SPORT

FIFA nis procedurat disiplinore kundër Argjentinës

FIFA nis procedurat disiplinore kundër Argjentinës
FIFA ka nisur procedurat disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Argjentinës për sjellje të pahijshme të lojtarëve dhe shkelje të lojës së ndershme në finalen e Kampionatit Botëror.

Në finalen e Kampionatit Botëror, Argjentina mundi Francën me penallti në stadiumin Lusail të Katarit.

Rreth tre orë më vonë, lojtarët e udhëhequr nga kapiteni Lionel Messi vrapuan dhe kënduan nëpër zonën e dedikuar për intervista zyrtare dhe dëmtuan muret e dobëta ndarëse dhe nuk u ndalën për të komunikuar me mediat ndërkombëtare.

FIFA nuk ka shpallur një kalendar lidhur me çështjen disiplinore të Argjentinës.

Ndërkaq, lidhur me rastet tjera, FIFA gjobiti kombëtaret e Serbisë, Meksikës dhe Ekuadorit për shkak të sjelljes së tifozëve në Kampionatin Botëror.

Serbia u gjobit me 50 mijë franga zvicerane për thirrjet e tifozëve në ndeshjen me Zvicrën, ku disa lojtarë zviceranë u ofenduan në baza kombëtare, duke aluduar për origjinën e tyre shqiptare.

FIFA gjobiti Meksikën me 100,000 franga zvicerane për thirrjet kundër homoseksualëve, ndërsa Ekuadori u gjobit me 20,000 për fyerjet në adresë të Kilit.

Burimi: REL