Sociale

Pabarazia! A është gjithmonë e padrejtë?

Pabarazia! A është gjithmonë e padrejtë?

Parimi i barazisë i paraprin idesë së shtetit dhe përbën një nga shkaqet se përse shteti operon. “Barazia e të gjithë njerëzve” është një nga postulatet që mund të gjendet më shpesh në kushtetutat e shteteve demokratike, por megjithatë është evidente se në shumë aspekte duke filluar nga gjendja ekonomike, statusi social dhe tiparet fizike nuk jemi të barabartë.

Me qindra libra i janë dedikuar pikërisht kësaj pabarazie dhe nevojës për ta adresuar atë, për të arritur idealin e barazisë së plotë. Të gjitha këto ide dhe libra nisin argumentat e tyre nga presupozimi se pabarazia përbën domodoshmërisht një padrejtësi. Presidenti Joe Biden dhe politikanë të tjerë, kryesisht të së majtës politike, por jo vetëm, shprehen se adresimi i pabarazive është një nga objektivat primare të qeverisjes së tyre. Shumë politika dhe ligje justifikohen si të domosdoshme për reduktimin e pabarazive. Megjithatë, vlen të mendojmë pak më thellë se çfarë është një pabarazi. Natyrisht, një njeri i zakonshëm nuk është i barabartë me James LeBron në ushtrimin e sportit të basketbollit, ndërkohë që vetë LeBron nuk është i barabartë në aftësinë e aktrimit me Leonardo Di Caprio.

Qëllimi i këtij argumenti është të demonstrojë sesi shpeshherë pabarazia është e justifikuar, ndonëse mund të jetë e trishtë që ekzistojnë diferenca kaq madhore mes njerëzve. Filozofi Robert Nozick në librin e tij “Anarkia, Shteti dhe Utopia” analizon sesi kodi ynë genetik dhe preferencat në jetë krijojnë një pafundësi pabarazish nga një individ tek tjetri dhe se diskursi për to nuk duhet kanalizuar në luftimin e tyre, por në “drejtësinë” e tyre.

Në rast se njeriu më i shpejtë në botë Usain Bolt është shumë herë më i pasur sesa një mjek që shpëton jetë njerëzish, mund të duket e padrejtë, por nuk është e tillë përsa kohë Bolt pasurohet nga dëshira e miliona njerëzve për ta parë dhe për të paguar që të shijojnë talentin e tij. Ajo çka duhet të përbëjë prioritet është që të pamundësohet pasurimi në forma abuzive dhe imorale. Në rast se një pushtetar, apo sipërmarrës abuzon me publikun për t’u pasuruar duhet të kërkojmë drejtësi jo në emër të barazisë, por të imoralitetit që solli kushtet e pabarazisë. Në rast se ka më pak gra në pozicione të larta administrative, zgjidhja nuk është të vendosim gra në ato pozicione, pavarësisht aftësive dhe kualifikimeve, por të sigurohemi se procesi i rekrutimit zhvillohet në kushte neutraliteti dhe meritokracie. Në rast se këto kushte plotësohen, konfigurimi i mëpasshëm është i drejtë, ndonëse mund të jetë i pabarabartë.

Nozick na fton të largojmë vëmendjen nga rezultatet dhe të fokusohemi tek origjina e asaj që e konsiderojmë të padrejtë. Në rast se pabarazia është prodhuar natyrshëm dhe pa imoralitet, atëherë është e drejtë, na pëlqen ose jo.

Përshtatur nga “The Discourse Magazine”/ tiranapost.al