Sociale

Të gjithë çmojnë altruizmin, por a mund të jetë egoizmi një vlerë dhe detyrë morale?

Të gjithë çmojnë altruizmin, por a mund të jetë

Gjithsecili prej nesh e ka instiktin e lindur, por edhe të kultivuar se altruizmi përbën një vlerë dhe detyrë morale e çdokujti prej nesh dhe se nëse duam që të jetojmë në një shoqëri solidare, të paqtë dhe të lumtur duhet të vendosim interesat kolektive (si mund t’i përkufizojmë ato interesa është tjetër diskutim) përpara interesit tonë personal. Por, a keni menduar ndonjëherë si do të ishte sikur të gjithë realisht të mendonim kështu? A do të ishte praktike për shoqërinë tonë dhe a do kishim prosperitet? Dhe për më tepër a përshtatet altruizmi me natyrën tonë?

Filozofja dhe novelistja ruso-amerikane Ayn Rand trajtoi çështjen e altruizmit dhe egoizmit në veprat e saj dhe konkludoi se ideali etik i jetës duhet të jetë egoizmi në çdo kohë dhe në çdo vend. Para se ta akuzoni Rand-in për pashpirtësi, le të rendisim argumentat e saj dhe t’i gjykojmë objektivisht. Rand duke vëzhguar natyrën dhe në studim të historisë njerëzore vuri re se shtysa kryesore e jetës është mbijetesa dhe prosperiteti personal. Çdo organizëm duke filluar nga bakteret deri tek njerëzit kërkon ushqim, oksigjen, ujë apo çfarëdo element siguron mbijetesën e tij. Pra, jeta është vlerë në vetvete dhe kjo nuk mund të mohohet. Përderisa jeta është vlerë në vetvete, a ka të drejtë morale ndokush të kërkojë të hiqni dorë nga jeta juaj për hir të tij? Padyshim që ju keni të drejtën ta jepni jetën për çfarëdo të dëshironi, por pyetja është a ka të drejtë kush të kërkojë sakrifikimin tuaj?

Nga ana tjetër kush ka informacionin dhe dijen se çfarë është më e mirë në çdo kohë? E mira publike është një koncept abstrakt dhe çdo qënie ka njohje vetëm për rrethanat e veta imediate dhe si të veprojë për të siguruar objektivat e së përditshmes. Në rast se çdokush vepron në mënyrë racionale, në mbrojtje të interesave të tij, por pa cënuar të tjerët (do të shpjegojmë më poshtë se përse të tjerët nuk duhen cënuar sipas Rand), atëherë të gjithë do të ndjekim rrugën optimale të jetës sonë dhe do të jemi më të lumtur dhe të realizuar. Në rast se çdokush jeton për veten e tij, çdo i ri që i shtohet jetës publike është i lirë të çajë rrugën e vet. Kur kolektivi na imponohet dhe na kufizon, ka frustrime dhe konflikte. Kujtojmë se asnjë diktator në historinë e njerëzimit nuk ka vepruar me moton “jam i keq dhe dua t’u lëndoj”, por të gjithë kanë justifikuar shkatërrimin e sundimit me “të mirën e popullit”. Kush di më mirë se ju, çfarë është e mirë për ju?

Natyrshëm shtohet pyetja: Në rast se është kështu, unë a jam i justifikuar moralisht të vras dhe të vjedh nëse ma dikton interesi? Përgjigja është qartësisht jo. Sepse në terma afatgjatë është kundër interesit të shkelësh pronën dhe të cënosh jetën e tjetrit, sepse të tjerët duke u nisur nga ky shembull mund të të cënojnë ty dhe sado i fuqishëm të jesh, në një botë pa rregulla jeton në frikë dhe i humbur. Pra, ti nuk vjedh dhe nuk vret, jo sepse je altruist, por sepse është në interesin tënd që të ketë rregulla kundër këtyre akteve.

Në fund, Rand na fton të imagjinojmë një botë ku të gjithë jemi altruistë dhe jetojmë për të tjerët dhe jo për veten tonë. Të gjithë kalojnë ditën në bamirësira dhe përderisa askush nuk po kujdeset për biznesin, edukimin, shëndetin e tij, shoqëria do të shkonte drejt humnerës shumë shpejt. Ose, një skenar edhe më i frikshëm, disa jo-altruistë do shfrytëzonin altruizmin masiv dhe do të sundonin mbi të tjerët.

Por, si do të ishte një botë ku të gjithë do të ishin egoistë? Kontraktuale, do të respektohej dinjiteti dhe vendimet e çdokujt dhe bota do të kishte miliona herë më pak hipokrizi... ose kështu pretendon Rand. A ka të drejtë apo jo, ju mbetet ju për ta gjykuar.

Tiranapost.al