SPORT

Derbi i Tiranës, ja rrugët që do bllokohen tre orë para ndeshjes

Derbi i Tiranës, ja rrugët që do bllokohen tre orë para

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka hartuar plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis Partizanit dhe Tiranës sot në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” , bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:

– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi;

– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dërvish Hima” – stadiumi.

Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).

Tifozët të kenë me vete dokument identifikimi pasi në të kundërt nuk do të lejohet hyrja në ambientet e stadiumit. Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara.