Sociale

Çfarë mund ta qetësojë botën tonë dhe kërcënimi më i madh!

Çfarë mund ta qetësojë botën tonë dhe

Yuval Noah Harari, autor i disa prej librave më me ndikim të dekadës së kaluar, sjell vëmendjen tek disa nga kërcënimet më të pashmangshme dhe më ngutëset me të cilat përballet njerëzimi. Ai gjithashtu hedh dritë mbi efektet qetësuese që mund të ketë në jetën tonë të përditshme shkëputja përmes meditimit. Çfarë mendon Yuval Noah Harari për sfidën më të madhe me të cilën përballet bota? Lexo intervistën e plotë të zbardhur në Podcast nga Tiranapost.al.

-Cila mendoni se është sfida e madhe për botën sot?

Harari: Do thoja që sfida më e madhe është teknologjia përçarëse, kjo sepse është edhe më e ndërlikuara. Nëse mendoni për luftën bërthamore, ose ndryshimin e klimës, padyshim që për këto sfida të paktën është e qartë se çfarë roli ka Inteligjenca Artificiale. Qëllimi është parandalimi i tyre. Askush nuk e dëshiron luftën bërthamore dhe askush nuk e dëshiron ndryshimin e klimës, madje edhe njerëzit që mohojnë ndryshimin e klimës, në fakt nuk thonë se ndryshimi i klimës është i mirë, ata thjesht thonë se nuk ka rëndësi. Pra, në këto dy sfida qëllimi është i qartë: Përçarje teknologjike, veçanërisht një përçarje që mund të shkaktohet nga AI. Por problemi është shumë më i komplikuar sepse qëllimi në vetvete nuk është i qartë dhe ëndrrat, fantazitë e disa njerëzve, janë makthe të njerëzve të tjerë.

-Pra nuk e shohim në të njëjtën mënyrë? Ne as nuk e kuptojmë si duhet...

Harari: Ne nuk kemi një lloj qartësie, apo një vizion që na tregon se ku duhet të shkojmë. Dhe gjëja tjetër është se kemi të bëjmë me një sfidë, jo vetëm për mbijetesën tonë fizike, por është një sfidë për vetë kuptimin e njerëzimit. Dhe më shumë sesa një luftë bërthamore ajo mund të shkatërrojë fizikisht një njeri, por nuk përbën një sfidë për atë që do të thotë të jesh njeri! Nga ana tjetër, nëse mendoni për Inteligjencën Artificiale, çfarë ndodh kur ekziston një sistem që më kupton më mirë sesa e kuptoj unë veten time? Mund të parashikojë dhe manipulojë plotësisht veprimet e mia. Çfarë u bën ideve si vullneti i lirë, autonomia njerëzore? Kjo është një sfidë krejt tjetër, dhe e njëjta gjë është bioinxhinieria pasi mund të fillohen njerëzit, të rigjenerohen, shumë pyetje do të lindnin për atë që do të thotë të jesh njeri, çfarë do të thotë nëse ne fillojmë të ndryshojmë, të ri-dizajnojmë qeniet njerëzore, çfarë duhet të ruajmë? Dhe çfarë mund të hedhim poshtë? Në një nga sfidat më të rrezikshme dhe më të mëdha është se për shembull, nëse i jepni një ‘Corporate mission’ teknologjinë për të përshtatur njerëzit, ata ka të ngjarë të përshtasin ato aftësi njerëzore ose cilësi që u nevojiten, gjëra të tilla si inteligjenca, apo ndoshta disiplinën.

-Shpejtësinë...

Harari: Dhe duke shpërfillur gjëra të tjera si dhembshuria. Pra, në përpjekje për të azhurnuar njerëzit, rezultati përfundimtar mund të jetë krijimi i një modeli me njësi më të cekëta sesa ato që kemi ne.

-Tani që po thoni këtë, gjëja tjetër pak e frikshme është se në sfidat që kemi diskutuar më parë, ne dukemi se jemi të organizuar për to, kush po mendon për t’i blerë?

Harari: Shumë njerëz tani janë duke menduar për të, ajo fillon të arrijë tek publiku i gjerë përmes politikanëve, por ka ende kaq shumë konfuzion rreth saj. Kur njerëzit nuk e kuptojnë domosdoshmërisht se çfarë janë të rrezikshme ata mashtrohen, për shembull me trillime shkencore, duke menduar se rreziku është se robotët do të rebelohen kundër nesh, dhe se po përpiqen të na shfarosin. Kjo është krejtësisht joreale, ne nuk duhet ta harxhojmë kohë me këto. Përkundrazi ne duhet të mendojmë më shumë, për çështje të tilla se si një robot, kompjutera dhe algoritme po marrin gjithnjë e më shumë punën e njeriut, kjo çon pastaj në krijimin e një klase të re masive të padobishme, njerëz që nuk kanë asnjë rol në ekonomi, si rrjedhojë edhe asnjë fuqi politike, kjo është një sfidë shumë më serioze dhe gjëja tjetër është që nëse mendoni përsëri për luftë bërthamore apo bombë atomike, këto janë gjëra që nuk mund t'i përdorni për ndonjë gjë tjetër përveç shkatërrimit! Shkatërrimi i qyteteve të tëra dhe shteteve, që mund të përdoren vetëm në skenarët e tyre.

Një nga problemet me inteligjencën artificiale është se ajo ka 1 milion përdorime të ndryshme, shumë prej të cilave janë pozitive dhe nuk mund ta mohojmë që kanë një benefit të madh për teknologjinë. Por, p.sh. nuk ekziston tundimi që të përdorim armë nukleare ngado, ndërkohë që ekziston tundimi për gjithçka në inteligjencën artificiale. Themi le ta përdorim atë për të luftuar pandeminë e COVID-it, le ta përdorim për të reduktuar ndotjen, le ta përdorim për të na dhënë kujdes shëndetësor dhe nëse mund të përdorim inteligjencën artificiale në kaq shumë fusha, fillon dhe krijohet një efekt i pakontrolluar dhe teknologjia shkon në vende të rrezikshme pa e menduar fare. Dhe ne e dimë se industritë private dhe sipërmarrësit që zhvillojnë këto teknologji, fokusohen vetëm tek aspektet pozitive që përdorimi i tyre mund të ketë dhe cili është potenciali pozitiv. Nëse do të rekrutosh njerëz për projektin tënd, ose të bindësh investitorët që të të japin para, atëherë natyrisht që do të fokusohesh në skenarët më optimiste të mundshme dhe ato vërtet janë të arritshme. Nuk janë fantazi, ka skenarë shumë pozitivë që mund të krijohen nga përdorimi i teknologjisë. Por, më pas u takon historianëve, filozofëve dhe njerëz si unë që të venë në dukje atë çka është e rrezikshme. Dhe kjo bisedë është shumë e komplikuar. Ne mund të diskutojmë armët nukleare dhe të gjithë mund të biem dakord që ne nuk e duam një luftë bërthamore.

-A ka një mundësi që të krijohen forume ku njerëzit të diskutojnë të gjitha argumentet nga të dy anët e debatit dhe më pas të kemi një bashkëbisedim serioz, sesi mund të organizohemi, si mund të biem dakord? Nuk është se ka ekzaktësisht njerëz që mund të quhen liderë të këtij revolucioni teknologjik.

Harari: Nuk e mendoj, kam takuar shumë njerëz që janë në drejtim të këtij revolucioni teknologjik... dhe asnjëri prej tyre nuk thotë se është djallëzor ose djallëzore.

-Ky është Hollywood-i.

Harari: Ky është Hollywood-i dhe është pjesë e problemit. Ne e dimë se rruga drejt ferrit është e shtruar me qëllime të mira dhe ka shumë qëllime të mira kudo rreth nesh, por ajo që i bën ato të jenë problematike është se nevojitet konsensus mes shteteve të ndryshme dhe rajoneve të ndryshëm të botës në mënyrë që të arrijnë diçka domethënëse. P.sh. armët autonome, siç njihen në gjuhën popullore “robotët” vrasës, është e lehtë që të konkludojmë që të gjithë se janë një teknologji e rrezikshme dhe nuk duhet të prodhojmë makineri që mund të vendosin të vrasin njerëz me iniciativën e tyre. Dukshëm, kemi hyrë në një territor të rrezikshëm që duhet vendosur nën një regulacion të kujdesshëm dhe duhet të kemi një marrëveshje të përbashkët për të ndaluar zhvillimin e saj. Por, që ta bëjmë këtë në mënyrë efektive është e dukshme se të paktën aktorët e rëndësishëm duhet të bien dakord. N.q.s. qoftë edhe vetëm, një vend i vendos vetes limite për prodhimin e armëve autonome, por Rusia ose Izraeli, ose Irani ose Kina nuk bëjnë të njëjtën gjë, atëherë shumë shpejt amerikanët do të duhet që të rikthehen në prodhimin e tyre sepse do thonë “ne nuk jemi të çmendur, po e shikojmë se çfarë bëjnë vendet e tjera dhe nëse ne mbetemi prapa në këtë fushë ky do të jetë fundi ynë”. Çdo shtet do të veprojë në të njëjtën mënyrë dhe do të justifikohet duke thënë se “ne jemi të mirët, nuk duam ta zhvillojmë këtë teknologji, por nuk mund t’u zemë besë të tjerëve që nuk do e bëjnë, kështu që na duhet ne ta zhvillojmë të parët.” Ndonëse në kushte të tjera mund të mbledhësh shumë shtete të bashkëpunojnë dhe të kenë besim tek njëri-tjetri, nuk është se mund të bësh shumë kur je në mes të një gare të Inteligjencës Artificiale dhe jo thjesht në fushën e armatimeve. Dhe ne tani e dimë se aseti më i rëndësishëm në botë sot nuk është toka, nuk është as nafta, por janë të dhënat dhe Lufta e re e Ftohtë që po lind mes SHBA-ve dhe Kinës se cila nga të dy fuqitë do të kontrollojë rrjedhjen e informacionit në botë dhe cila do të bëjë më shumë avancime përsa i përket infrastrukturës teknologjike duke filluar nga 5G-ja, dhe deri tek aplikacionet si TikTok dhe Facebook që mbledhin shumë të dhëna në botë. Ne po shohim ngritjen e një imperializmi apo kolonializmi të ri. Ne e dimë se Amerika Latine ka një sens shumë të fortë historik të teorisë së imperializmit dhe kolonializmit, por në shekullin XXI ekziston një lloj i ri i këtyre fenomeneve që nuk ka të bëjë me një shtet që dërgon tanke në një shtet tjetër, por me marrjen e të dhënave (data) nga shteti tjetër. Nëse ke këtë lloj fuqie mbi njerëzit, ti i njeh ata më mirë nga sa ata vetë e njohin veten. Çdo gjë që kanë bërë 20-30 vite më parë p.sh. në New Mexico dhe që ndoshta sot edhe e kanë harruar. Çdo aventurë seksuale, çdo sëmundje që kanë kaluar, çdo preferencë që kanë, ti e di më mirë sesa ata vetë. Kjo lloj fuqie nuk ka ekzistuar më parë në botë, dhe nuk është shkatërrimtare menjëherë si një bombë atomike, por është shumë më tepër e përdorshme se një armë bërthamore. Në rast se ke të gjitha të dhënat mbi presidentin e një shteti, ose gjykatësin mund t’i përdorësh çdo ditë për të parashikuar veprimet e tij dhe për ta manipuluar. Dhe tashmë ne po hyjmë në një tjetër luftë të ftohtë. Dhe këtë radhë nuk ka aq shumë ndërgjegjësim dhe vetëdije mes publikut dhe politikanëve se kjo po ndodh dhe duhet vënë nën kontroll dhe të parandalohet.

-Unë do propozoja që ti të krijoje formën e parë të Inteligjencës Artificiale (IA) të vyrtytshme dhe ne të fillojmë këtë në një mënyrë më të organizuar dhe mezi pres të ndodhë kjo. Por, përpara se të kalojmë të një pyetje tjetër, do të doja të shkoja tek Ines që ndoshta do të shkojë në një nga dy sfidat e tjera që supozohet se jemi më të organizuar për t’i përballuar.

-Ines: Pyetja ime ka të bëjë me ndryshimet klimatike. Siç e dini plani ndërqeveritar për ndryshimet klimatike deklaron me bindje se limitimi i ngrohjes globale me 1.5 gradë celcius do të kërkonte ndryshime të shpejta dhe gjithëpërfshirëse në shumë aspekte të shoqërisë sonë. Nga perspektiva juaj, perspektiva e një historiani që ka refletkuar mbi natyrën, mentalitetin dhe aktivitetin e “homo-sapiensave” përgjatë historisë, çfarë do thotë togfjalëshi “ndryshime të paprecedenta” për ju? A ka mësime nga historia në lidhje me sesi të krijojmë ndryshime të paprecedenta? A mund të përballet me këtë sfidë “homo-sapiensi”?

Harari: Kjo është një pyetje shumë e mirë dhe shumë e madhe. Ka disa mësime pozitive dhe disa negative që mund të marrim nga historia. Nga njëra anë, ne dimë se kur përballemi me sfida të jashtëzakonshme, njerëzit mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme, gjëra që nuk do të mund as t’i imagjinonin pak kohë më parë dhe kriza aktuale e COVID është shembulli perfekt që brenda një kohe shumë të shkurtër, shtete të tëra kaluan në “lockdown” për shkak të përhapjes të virusit. Dhe më parë do të mund të kishe menduar se praktikisht një gjë e tillë është e pamundur, se nuk do të ndodhë ose do të duhej shumë kohë. Por, jo! Sapo u kuptua se çfarë lloj sfide kemi përballë nesh shumë shtete, me lloje të ndryshme regjimesh, shtete autokratike, shtete demokratike, vendet e zhvilluara, vendet në zhvillim, për pak kohë arritën të ndalojnë gjithçka. Dhe në një mënyrë të ngjashme kur shohim prapa në histori në kohë si Luftërat Botërore, dhe përsëri vemë re se kur përballemi me një krizë ekzistenciale, këtë herë nga njerëz të tjerë dhe jo nga një virus, brenda një kohe shumë të shkurtër, shtete të tëra mobilizuan të gjitha resurset e tyre, popullin e tyre për t’u përballur me sfidën. Problemi është që në këto dy raste, Luftë Botërore dhe Pandemia e re, sfida ishte e menjëhershme dhe e dukshme, nuk ishte e zgjatur në kohë nëpër dekada dhe nuk ishte diçka shumë abstrakte, si ndryshimi klimatik. Është, ja ku janë këta njerëz që duan të na vrasin, ose ky virus do të na vrasë. Me ndryshimet klimatike, nuk kemi këtë armik kaq të qartë dhe të menjëhershëm dhe për pasojë është më e vështirë që të mobilizosh njerëzit dhe tendenca është gjithmonë që të shtyhet... “epo kemi dhe nja dy dekada, kështu që pse ta bëjmë tani?” siç është rasti me një dietë. Do e fillojmë më vonë, kemi ende kohë... Ekziston gjithmonë ky tundim, ose themi dikush tjetër duhet ta bëjë. “Ne kemi shumë probleme, amerikanët janë më të pasur se ne, le ta bëjnë ata.” Dhe amerikanët thonë “O jo, ne kemi kaq shumë probleme, le ta bëjnë europianët” dhe kështu e shtyjnë tek dikush tjetër. Ndoshta gjëja më shqetësuese që mund të mësojmë nga historia, është se njerëzit kanë një tendencë për të mos bërë gjënë e duhur menjëherë. Ata kanë një “kurbë mësimi”. Shumë shpesh ata nuk bëjnë asgjë, ose bëjnë gjënë e gabuar dhe vetëm në mënyrë graduale e kuptojnë se nuk po funksionon, kështu që duhet të provojnë diçka tjetër. Dhe ne ketë e pamë në shekullin XX, në mënyrën sesi duhet të menaxhoheshin teknologjitë e reja industriale që u krijuar në shekullin XIX dhe kishim disa shembuj të tmerrshëm në lidhje me sesi duhet të krijohet një shoqëri industriale. Eksperimentat sovjetikë, nazistë... eventualisht e bëmë thuajse siç duhet. Situata në dekadat e fundit është shumë, shumë më mirë. Por, situata në shekullin XXI është se ne nuk kemi vend për të bërë gabime. Nëse nuk e bëjmë si duhet, mund të mos kemi tjetër shans.

-Po, kjo është e frikshme. Mendoj se kemi kohë edhe për një pyetje të fundit dhe dua të shkoj në një çështje, nëse mundem, pak më personale. Kuptoj se ti sapo je kthyer nga meditimi tënd 2-mujor që e bën çdo vit. Them “wow” sepse unë tentoj të meditoj 20 minuta në ditë dhe për mua është sfidë, kështu që të admiroj ty që arrin ta bësh këtë, por pastaj kthehesh në këtë botë, në pandemi dhe duhet të jetë shokuese. Ajo që dua të të pyes është si të ndenjurit dy muaj thjesht duke reflektuar dhe duke vizituar vende ndryshon aftësinë për të krijuar një lidhje me kompleksitetin dhe çmendurinë, a ndryshon... dhe veçanërisht ti që je historian dhe në mënyrë të vazhdueshme sheh prapa. Si ndryshon perspektivën tënde e kthyera dhe a mund të mësojmë si individë që ta bëjmë këtë gjë pak më shumë dhe a do të ndryshonte mënyrën sesi ne si sapiensa i përqasemi jetës dhe potencialit tonë?

Harari: Jo, kjo kohë meditimi, e të parit brenda teje, krijon më shumë balancë dhe veçanërisht, na lejon të krijosh një distancë mes teje dhe mendimeve dhe opinioneve të tua. Që të mos përfshihesh aq shumë në mendimet dhe opinionet e tua sa të harrosh botën. I ndodh kujtdo prej nesh. Njerëzit janë kafshë që tregojnë histori, janë mendje që janë si një fabrikë krijimi historish. Secili prej nesh e ka një histori të cilën ne e ruajmë me shumë ngulm dhe esencialisht, ne nuk shohim botën, shohim vetëm historinë që kemi gjeneruar. Dhe në kohë si e COVID-it, kjo shkon në ekstrem dhe e di që ka shumë diskutime për distanca sociale dhe thyerjen e zinxhirit të infektimit, por nga pikëpamja mendore ne gjithashtu kemi nevojë të thyejmë zinxhirin e mendimeve “infektive”. Mendimet janë gjithashtu, infektive. Ne infektojmë të tjerët me mendimet tona dhe gjithashtu në mënyrë konstante infektojmë veten tonë. Ne mendojmë diçka dhe e përsërisim, sërish dhe sërish dhe bëhemi krejtësisht të bindur për atë mendim. Dhe është një gjë shumë e mirë që të marrim një pushim herë pas here dhe të “detoksifikojmë” trurin dhe të thyjmë zinxhirin e mendimeve infektive. Kjo të lejon deri në njëfarë mase të jesh i freskët. E di se jo të gjithë munden thjesht të shkojnë të meditojnë për dy muaj. Por, edhe brenda një jave apo brenda një ditë, të marrësh një ditë apo një orë pushim... dhe kjo ndërlidhja... ne tashmë jemi të ndërlidhur në internet, me gjithë këto teknologjitë e reja dhe kjo është një gjë e mirë. Pa këto teknologji komunikimi çfarë do të mund të bënim në këtë kohë pandemie, ka qenë jashtëzakonisht ndihmuese. Por, është gjithashtu mirë që të shkëputemi krejtësisht herë pas here. Qoftë edhe për një orë, ose një ditë. Jo telefona, jo e-maile, jo Facebook, jo asgjë. Kjo nuk është e lehtë, sepse edhe krijon varësi ndaj rrjedhës së përhershme të të dhënave dhe informacionit.

Dhe krijon këtë frikën se mos je duke humbur ndonjë gjë me rëndësi.

Harari: Mendoj se do të shndërrohej në një benefit për diskursin publik, nëse njerëzit do të heshtnin për pak. Të gjithë ta marrin si projekt personal që për pak kohë të jemi të heshtur. Jo thjesht të mos flasim, por gjithashtu të mos dëgjojmë dhe lexojmë, vetëm për pak. Mendoj se kjo mund të na shpjerë larg.

-Unë do e praktikoj këtë, do të hesht tani, sepse duhet të ikim. Ishte fantastike të të kishim. Faleminderit dhe Ines që more pjesë. Ne po e risjellim “podcast-in” tonë me këtë episod dhe për këtë shkak jam shumë mirënjohës. Harari, je në Izrael tani?

Harari: Po, jam në Tel Aviv.

Përshtatur nga tiranapost.al/ Nuk lejohet riprodhimi pa lejën e editorit!