Sociale

Qendër Shëndetësore edhe në Orikum. Do iu shërbejë banorëve e pushuesve 24/7

Qendër Shëndetësore edhe në Orikum. Do iu shërbejë

Një tjetër Qendër Shëndetësore, këtë herë në Orikum është hapur 24/7 për turistët dhe pushuesit gjatë këtij sezoni veror. Ajo po ashtu iu shërben më shumë se 11 mijë banorëve të zonës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, vizituan sot qendrën e re shëndetësore në Orikum.

“360 janë qendrat shëndetësore dhe ambulancat e rehabilituara dhe të rindërtuara, ku ofrohet një shërbim cilësor dhe kushte shumë të mira për mjekët dhe infermierët. Kjo qendër është edhe një qendër e re socio-shëndetësore, sepse tashmë prej pak muajsh kemi prezencën e psikologut, ku ofrohet shërbimi i nevojshëm për të gjithë që kanë problematika të shëndetit mendor, por edhe për të identifikuar raste të familjeve apo individëve që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike”, - tha Manastirliu.

Ministrja Kumbaro ka vlerësuar punën e strukturave shëndetësore përgjatë sezonit turistik. “Nuk kemi vetëm një turizëm me natyrë të bukur, por kemi një turizëm të sigurt, të pastër dhe kjo është arsyeja pse task-forca është e mobilizuar në të gjithë territorin. Është e rëndësishme që turistët të dinë se atje ku bëjnë plazhe, kanë gjithmonë një qendër si kjo e Orikumit që ju shërben, me qëllim që të ofrojmë gjithë kushtet e sigurisë”, - nënvizoi Kumbaro.

Në të gjithë vendi janë hapur prej 15 qershorit 30 qendra shëndetësore verore, ku ofrohet shërbim pa ndërprerje.