SPORT

Gattuso ngre zërin: Nëse nuk ndryshoni sjellje, unë jap dorëheqjen

Gattuso ngre zërin: Nëse nuk ndryshoni sjellje, unë jap

Napoli humbi 1-3 përballë Milanit në “San Paolo” të dielën në mbrëmje, ndërsa trajneri Gennaro Gattuso u shfaq mjaft i zhgënjyer me paraqitjen e të tijve, duke theksuar se “bëmë rolin e profesorit në fushë dhe dolën në pah mangësitë tona”.

Furia e trajnerit italian nuk u përmbajt as në dhomat e zhveshjes, ku pas ndeshjes mbajti një fjalim disa minutësh para futbollistëve të tij, shpesh duke ngritur edhe zërin, ndërsa mediat italiane zbulojnë se përmendi edhe dorëheqjen.

“Nëse do të vazhdojmë të sillemi kështu dhe të tolerojmë humbje të tilla, me kaq shumë gabime nga ana jonë, atëherë është e kotë të vazhdojmë. Nëse nuk ndryshoni, unë jam gati të jap dorëheqjen”, mësohet se ka thënë ndër të tjera Gattuso.

Megjithatë deklarata e trajnerit të Napolit duket se ka qenë thjesht një mënyrë për të nxitur reagimin e të tijve, pasi pankina e Gattusos nuk është aspak në rrezik dhe shumë shpejt tekniku pritet të nënshkruajë edhe kontratën e re.

Ndërkohë ditën e djeshme skuadra kreu seancën stërvitore në një atmosferë shumë të qetë dhe pa ngritje zëri, ndërsa trajneri po provon të injektojë grintë e besim te futbollistët e tij, para dy ndeshjeve mjaft të rëndësishme ndaj Rijekës dhe Romës.