Kupa e botës fitohet nga Argjentina! Franca një ndeshje dinjitoze

Argjentina ia del të triumfojë 4-2 me penallti ndaj Francës, pas 120 minutash në “Lusail Stadium”, të cilat u mbyllën në barazim 3-3.
Lionel Messi ishte padyshim protagonist, duke shënuar dy gola në finalen e madhe, ndërsa Kylian Mbappe me tripletën e tij ia doli të çojë Francën deri te penalltitë.
Argjentina e nisi ndeshjen mirë, duke kontrolluar lojën e duke fituar një penallti në minutën e 22-të, e cila u ekzekutua nga Lionel Messi. Vetëm pak minuta më vonë, në të 36-ën, Di Maria shënoi edhe golin e dytë.
Kur dukej se edhe “gjelat” po dorëzoheshin një penallti e kthyer në gol nga Kylian Mbappe rihapi gjithcka në pjesën e dytë.Vetëm dy minuta më vonë, Mbappe shënoi golin e dytë, duke rikthyer baraspeshën.
Minutat e fundit ishin të mbushura me raste për të dy skuadrat, por koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2 dhe skuadrat iu drejtuan kohës shtesë.
Në minutat shtesë ishte Messi që rikthen avantazhin e Argjentinës. Por në minutën e 118 ka sërish penallti për Francën dhe sërish Mbappe rikthen barazimin, duke dërguar sfidën te penalltitë, të cilat do të vendosnin edhe kampionin e botës.
Pikërisht këtu ishte Emiliano Martinez që priti penalltinë e Comn, duke dekurajuar francezët, ndërsa më pas Tchouameni gjuajti jashtë, duke i dhënë mundësi Argjentinës të triumfojë 4-2 dhe të shpallet kampione bote për të tretën herë në histori.