Sociale

Pse gratë janë më pak të korruptuara se burrat?

Pse gratë janë më pak të korruptuara se burrat?

Zyrtaret gra kanë më pak gjasa të korruptohen se burrat dhe e kanë më të vështirë t'ia hedhin paq

Gjatë janarit, Transparency International, një OJQ, publikoi raportin e saj vjetor mbi korrupsionin në mbarë botën. Si fillim, vlen të thuhet se korrupsioni nuk është përmirësuar në dekadën e fundit. Madje në shumë vende të varfra po përkeqësohet.

Autorët e studimit rekomandojnë forcimin e agjencive kundër korrupsionit, goditjen e krimit financiar dhe bërjen e shpenzimeve publike më transparente.

Por disa vende kanë provuar një metodë tjetër. E kanë zgjidhur me gratë. Thjesht kanë punësuar më shumë gra dhe kanë ulur automatikisht korrupsionin. Ky është në fakt një prej konkluzioneve të këtij studimi.

Në vitin 2011, për shembull, një shtet në Meksikë krijoi një njësi policie vetëm vetëm me gra dhe synonte të eliminonte korrupsionin. Peruja pati një qasje të ngjashme në fund të viteve 1990.

Po a janë vërtet gratë më pak të korruptuara se burrat?

Ideja fitoi besim pasi studiues nga Banka Botërore publikuan një studim në vitin 2001 që shqyrtonte 100 shtete. Në ato me një përqindje më të madhe të ligjvënësve gra, zyrtarët kishin më pak gjasa të kërkonin ryshfet. Hulumtimi i ri nga një grup akademikësh, duke përfshirë Francesco Decarolis nga Universiteti Boçoni, në Milano, arriti në një përfundim të ngjashëm.

Ai zbuloi se në Kinë midis viteve 1979 dhe 2014, zyrtaret e larta gra kishin 81% më pak gjasa të arrestoheshin për korrupsion sesa kolegët e tyre burra. Dhe në Itali ndërmjet viteve 2000 dhe 2016, zyrtaret gra kishin 22% më pak gjasa se burrat që të hetoheshin për korrupsion.

Autorët nuk e justifikuan me ndonjë arsye tjetër, veç gjinisë, këtë rezultat. Por akademikë të tjerë, si Elin Bjarnegard, nga Universiteti Uppsala në Suedi, ka dhënë disa shpjegime të mundshme. Njëra është se zyrtarët gra, vetë nga natyra priren të kenë më pak mundësi për të marrë ryshfet ose për të krijuar marrëdhënie të pahijshme. Korrupsioni lulëzon brenda "klubeve të djemve të vjetër". Mund të ndodhë që këto grupe, zakonisht të dominuara nga burrat, priren të besojnë dhe të mbajnë rreth vetes njerëz që duken si ata. Rrjete të tilla duan gjithashtu të rekrutojnë njerëz (përsëri, zakonisht burra) që kanë akses në burime, të cilat mund të përdoren për gjëra të tilla siç është edhe blerja e votave.

Dëshmitë nga Argjentina zbuluan gjithashtu se ligjvënësit gra kishin më pak gjasa se burrat për të qenë pjesë e partive të mëdha politike që janë më të lidhura me korrupsionin. Dhe në Meksikë, shumë gra në politikë e fillojnë karrierën e tyre në OJQ, në vend që të punojnë në një rrjet të korruptuar, kështu që ato kanë më pak gjasa të përfshihen në korrupsion në një fazë të mëvonshme të jetës.

Një shpjegim tjetër i besueshëm është se politikanet gra e shmangin korrupsionin, sepse ndëshkohen më ashpër për të. Shumë votues presin që gratë të përputhen me stereotipet se janë më të ndershme dhe më të dhembshur se burrat. Kur nuk janë, e paguajnë shtrenjtë. I tillë ishte rasti në Malavi në vitin 2014, sipas hulumtimit të botuar në revistën Forumi Ndërkombëtar të Studimeve të Grave. Duke përdorur të dhënat e sondazhit dhe fokus grupet, studimi zbuloi se Joyce Banda, presidentja e Malavisë në atë kohë, ka paguar një çmim më të lartë në sondazhe për një skandal korrupsioni sesa paraardhësit e saj meshkuj për shkelje të ngjashme.

Megjithatë në 50 vitet e fundit gratë janë përfshirë më shumë në krime. Kjo është pjesërisht për shkak se përparimi teknologjik dhe social u ka lejuar atyre të kalojnë më shumë kohë për të punuar jashtë shtëpisë.

Diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe me korrupsionin. Ndërsa gradat e zyrtareve gra rriten dhe ato e gjejnë veten në pozita të barabarta me burrat, stereotipet dhe shqyrtimi i bazuar në gjini mund të dobësohet. Kush e di, ndoshta edhe gratë mund të krijojnë "klubin e vajzave të vjetra".