Sociale

Shkencëtarja shqiptare në Britani: Pavarësisht se nga jemi, ne flasim të njëjtën gjuhë, gjuha e ADN-së!

Shkencëtarja shqiptare në Britani: Pavarësisht se nga jemi, ne

Debati i emigrantëve shqiptarë në Britani ka ngjallur reagime edhe nga shqiptarët që prej dekadash jetojnë e punojnë atje e madje kanë edhe histori të trishta por që janë kthyer sot në histori suksesi.

Detina Zalli, profesore shqiptare në Universitetin e Harvardit thotë se 20 vite më parë ishte e ndrojtur për t’iu përgjigjur këtyre etiketimeve në shkollën e saj, ndërsa sot ajo ndihet krenare mjaftueshëm për të ngritur zërin ndaj një padrejtësie që po ripërsëritet.

Postimi i saj:

Gjatë ditëve të fundit, jam ndjerë e trishtuar nga mënyra se si media në Mbretërinë e Bashkuar u janë referuar shqiptarëve me kaq negativitet, duke i etiketuar ata “kriminelë”. Kjo më risolli kujtimet kur isha 13 vjeçe dhe fëmijët e tjerë në shkollën time më etiketonin si një “kriminele” për arratisje në Mbretërinë e Bashkuar për t’i shpëtuar luftës civile. Kjo vazhdoi për tre vjet rresht. Çdo ditë. Isha e shkatërruar, më mungonte vetëvlerësimi dhe jeta ime nuk kishte kuptim. Kanë kaluar njëzet vjet dhe gjatë kësaj kohe kam pasur bekimin të punoj në disa nga universitetet më prestigjioze në botë, përfshirë Universitetin e Harvardit, Universitetin e Oksfordit dhe Universitetin e Kembrixhit.

Unë kam qenë shkencëtarja më e re post-doktoral në Harvard, kam drejtuar kurse për studentë universitarë dhe pasuniversitarë, kam fituar shumë bursa dhe kam bashkëpunuar me laureatët e çmimit Nobel. Por më e rëndësishmja, unë kam ndikuar në jetën e më shumë se 10,000 studentëve nga prejardhje të ulët socio-ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Indi, Kinë dhe Evropën Lindore. Kam ndihmuar refugjatët, emigrantët dhe pacientët me kancer (dhe do të vazhdoj ta bëj këtë).

Po. Dhe unë jam shqiptare. Si fëmijë, nuk mund të mbrohesha. Ndjej se është e rëndësishme të ngre zërin për të shpëtuar fëmijët e tjerë shqiptarë që shkojnë në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar dhe që mund të përjetojnë bullizëm. Shpresoj që media në Mbretërinë e Bashkuar të reflektojë për këtë. Siç them shpesh: “Pavarësisht se nga je. Të gjithë flasim të njëjtën gjuhë. Gjuha e ADN-së!”