Sociale

Elementët e së vërtetës! Ja 5 kriteret që na lejojnë të kuptojmë nëse informacioni që marrim është i besueshëm

Elementët e së vërtetës! Ja 5 kriteret që na

Jetojmë në një kohë ku gënjeshtra ka udhëtuar në gjysmën e botës, teksa e vërteta nuk është ngritur ende nga krevati. Duke filluar nga ata gjysëm të edukuar që e shesin veten eskpert për çdo gjë, tek shpërndarësit e misinformacioneve politike dhe propagandës kundër kundështarëve partiakë dhe tek paniku që shkakton një krizë, fushatat e dezinformimit gjenden kudo rreth nesh dhe është thuajse e pamundur t’iu shmangesh. Por, megjithëse nuk mund t’u shmangemi padyshim që mund të filtrojmë informacionin që marrim në “sitën” e së vërtetës.

Ndonëse nuk ka një metodë universale e cila mund të përdoret për çdo rast, Shoqëria Mbretërore Britanike ka një moto shumë të mirë që ndihmon për filtrimin e shumicës prej informacioneve që marrim “Nullius in verba” (Mos merr fjalën e askujtit për të mirëqenë). Edhe eskpertët – siç mund të kemi parë gjatë pandemisë – nuk janë gjithmonë të besueshëm dhe historikisht e dimë se edhe figurat më të mirënjohura të komunitetit shkencor e kanë pasur gabim për diçka apo një gjë tjetër. Aq më pak mund t’u besojmë njerëzve të painformuar. Idealja është që përpara se të mbajmë një qëndrim apo besim të fortë, është e domosdoshme që të njohim dhe të interpretojmë faktet në mënyrë të pavarur. Askush më shumë se vetë ju nuk mund të njohë të vërtetën tuaj.

Ja 5 pyetjet që duhet të pyesim kur jemi duke u informuar:

1. A ka besueshmëri kanali mes të cilit po më komunikohet informacioni?

A ke lexuar diçka në një libër shkencor të shkruar nga ekspertë të cilët i kanë dedikuar jetën një disipline të caktuar, nga një person që ka integritet të lartë dhe që e njihni personalisht, apo nga një llogari e rreme në Facebook? Cilësia e informacionit, ndonëse nuk varet plotësisht nga dërguesi i saj, shpeshherë është tejet i rëndësishëm.

2. A është burimi i informacioni i pavarur?

Kush sponsorizon dhe çfarë interesasha ka burimi i informacionit tuaj? Është media shtetërore apo private, kryesohet nga njerëz që kanë kredibilitet apo ndjekin një axhendë të caktuar? Këto janë informacione të domosdoshme që u duhen për të filtruar nëse ajo që lexoni është e vërtetë apo jo.

3. Cili është qëllimi i komunikimit?

A kërkon burimi t’u informojë, apo t’iu bindë? Çfarë emocioni kërkon të evokohet nga lajmi që merrni.. gëzim, urrejtje, revoltë, konfuzion? Është shumë e rëndësishme t’i paraprini tentativës së informuesit për t’iu përdorur.

4. A është informacioni i plotë?

Jeni të bindur se ua thanë ngjarjen deri në fund dhe se nuk është lënë asnjë detaj i rëndësishëm jashtë narrativës së lajmit? Në rast se mendoni se nuk e njihni ngjarjen ose fenomenin deri në fund, rezervoni gjykimin.

5. A mund të riverifikohet informacioni?

Një eksperiment që nuk mund të ripërsëritet dhe të japë të njëjtat rezultate nuk mund të pranohet si i suksesshëm. Po ashtu dhe një informacion për të cilin nuk kemi asnjë mundësi për ta verifikuar përbën një mashtrim të mundshëm dhe duhet të jemi të kujdesshëm.

Përshtatur nga "Philosophy Now" /Tiranapost.al