SPORT

Djokoviç shkruan historinë, tenisti me më shumë javë në krye të renditjes

Djokoviç shkruan historinë, tenisti me më shumë javë

Pak a shumë dihej dhe ishte diçka që pritej prej kohësh, për shkak të shkëputjes së tij të madhe në renditjen botërore, megjithatë të hënën në mesditë u zyrtarizua gjithçka dhe Novak Djokovic u bë tenisti me më shumë javë në krye të klasifikimit të përgjithshëm ATP në historinë e këtij sporti, kuptohet pra për një periudhë prej afërsisht gjysmë shekulli, më saktë që nga epoka moderne e tenisit, apo që nga viti 1973 dhe koha kur ky sport filloi të funksionojë pikërisht në bazë të një organizimi të tillë.

Javën e kaluar numri 1 i botës u barazua me të madhin Roger Federer, me plot 310 javë kryesim në renditjen botërore, ndërsa këtë të hënë Nole kaloi edhe veteranin zviceran, duke regjistruar javën e tij të 311 në fronin e këtij sporti. Dy javë më parë në Melbourne Park 33-vjeçari nga Serbia mbrojti me sukses titullin në Shtetin e Viktorias, duke koleksionuar për herë të 9 titullin e Australian Open, trofeu i 18 Slam në karrierë për Nolen, që pozicionohet në vendin e tretë përsa i përket klasifikimit të turneve të fituar në aktivitetet e Grand Slam-it, me dy më pak se sa dyshja Roger Federer – Rafael Nadal.

Megjithatë Novak Djokovic është gjithashtu edhe tenisti me më shumë turne Masters të fituar në karrierë, plot 36 të tillë, gjithsesi Rafa në këtë lloj renditje të veçantë, përsa i përket turneve me vlerën e 1.000 pikëve ndjek nga shumë pranë, me vetëm një titull më pak. Për herë të parë Nole u ngjit në “çatinë e botës” një dekadë më parë, më saktë më datën 4 korrik të vitit 2011. Fillimisht Djokoviç e mbajti fronin për 53 javë, deri më 8 korrikun e vitit pasardhës, ndërsa në vazhdim mbretërimin e dytë tenisti i mirënjohur nga Serbia e regjistroi për një kohë prej 48 javësh, nga 5 nëntori i 2012 deri më 6 tetorin e vitit 2013.

Periudha e tij më e suksesshme padyshim konsiderohet faza nga 7 korriku i 2014 deri më 6 nëntorin e vitit 2016, kur ia rrëmbeu fronin britaniku Andy Murray, pas plot 122 javëve në krye të klasifikimit botëror. Në vijim Nole u rikthye për të udhëhequr për 52 javë, nga 5 nëntori i 2018 deri më 3 nëntorin e vitit 2019, ndërsa periudha aktuale e mbretërimit të tij në renditjen e përgjithshme ATP ka filluar më datën 3 shkurt të 2020 dhe numëron për momentin vetëm 36 javë, ngaqë nuk janë llogaritur në mënyrë të kuptueshme pikërisht javët kur nuk kishte aktivitete, për arsye të ndërprerjes së gjatë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Më parë këtë privilegj e pati tenisti helvet Roger Federer, që më datën 16 korrik të vitit 2012 theu rekordin e famshëm prej 286 javësh të tenistit legjendar amerikan Pete Sampras, që konsiderohej si i pathyeshëm. Në këtë lloj klasifikimi ceku Ivan Lendl pozicionohet i katërti me 270 javë, ndërsa në vendin e pestë renditet tenisti i mirënjohur nga Shtetet e Bashkuara Jimmy Connors, që ka mbajtur statusin e numrit 1 në rruzull, në këtë sport për plot 268 javë. Kurioz është fakti që më datën 21 maj të vitit 2018 Nole rrëshqiti poshtë në renditjen botërore, duke zbritur deri në vendin e 22, megjithatë tenisti ballkanas ia doli mbanë për t’u ngjitur në fronin e këtij sporti vetëm pesë muaj e gjysmë më vonë, më saktë në datën 5 nëntor të atij viti.

Përveç një statistike të tillë Novak Djokovic ka mbyllur gjithashtu edhe vitin në këtë sport si numri 1 për plot 6 sezone, duke u barazuar me amerikanin Pete Sampras. Treshja Jimmy Connors, Roger Federer, Rafael Nadal ndjek me nga 5 sezone në vendin e parë të renditjes botërore, ndërsa John McEnroe dhe Ivan Lendl krenohen me faktin që kanë përfunduar për 4 vjet përgjatë karrierës sezonin në vendin e parë, në klasifikimin e përgjithshëm ATP.