Sociale

Qytetet ku shqiptarët jetojnë më gjatë dhe më pak, nga Tirana e Durrësi, tek Korça dhe Berati

Qytetet ku shqiptarët jetojnë më gjatë dhe më pak, nga

Në dekadat e fundit jetëgjatësia në Shqipëri është rritur ndjeshëm, duke arritur nivelet më të larta rajonale, por qytetet të ndryshme të vendit shfaqin diferenca të mëdha.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, qarku me jetëgjatësinë më të lartë në lindje për burra ishte ai i Tiranës, me 80,6 vjet, ndërsa qarku me treguesin më të ulët të jetëgjatësisë ishte ai i Gjirokastrës, me 73,5 vjet.

Në të njëjtin vit, qarku me jetëgjatësinë më të lartë për gratë ishte ai i Tiranës, me 84,4 vjet, ndërsa qarku me treguesin më të ulët të jetëgjatësisë ishte ai i Beratit, me 77,7 vjet.

Siç shihet nga grafiqet e mëposhtme pas Tiranës, Durrësi, Elbasani dhe Lezha kanë jetëgjatësinë më të madhe si për gratë dhe burrat. Ndërsa Gjirokastra, Korça, Shkodra dhe Berati kanë jetëgjatësinë më të ulët për të dyja gjinitë në raport me mesataren kombëtare.

Në vitin 2019, jetëgjatësia në lindje në Shqipëri, për tërë popullsinë ishte 79,0 vjet. Ajo ishte 77,6 vjet për burrat dhe 80,6 vjet për gratë. Kjo do të thotë që gratë pritet të jetojnë afro 3 vjet më shumë se burrat.

Sipas të dhënave nga Banka Botërore nga viti 1961 në vitin 2015, jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve nga 62.3 vjeç arriti në 78 vjeç. Vetëm në periudhën e tranzicionit jetëgjatësia është rritur me 6 vite.

Disa evidenca nga baza e të dhënave të OBSH-së (Health for All) tregojnë se vdekshmëria nga kanceri i mushkërive në Shqipëri në vitet 1980 ishte shumë më e ulët se në shumicën e vendeve të tjera evropiane. Ndryshimi midis meshkujve dhe femrave në jetëgjatësinë e pritshme në vendet e Evropës Lindore ndikohet fuqimisht nga ndryshimet në faktorët e rrezikut, kryesisht duhanpirjes, abuzimit me alkoolin dhe aksidentet e trafikut rrugor.

INSTAT parashikon se deri në fund të viteve 2030 jetëgjatësia mesatare për burrat shqiptare do të jetë 80 vjeç dhe për gratë 83.5 vite

Të tria hipotezat e INSTAT projektojnë rritjen e jetëgjatësisë në lindje, por me ritme të ndryshme sipas varianteve. Jetëgjatësia e burrave paraqitet që tani në nivele të larta (77,7 në vitin 2019) kështu që ritmi i rritjes së saj është projektuar të jetë më i ulët se ai i grave./

*Marrë nga Monitor.al