SPORT

Klodiana Shala tregon sekretet: Si të vraposh gjatë dhe pa u lodhur

Klodiana Shala tregon sekretet: Si të vraposh gjatë dhe pa u lodhur

Dy ditë na ndajnë nga Maratona e Tiranës dhe rekordmenia e atletikës Klodiana Shala ka ndarë disa sekrete për të gjithë garuesit e të dielës në Tiranë. E ftuar në emisionin e pasdites në “TV Klan” me Rudina Magjistarin, atletja shqiptare me 4 medalje ndërkombëtare ka dhënë disa këshilla të vyera për ata që nuk janë profesionistë.

“Jo të gjithë janë profesionistë, prandaj quhet Maratona e Tiranës dhe jo maratonë profesioniste. E para është që në fillim të bëjmë pak nxehmje që të vëmë muskujt në punë. Shumë e rëndësishme është që të bëjmë pjesën e strechingut, krahun e majtë, krahun e djathtë, pjesën e muskujve, tërheqim këmbën nga mbrapa dhe tërheqim muskujt e këmbës para, pra bëjmë një nxehmje të kaviljeve. Që të mos kontraktohemi që në fillim absolutisht është e rëndësishme që ne të bëjmë një streching pak më të gjatë. Vijmë 40 minuta para se të marrim pjesë në orën 10:00 që është starti,” tha Shala.

Nga ana tjetër ajo shtoi se për një finish të mirë duhet një start i ngadaltë.

“Një start jo i fortë sepse nuk mund të nisemi të gjithë fort se do të gabojmë. Do të kemi një start normal, thjesht mos të dëmtohemi me njëri-tjetrin dhe mos të shtyjmë me bërryla sepse aty ka dhe aksidente. Kjo është një maratonë e bukur për të dhënë shembull dhe jo për tu vrarë. Një ecje më shpejt se vrapi, pra ecje sportive derisa ne ta përfundojmë. Marrim frymë sa më shumë, sepse oksigjeni është shumë i rëndësishëm, mos të na shkojë laktati në tru për bllokimin e komplet muskujve, thithim sa më shumë me hundë dhe e nxjerrim me gojë. Kur ndjejmë lodhjen dhe pak pjesën e ngërçeve, se ndoshta ka edhe nga ata që i zë ngërçi, një streching gjatë rrugës, pushimi, frymëmarrje e thellë që oksigjeni edhe gjaku të na qarkullojmë sa më mirë,” theksoi atletja e njohur.

Tiranapost.al