Sociale

Dhuna dhe abuzimi seksual në shkolla vë në lëvizje Ministrinë e Arsimit: do dyfishojmë punonjësit e shërbimit psiko-social

Dhuna dhe abuzimi seksual në shkolla vë në lëvizje

Numri i punonjësve të shërbimit psiko-social është dyfishuar dhe janë bërë trajnime për të siguruar mjedise sa më familjare në shkollë, deklaroi të hënën Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi.

Gjatë një mbledhjeje urgjente me drejtuesit e shërbimit Psiko-Social nga të gjitha bashkitë në vend për të diskutuar dhe analizuar rastet shqetësuese e shfaqura së fundmi, si dhe për të rritur vigjilencën për shmangien e dhunës ndaj fëmijëve dhe nxënësve jo vetëm në shkolla, por edhe në familje, Ministrja e Arsimit kërkoi të mos neglizhohet në asnjë rast dhuna.

Pas rastit të Pogradecit, ku drejtori i një shkolle 9-vjeçare ngacmoi seksualisht 2 nxënëse të mitura, Ministrja Kushi ka kërkuar që konstatimi i rasteve të dhunës të mos neglizhohet në asnjë moment dhe ka theksuar se konstatimi i psikologut të shkollës në raste të tilla është tejet i rëndësishëm për eliminimin e rreziqeve që u kanosen nxënësve.

“Nuk mund të mbyllim sytë në asnjë mënyrë përballë punonjësve, drejtuesve të shkollave apo mësuesve që përbëjnë kërcënim për nxënësit”- është shprehur ministrja, duke kërkuar që çdo mësues dhe çdo psikolog të vëzhgojë këtë fenomen, jo vetëm me syrin e një profesionisteje, por edhe me syrin e një prindi.

“Aktualisht numri i punonjësve të shërbimit psiko-social është dyfishuar, janë bërë trajnime për të siguruar mjedise sa më familjare në shkollë” – është shprehur Znj. Kushi.

Ajo ka kërkuar që kodi i etikës duhet të njihet sa më mirë nga secili prej punonjësve, në mënyrë që të arrihet të analizohet sa më mirë situata që mund të paraqitet në ndonjë shkollë.

Ministrja Kushi ka theksuar se ka pasur raste që psikologët tanë kanë arritur të shmangin ngjarje të rënda, vetëm për shkak të reagimit në kohë, si dhe për shkak të angazhimit të gjerë dhe serioz.

Gjithashtu, Kushi shtoi se për parandalimin e ngjarjeve të dhunës apo abuzimeve ndaj fëmijëve apo nxënësve, duhet që në bashkëpunim të ngushtë më prindërit, të bëhet ndërgjegjësimi dhe nxitja e nxënësve që të flasin për çdo rrezik të mundshëm.

Tiranapost.al