Sociale

Pse njerëzit preferojnë Pfizer?

Pse njerëzit preferojnë Pfizer?

Nuk është nevoja të bësh asnjë studim e asnjë sondazh për të kuptuar që njerëzit në përgjithësi preferojnë të vaksinohen me Pfizer ndaj Covid-19. Mjafton të lexosh lart e poshtë në jetën virtuale, ose të dëgjosh ata që pyesin në jetën reale: “Cilën vaksinë do bësh, Pfizer, a lum si ti. Unë kinezen bëra”. Ose ata që thonë: “Unë jam mësues e më ka rënë për pjesë Astra, po s`di ç`të bëj. Kam frikë nga mpiksja e gjakut. S`erdhi ndonjë Pfizer për ne”.

Është krijuar një opinion i përgjithshëm se Pfizer është më e mira dhe jo për faj të popullatës që e gjendur mes një lufte, kërkon që në përpjekje për të mbijetuar, të mos rrezikojë më shumë. Thënë ndryshe: Të mos shkojë si cjapi tek kasapi, duke bërë vaksinën.

Ka disa faktorë që kanë ndikuar në krijimin e këtij opinioni. Le t`i marrim me radhë.

Faktori ‘Vend’

Njerëzit në përgjithësi janë më të prirur t`u besojnë vendeve europiane e amerikane. Me sytë nga Amerika dhe Europa është normale që edhe shëndeti t`u besohet këtyre vendeve. Ndaj Pfizer e prodhuar në Amerikë merr pikë ekstra krahasuar me Sinovac apo Sinofarm prodhuar në Kinë, ose me Sputnik V të Rusisë.

Faktori ‘Kohë’

Puna për prodhimin e të gjitha vaksinave ndaj Covid-19 nisi thuajse paralelisht, por miratimi i tyre u bë në kohë të ndryshme. Pfizer është e para që u aprovua për përdorimin emergjent nga Britania e Madhe në dhjetor të 2020-ës dhe e para që mori ‘Ok’ nga FDA amerikane dhe EMA europiane (institucione që miratojnë vaksinat), nga OBSH gjithashtu. Astra Zeneca u miratua në shkurt të 2021-shit nga OBSH. Pra rreth dy muaj më vonë. Ndërkohë që Pfizer ka kërkuar nga EMA dhe FDA leje për t`u aplikuar edhe tek 12-15 vjeçarët vaksina ruse është ende nën shqyrtim. Kurse Sinovac është miratuar nga FDA në muaj prill. E vetmja vaksinë kineze e miratuar nga OBSH deri tani është Sinofarm.

Faktori ‘Çmim’

Një tjetër faktor ndikues duket të jetë edhe çmimi. Ka një prirje kolektive për të besuar se sa më shumë kushton diçka, aq më e mirë apo cilësore është. Kjo vlen në çdolloj produkti që blihet. Siç duket ndikon edhe kur vjen fjala për të zgjedhur vaksinat.

Pfizer, Moderna, Johnson& Johnson (Prodhuar në Amerikë) kushtojnë nga 19-37 dollarë për dozë.

Astra Zeneca (Prodhuar në Britaninë e Madhe) kushton nga 3-4 dollarë për dozë

Sputnik kushton 10 dollarë një dozë.

Për vaksinën kineze nuk ka ndonjë informacion konkret se sa kushton.

Faktori ‘Marketing’

Pikë e rëndësishme është marketingu. Vaksina është çështje shëndeti për ata që imunizohen, por është biznes (dhe shumë fitimprurës madje) për ata që e prodhojnë dhe tregtojnë. Dhe ekonomia thotë që reklama është shpirti i biznesit.

Pfizer ka bërë dhe bën vazhdimisht reklamë të mirë duke pasqyruar çdo hap që ndjek. Që nga efektiviteti i vaksinës që thuhet se arrin në 95% e që është shumë krahasuar me 75% siguri që jep Astra Zeneca.

Pfizer e vë theksin tek kërkimet që po bën për ta apikuar në moshat më të reja apo tek pilula që po krijon në mënyrë që njerëzit të mund të marrin dozën e tyre edhe nga goja. Kjo është një pikë bonus, sidomos për ata që kanë frikë e fobi nga gjilpëra. Jo më larg se sot publikoi studimin se Pfizer është efektive edhe ndaj variantit indian të Covid-19 që po kërcënon botën nga e para.

Mjafton të hysh në Google dhe të shkruash “astra zeneca mpiksje gjaku” dhe dalin më shumë se 326 mijë lajme dhe materiale. Efekte anësore kanë të gjitha vaksinat, madje jo vetëm vaksinat por edhe analgjezikët, diferenca varet tek marketingu.

Pse njerëzit preferojnë Pfizer?

Pse njerëzit preferojnë Pfizer?

Pse njerëzit preferojnë Pfizer?

Pse njerëzit preferojnë Pfizer?

Pse njerëzit preferojnë Pfizer?

Faktori ‘Lëvizje e Lirë’

Përtej çmimit, efikasitetit apo çdo faktori tjetër, një nga ata që kanë ndikuar është edhe ‘Lëvizja e Lirë’. Duke qenë ende të pamiratuara nga OBSH vaksina kineze dhe ruse, njerëzit janë të pasigurtë nëse do të mund të udhëtojnë nëpër botë duke u vaksinuar nga këto kompani. Ekziston rreziku se Amerika apo vendet e BE-së nuk do t`i njohin këto vaksina nëse do të lejojnë lëvizjen përmes Pasaportave të Vaksinave. Ende nuk ka një plan konkret në lidhje me këtë, por në rrjet qarkullojnë lajme nga më të ndryshmet. E njëjta gjë vlen edhe për Astra Zeneca, prodhuar në Britani.

Faktori ‘Politik’

Dhe këtu hyn në lojë faktori politik. Pas daljes nga Bashkimi Europian BE mund të mos e njohë imunizimin me një vaksinë të krijuar nga një vend jashtë BE-së.

Vetë Anglia madje i ka konsideruar si sulme dhe hakmarrje për shkak të ‘Brexit’ lajmet se Astra Zeneca shkakton mpiksje gjaku. I ka konsideruar gjithashtu si sulme të konkurrentëve duke qenë se britanikët kanë prodhuar një vaksinë me çmim më të përballueshëm. Në këtë pikë kuptojmë që gjithë faktorët ndahen dhe bashkohen e në fund të zhytur në një pellg informacionesh nga çdo cep, njerëzit bëhen më konfuzë se kurrë.

*Ndalohet ribotimi i këtij shkrimi pa lejen e editorit