Kombëtarja nis zyrtarisht grumbullimin për ndeshjen e parë ndaj Polonisë

Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht këtë të hënë grumbullimin në prag të ndeshjes së parë ndaj Polonisë.
Futbollistët zhvilluan sot seancën e parë stërvitore me trajnerin Sylvio Mendes Campos Junior në fushën e Shtëpisë së Futbollit në kuadër të përgatitjeve për sfidën e parë të kualifikueseve të Euro 2024.
Dy futbollistët kuqezi, Sokol Cikalleshi dhe Jasir Asani dolën mesditën e sotme edhe në një konferencë për media, ku folën për objektivat që kanë për sfidën ndaj polakëve, që do të luhet në Varshavë më 27 mars. Sulmuesi Sokol Cikalleshi u shpreh se ndeshja kundër Polonisë është shumë e vështirë, por kuqezinjtë do të tentojnë të marrin pikët maksimale dhe ta nisin mbarë këtë fushatë kualifikuesesh.
“Tani fillon një edicion i ri për ne, aq më tepër që ndeshja e parë është një nga ndeshjet më të vështira. Polonia është ekipi më i fortë në grup. Besoj që duke u nisur edhe nga kualifikueset e kaluara, që i nisëm në Portugali dhe që arritëm të marrim një rezultat pozitiv në ato kohë dhe u kualifikuam, uroj të kemi të njëjtën vazhdimësi. Nuk besoj se jam i vetëm në majën e sulmit, por ai lojtar që do luajë, të bëjë maksimumin, si një grup, si një ekip që të tregojmë shpirtin e garës dhe në këtë ndeshje ta nisim mbarë. Siç është edhe ajo shprehja, fillimi i mbarë, gjysma e punës. Dhe nëse marrim rezultat pozitiv në Poloni, gjërat mund të thjeshtësohen disi,” deklaroi ai.
Ndërsa, Jasir Asani, i ftuar rishtaz nga Kombëtarja, nuk e fshehu kënaqësinë që është pjesë e grupit kuqezi dhe që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë sfidë të rëndësishme.
“Jam shumë i lumtur sepse çdo shqiptar nga Maqedonia mezi e pret ftesën nga Kombëtarja. Jemi shqiptarë dhe duhet të japim më shumë se 200% nga vetja. Çdo futbollist e ka ëndërr të përfaqësojë Shqipërinë,” tha ai.