Sociale

Duam të jemi heroina, por tërhiqemi prej antiheronjve. Përse?

Duam të jemi heroina, por tërhiqemi prej antiheronjve. Përse?

Njëherë e një kohë kishte heroina, ato të fëmijërisë sonë, të cilave donim t’u ngjanim me çdo kusht. Prej tyre frymëzoheshim në çdo Karnaval dhe Halloween kur nëna na pyeste se si dëshironim të visheshim, dhe është gjithashtu prej tyre që frymëzoheshim kur na pyesnin, se kush do të ishim kur të rriteshim.

Sepse të gjithë dëshironim të ishim heroinat e guximshme dhe të pamposhtura të historive që na tregonin. Por më pas ne u rritëm dhe zbuluam se mirësia dhe vërtetësia e zemrave tona nuk do të ishte antidot i zhgënjimeve, tradhëtive dhe dhimbjeve të shkaktuara nga të gjitha ato marrëdhënie dhe miqësi, që përfunduan keq.

U ndeshëm me ligësinë e njerëzve, me poshtërsinë e kolegëve dhe me egoizmin e shumë, shumë burrave. Kështu që pushuam së dëshiruari të dukeshim si ato heroina që na shoqëruan gjatë gjithë fëmijërisë sonë.

Ndërsa, në fakt, ne kemi ndaluar së ekzaltuari heronjtë, kemi vuajtur magjepsjen e asaj që përcaktohet, si anti-heronjtë tipikë. Të gjithë ata personazhe, morali i të cilëve është i dyshimtë, në mos i dënueshëm, ashtu siç janë edhe veprimet dhe zgjedhjet e tyre.

E megjithatë, duke u rritur, ai profil i dobët psikologjik na magjepsi deri në atë pikë sa filluam të simpatizojmë ata njerëz që nuk janë shumë të virtytshëm. Po shpëtimtarët tanë të përjetshëm, ata që na frymëzuan në fëmijëri, çfarë ndodhi me ta?

Ndoshta kemi ndaluar së besuari në ta sepse ndiheshim më afër me ato personazhe të papërsosur, të njëjtit që bënë gabime dhe dështonin. Pikërisht anti-heronjtë. Mbase sepse edhe ne, ashtu si ata, kemi përjetuar trauma dhe zhgënjime aq të mëdha, sa zemrat tona janë plot dhimbje.

Ashtu si Joker, i cili është një nga horrat, por ka gjenin anti-hero. Ai që ka një të kaluar kaq të tmerrshme dhe e gjen veten duke pikturuar një buzëqeshje në atë fytyrë të shënuar nga trishtimi shumëvjeçar.

Këto janë figura që dalin nga trauma me gjithë vështirësinë e problemit, personazhe që kanë pasur humbje, që janë tradhtuar, të cilët kanë vuajtur deri në krijimin e një sistemi personal të vlerave që është i shtrembëruar dhe i çoroditur, por që është më shumë i kuptueshëm.

Sipas antropologut Lévi-Strauss, asnjë mit, figurë tipike ose legjendare nuk është e rastësishme, por të gjithë ata kanë gjithmonë përfaqësimin e tyre në botën reale. Dhe është në këtë deklaratë që ne mund të shpjegojmë atë lloj ndjeshmërie ndaj anti-heronjve.

Ne jemi tërhequr nga ata sepse identifikohemi me ta, me ata njerëz të palumtur dhe të dëshpëruar që luftojnë kundër një sistemi që ka dështuar dhe që ndoshta, në një farë mënyre, ka ndikuar edhe mbi ne.

*Marrë nga Bota.al