Sociale

Bullizmin e fillojnë, e ushqejnë dhe e mbajnë gjallë të rriturit!

Bullizmin e fillojnë, e ushqejnë dhe e mbajnë gjallë të

Një nga temat më aktuale dhe shqetësuese të viteve të fundit është bullizmi. Zakonisht është komentuar dhe trajtuar si një fenomen që ndodh mes fëmijëve, por jo. Ndodh edhe mes të rriturish dhe nis edhe nga të rriturit drejt fëmijës, fillimisht.

Në një status të gjatë Lira Gjika tregon se cilat janë ato fjali që konsiderohen bullizëm ndaj fëmijëve dhe që të rriturit, familjarë, prindërit apo mësues e edukatorë përdorin në përditshmëri.

“Bullizmin e fillojnë, e ushejnë dhe e mbajnë gjallë të rriturit.

Duke filluar në familje e më pas në shkollë ne të rriturit, gjatë gjithë kohës i themi fëmijës: “fëmijë i mirë, fëmijë i keq”. “Më mërzite se sillesh keq”. “Ti e kishe fajin se je më i madh” Në vend që t`i tregojmë fëmijës se ky veprimi nuk bën, nuk të lejon të jesh i zoti, ne i tregojmë se është i keq apo i pazoti dhe se kush e ka fajin. Të kërkosh ndër fëmijë se kush e ka fajin do të thotë t`i përçash e t`i bësh fëmijët të dyshojnë te vetja dhe tjetri, është t`i bullizosh ata. Prindër, mësues, ju jeni modeli dhe padashur i mësoni fëmijëve sjelljen e dhunës. Për fat e keqja nuk është vetëm kaq. Ju i shpërdoroni dyshimin, dyshimin për veten dhe tjetrin. Dyshimi nuk është thjesht një ndjesi. Dyshimi ka vlerë dhe është një nga tre mekanizmat e njohjes e zhvillimit për fëmijën. Tre janë “levat” që vendosin mendjen në punë: fantazia, imagjinata dhe dyshimi. Dyshimi ka vetinë për të verifikuar gjënë e re që ka mësuar dhe si e ka mësuar dhe si ta përdori. Nuk ka gjë tjetër që e lëviz mendjen e fëmijës. I gjithë informacioni përpunohet e verifikohet nga këto të treja që më pas bashkohen me mekanizmat e gjuhës e krijojnë mendimin dhe si të mendojmë. Prindër e mësues duke e etiketuar fëmijën nuk bëni gjë tjetër vetëm gjymtoni treshen fantazi, imagjinatë, dyshim. E ktheni dyshimin nga një “vegël” në ndihmë të njohjes, të mësuarit, që fuqizon vullnetin, vëmendjen dhe përqëndrimin e kthejmë në një ves që gjymton karakterin dhe për pasojë personalitetin e fëmijës. Kujdes prindër sidomos ju mësues e edukatorë. Ju kujtoni se po e nxitni fëmijën për mirë por në fakt e gjymtoni dhe i shkatërroni mekanizmin bazë të njohjes, të mësuarit e zhvillimit. E bëni fëmijën vetëm të dyshojë si te vetja dhe te tjetri. Padashur gjymtoni inteligjencën emocionale dhe sociale që janë baza e shëndetit mendor”, shkruan Lira Gjika.