Ka disa figura që me të vërtet nuk di ç`ti quash më parë: Murgeshë, bamirëse, fituese e Nobelit për Paqen, Shenjtore. Nënë Tereza i ka të gjitha. Nuk themi për të i kishte, se shenjtorët nuk vdesin, janë të përjetshëm.
Sot është Dita e Shenjtërimit të saj.
Ajo është e gjithë botës. Këtë nuk mund ta mohojmë, po siç vetë ajo tha njëherë: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”, e dha vetë përgjigjen; më shumë është e jona, se s`ka si atdheu. Ndaj edhe nëse është dikush që na e ngre kokën lart, kudo që këmba të na shkelë nëpër botë është pikërisht Nënë Tereza. Bamirësja që drejtonte institucionet që vetë kishte ngritur, por edhe që po vetë i pastronte.
Goxhe Bojaxhiu lindi në Shkup të Shqipërisë të pushtuar prej Perandorisë Osmane, sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Por edhe pas 108 vitesh, ajo vazhdon të mbetet një nga personalitetet më të njohura shqiptare në gjithë botën dhe si ambasadorja më e mirë që ndonjëherë ka pasur populli shqiptar.
Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare.