Sociale

Si duhet ta lexojmë “romanin” e jetës sonë, për të vepruar në një mënyrë morale?

Si duhet ta lexojmë “romanin” e jetës sonë, për

Zakonisht kur përmendet koncepti i një “dileme morale” përfytyrojmë konfliktin mes një sensi moral të lartë brenda nesh dhe një dëshire më të errët dhe subkoshiente për të vepruar në një mënyrë imorale apo hedoniste. Kultura popullore është e tejmbushur me referenca të kësaj natyre; p.sh. ëngjëlli në një shpatull duke debatuar me demonin në shpatullën tjetër, parabola e “dy ujqërve që ndodhen brenda nesh” etj. Gjithashtu kjo ide është e përhapur dhe në dogmat e religjioneve më popullore në botë që krijojnë dualizmin mes trupit dhe shpirtit, koshiencës dhe subkoshiencës, edukimit dhe instiktit, kërkesat strikte të ndërgjegjes dhe tërheqja tinëzare e mëkatit.

Ky qëndrim gjithashtu ka marrë vemendje të madhe në debatet filozofike duke filluar nga Platoni dhe deri tek Immanuel Kant që trajtuan dilemën mes rrugës së thjeshtë, por të gabuar dhe rrugës së drejtë dhe të vështirë. Çdo individ sipas kësaj perspektive është i segmentarizuar, apo i ndarë në shumë pjesë të cilat janë në një konflikt të heshtur dhe të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Në fund të ditës është e rëndësishme që sentimentet më fisnike dhe të moralshme të triumfojnë dhe të shkelin impulset e “mëkatare” dhe korruptuese.

Megjithatë, kjo narrativë popullore injoron faktin se në shumë raste problemi nuk qëndron në tejkalimin e së errëtës brenda nesh, por në përzgjedhjen e cilave veprime të mira duhet të ndërmarrim në kushtet kur koha, energjia dhe resurset tona janë të limituara. Me fjalë të tjera, çelësi për përmbushjen morale nuk është thjesht të bësh zgjedhjen e duhur në një moment sfidues, por të mund të jetosh një jetë ku sistematikisht vepron në mënyrë koherente dhe përmbushëse të vlerave morale dhe së mirës kolektive.

Për të arritur këtë duhet që të kalojmë jetën tonë nga narrativa në vetë të parë, në narrativën e vetës së tretë. Imagjinoni kur lexoni një roman... kur rrëfimtari i historisë tregon historinë nga perspektiva e tij në vetë të parë, lexuesi thotë “unë” së bashku me të dhe simpatizon me protagonistin në çdo hap, duke kërkuar me ngulm që ai të triumfojë mbi të tjerët dhe të ketë një fund të lumtur, edhe në kushtet kur mund të ketë kryer ndonjë akt imoral. Nga ana tjetër, kur romani rrëfehet në vetën e tretë të gjithë personazheve u jepet mundësia të vlerësohen edhe pse natyrshëm, edhe në këtë rast, ne prapë mbështesim protagonistin. Perspektiva e vetës së tretë na jep një objektivitet më të madh dhe mbi të gjitha na mundëson të kuptojmë se çdo personazh është po aq i vërtetë dhe ka aq shumë mendime të brendshme sa dhe tjetri.

Në një mënyrë të ngjashme dhe ne duhet të kuptojmë se jemi vetëm një mes të shumtëve dhe në veprimet tona duhen llogaritur dhe të tjerët. Natyrisht, që çdokush duhet të prezervojë veten dhe të promovojë interesat e tij, por ndërgjegjësimi i faktit se jemi vetëm një ndër shumë është i domosdoshëm për të arritur në vendime morale të drejta dhe objektive.

Kur historinë e jetës e rrëfen nga perspektiva që përmend shpeshherë fjalën “unë”, harron të vështrojë nga një perspektivë panoramike jetën e vet dhe kështu dilemat morale mes implulseve të mira dhe të këqija mund të jenë krejtësisht të pavenda, pasi as koshienca jonë nuk arrin të perceptojë në sa e sa mënyra cënon kolektivitetin e shoqërisë, natyrën apo edhe njerëzit jashtë nesh.

Përshtatur nga “Aeon”/ tiranapost.al