shtetet janë të përfshira në konfliktin e vetëm të armatosur që po zhvillohet aktualisht në kontinent, një përballje e mundshme mes tyre do të përbënte një ndeshje shumë më të rëndësishme se futbolli. Rusia paraprakisht ka nisur përplasjen me Ukrainën, pasi e detyroi të ndërronte fanellën pasi kishte një hartë që përfshinte Krimenë dhe thirrje nacionaliste.

Edhe ukrainasit dhe rusët janë famëkeq për huliganizmin e tyre dhe një ndeshje e tillë vështirë se mund të kalohej pa incidente.

Skoci-Angli

Dy ekipet do të përballen në grupin e tyre dhe historia e përplasjeve është shumë e vjetër. Nacionalistët skocezë që kërkojnë pavarësinë nga Britania janë katolikë, ndërkohë që pjesa dërrmuese e mbështetjes së zjarrtë për kombëtaren angleze vjen nga protestantët dhe në të shkuarën ndeshja është karakterizuar nga ofendime të ndërsjellta njëra palë për mbretëreshën dhe tjetra për Papën.

Kërkimi i një referendumi pavarësie nga Skocia këtë vit e bën rivalitetin edhe më aktual dhe kultura e alkoolizmit dhe huliganizmit në ishullin britanik padyshim që nuk ndihmon në atmosferën që do të krijohet në Wembley.

Së fundmi, “luftë” politike mund të nxisë edhe gjunjëzimi para ndeshjes i disa ekipeve në shenjë solidariteti me lëvizjen “Black Lives Matter”. Me praninë e tifozëve në stadium ka pasur reagime të mëdha nga turma kur lojtarët janë gjunjëzuar dhe të shumtë janë ata që kanë bërë thirrje për bojkot të kombëtareve për këtë shkak. Mbetet për t’u parë nëse çështja do të ketë prezencë politike përgjatë kompeticionit.

Tiranapost.al