Sociale

Sa i rëndësishëm është fati në jetën tonë dhe a duhet të shqetësohemi nëse nuk mund ta kontrollojmë atë?

Sa i rëndësishëm është fati në jetën

Për mirë ose për keq, fati i një momenti mund të ndryshojë krejtësisht jetën tonë. Dikush mund të kalojë rrugën dhe të goditet nga një makinë, ose të takojë rastësisht dashurinë e jetës së vet në rrugë, në një moment që nuk e pret aspak. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se gjëra që janë përtej kontrollit tonë mund të ndryshojnë jetën tonë në mënyra të papritura dhe shpeshherë radikale.

Fati pra, në një nivel konceptual, vendoset në kontrast me veprimet tona që i bëjmë me vullnet dhe përgjegjshmëri të plotë. P.sh. kur një shofer godet dikë padashje në rrugë (supozojmë se shoferi nuk ka shkelur asnjë rregull të qarkullimit dhe nuk ka qenë nën efektin e asnjë substance) mund të themi si atij “i ndodhi” diçka e tmerrshme, kurrsesi nuk mund të themi se ai “bëri” një gjë të tmerrshme. Ndodhia i atribuohet fatit të keq dhe jo vullnetit të keq. Megjithatë, shoferi ndihet keq dhe e vret ndërgjegja thuaj se e kishte kryer aktin me vullnet.

Filozofi britanik Bernard Williams i dha një emër kësaj ndjenje. Ai e quajti "pendesë-agjentore", e cila është e ndryshme nga pendesa e thjeshtë e cila vjen pasi kuptojmë se kemi bërë qëllimisht një akt të gabuar. Në këtë rast nuk pendohemi për aktet apo për rrethanat që sollën një rezultat, por vetëm për rezultatin në vetvete.

A duhet t’i trembemi këtij fati fatal që mund të rrëzojë të gjitha përpjekjet dhe veprimet e një jete të moralshme dhe të drejtë? A duhet t’i trembemi faktit se shpeshherë nisemi për të bërë mirë dhe fati i momentit i shndërron të gjitha përpjekjet tona në një të keqe të parikuperueshme?

Sipas Williams, njeriu nuk ka zgjidhje tjetër veçse të pranojë se gjithçka që bëjmë varet domosdoshmërisht nga fati dhe po ashtu si filozofët stoikë të Greqisë dhe Romës së lashtë, asnjë mendim nuk duhet t’i dedikojë qoftë edhe një mendim asaj që qëndron jashtë nesh, përtej kontrollit tonë, cilatdo qofshin pasojat. Ajo që ne mund të bëjmë është që të kemi qëllime të mira dhe të sillemi në një mënyrë që na duket e moralshme, si dhe të shpresojmë se rregulli që jetojmë të na kthehet në formën e një fati pozitiv. Të qëndrosh i varur nga fati do të thotë të ndalosh së jetuari, ndaj ndonëse ne nuk mund ta kontrollojmë atë, Williams na këshillon të jetojmë sikur ta kontrollonim.

Tiranapost.al