Sociale

Cila është vlera e vetmisë? Mësimet e Montaigne për të arritur lumturinë e pavarur nga materialet

Cila është vlera e vetmisë? Mësimet e Montaigne për

Të gjithë e kemi në jetën tonë një njeri (në mos qofshim vetë ai person) që është gjatë gjithë kohës i palumtur. Që ankohet sapo diçka nuk është në vendin e vet dhe ankohet gjithmonë se e streson apo e sëmur diçka.

Michel Eyquem de Montaigne (1533-92) jetoi një jetë të gjatë dhe të lumtur, të paktën krahasuar me bashkëkohësit e tij të mesjetës së vonë. Të gjitha biografitë e tij dëshmojnë se jetoi një jetë të plotë dhe gjithmonë karakterizohej nga optimizmi. Cili ishte çelësi i lumturisë së tij? Një nga idetë që i shkruajti më shpesh ishte “mos shpenzoni kohën për aktivitete të kota. Nëse e përdor kohën e lirë për gjëra që i gjykon se janë pa vlerë, jeta do të humbasë kuptimin dhe objektivin”.

E gjithë eseja e tij e titulluar “Mbi Vetminë” i dedikohet gjetjes së sekretit të lumturisë. Ideja e esesë është e thjeshtë: Ka disa gjëra që ne mendojmë se do të na sjellin lumturi (p.sh. të martohemi, të krijojmë një familje dhe të kemi një punë të mirë), por nuk duhet kurrsesi ta lidhim veten aq ngushtësisht me ato objektiva sa të lejojmë që lumturia jonë të varet prej tyre. “Duhet të lejojmë një kopsht brenda nesh që na është dedikuar vetëm ne. Duhet të lejojmë që lumturia dhe shpresa të gjenerohen në vetvete dhe të mos jemi peng i faktorëve të jashtëm”- shkruan ai. Për të arritur këtë është e domosdoshme që të njohim edhe izolimin. Me këtë sentiment bashkohet edhe matematicieni francez Blaise Pascal, i cili u shpreh se problemet më të mëdha në botë vijnë nga fakti se njerëzit nuk qendrojnë në dhomën e tyre të heshtur duke reflektuar për jetën. Një jetë e pamenduar dhe një jetë pa njohur vetminë domosdoshmërisht na drejton drejt palumturisë dhe varësisë nga “tekat” e saj.

Natyrisht, Montaigne nuk mbron idenë se ne duhet të izolohemi dhe as të largohemi prej njerëzve tanë të dashur, por gjithmonë është e vlefshme të ndalemi sadopak dhe të reflektojmë mbi natyrën e qenies sonë dhe të çmojmë atë që na jep identitet dhe na diferencon nga e zakonshmja. Dhe ndoshta do të marrim një sadisfaksion të brendshëm që rikuperon vakuumet që krijon përditshmëria.

Përshtatur nga AEON/ tiranapost.al