Sociale

I dashuri im është biseksual dhe kam frikë se do më lerë për një mashkull! Ja si përgjigjet terapistja

I dashuri im është biseksual dhe kam frikë se do më

Letër e dërguar në redaksinë e “The Atlantic”

E dashur terapiste,

I dashuri im me të cilin kam 1 vit e lidhur thotë se është biseksual. E dija këtë gjë prej fillimit, sepse ne u takuam nëpërmjet një aplikacioni për takime dhe ky fakt ishte i shkruar në bio-n e tij. Megjithatë, ajo që më shqetëson është ideja se mos ndoshta po më përdor për të parë nëse ai është realisht homoseksual, ose se mos rri me mua vetëm për të qenë në një marrëdhënie heteroseksuale që të mund t’i marrë benefitet (fëmijë, pranim në shoqëri etj.).

Jam e shqetësuar sepse ai nuk ka pasur eskperienca me meshkuj dhe fakti që ai është me mua do të thotë se nuk do të ketë një të tillë (veçse nëse më tradhton) dhe sepse ai vjen nga një familje shumë fetare që nuk e pranon kurrsesi homoseksualizmin e tij. Njëherë në fillim të lidhjes e pyeta nëse është lidhur me mua vetëm për hir të familjes së vet me të cilët ai është shumë i lidhur dhe m’u përgjigj “pothuajse”, por shtoi se i dukem tërheqëse.

Kam frikë se mund të kalojmë vite bashkë, ndoshta të martohemi, të bëjmë dhe fëmijë dhe më pas të vendosë se është gay. Ose trans dhe të bëjë operacion për ndërrim gjinie. Ose të dyja... ai disa herë sillet në mënyrë femërore dhe vishet me rroba shumëngjyrëshe. Nuk kam asnjë problem me faktin se identifikohet si biseksual dhe as të jem në lidhje me një të tillë, por kam një dyshim të fortë se po më përdor derisa t’i vdesin prindërit ose të vendosë të deklarohet hapur si gay.

A duhet të qëndroj me të dhe të mendoj për një të ardhme duke ditur shumë mirë që një ditë mund të më thote se është gay dhe se do të më lerë për një mashkull. A duhet të investohem në një marrëdhënie të tillë?

Anonim nga Çikago

Përgjigja e terapistes të “The Atlantic”:

E dashur anonime,

Ti ke shumë pyetje në lidhje me seksualitetin e të dashurit tënd dhe të ndihesh e pasigurt në këto kushte është normale. Në një marrëdhënie intime njerëzit duan të ndihen të sigurt në lidhje me atë çka mund të presin nga personi që kanë në krah. Ja përse pasigura sjell fundin e shumë marrëdhënieve.

Ajo çka më prek më shumë nga letra jote është sasia e energjisë emocionale që ti i dedikon hamendimeve në lidhje me mendimet e të dashurit tënd. Sa më tepër të spekulosh në mendjen tënde aq më shumë skenare të frikshëm do të krijosh. Dhe teksa ti je duhet u shqetësuar për sekretet që ai mund të ketë, ti vetë je duke i mbajtur atij sekrete.

Në një marrëdhënie të fortë e cila do të ketë sukses, njerëzit duhet të diskutojnë ndjenjat e tyre edhe për çështjet delikate. Është e vërtetë se papërputhshmëria seksuale mund të sjellë fundin e marrëdhënies suaj, por edhe kjo që po bën është po aq e rrezikshme. Ti kërkon sinqeritet, por dhe ti duhet t’i ofrosh sinqeritet atij.

Mesa duket ju nuk keni bërë diskutim të thellë në lidhje me seksualitetin e tij. Tani është koha më e mirë për të nisur këtë diskutim. Për të pasur sukses duhet që diskutimi të jetë pa paragjykime, pa ofendime dhe pa emocione të shumta. Filloje bisedën me shprehjet: “jam kurioze... të lutem më shpjego, dua të kuptoj” etj. dhe do shohësh që gjithçka do të shkojë më mirë dhe do të kuptoheni më së miri. Do të pendohesh përse nuk e kishe bërë bisedën që më parë.

Përshtatur nga The Atlantic/ tiranapost.al