Sociale

Nga Janari 2024 punësimi i personave me aftësi ndryshe do jetë i detyrueshëm

Nga Janari 2024 punësimi i personave me aftësi ndryshe do jetë i

Të gjitha institucionet publike, apo private që kanë një numër të lartë të punësuarish, së shpejti do ta kenë detyrim punësimin e personave me aftësi ndryshe.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimi, e cila bëri të ditur këtë vendim të ri të Qeverisë, deklaroi se nga janari i vitit të ardhshëm çdo biznes, apo institucion shtetëror do të duhet të deklarojë personat me aftësi ndryshe që kanë të punësuar, ose në të kundërt të paguajnë një pagë minimale dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore që përkojnë me këtë detyrim.

“Të gjithë bizneset me numër të lartë të punësuarish duhet me detyrim të punësojnë persona me aftësi ndryshe. Kjo nuk kufizohet vetëm te bizneset, bëhet fjalë për të gjithë punëdhënësit që kanë numër të lartë të punësuarish. Nëpërmjet ndryshimit që parashikuam në ligjin për nxitjen e punësimit ne do t’i japim dhe një procedurë se si do veprohet për deklarimin e punonjësve që do jetë aktive nga janari 2024. Qoftë entet publike dhe ato private duhet të punësojnë persona me aftësi ndryshe ose të paguajnë vlerën e barabartë me pagën minimale dhe kontributet përkatëse për çdo person që nuk merr në punë me aftësi ndryshe,” u shpreh Ibrahimi.