Sociale

Abnormaliteti i pandemisë na tregon absurditetin e jetës sonë! Ja çfarë duhet të mbajmë mend nga një virus që do të harrohet

Abnormaliteti i pandemisë na tregon absurditetin e jetës sonë! Ja

I frymëzuar nga “Murtaja” e Albert Kamysë, politologu bullgar Ivan Krastev pyet nëse kriza e COVID-19 do të fshihet shpejt nga memorja jonë kolektive, po ashtu siç u harrua Gripi Spanjoll që mori më shumë se 50 milion jetë në fillim të shekullit të kaluar, por megjithatë rrallëherë përmendet në librat e historisë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë si na bëri të ndihemi.

“E para gjë që na solli murtaja ishte ekzili” shkruan Albert Kamyja tek “Murtaja”, një nga kryeveprat e mëdha të shkrimtarit ekzistencialist francez. Kohët e fundit situata e pandemisë na ka lejuar të kuptojmë se çfarë ka dashur të thotë. Një shoqëri në karantinë është një shoqëri mirrëfilltazi “e mbyllur”, ku jeta duket se është pezulluar, por ndjenjat nuk mund të reshtin në asnjë moment. Ndërkohë që njerëzit izolohen në shtëpi, ndjesitë i përndjekin... frika, mërzia, diku edhe paranoja përhapen si një "bakterie ndjesore" po ashtu si virusi.

Në këtë botë të re, shumë qeveri na ndjekin nga afër dhe na detyrojnë të mbajmë distanca nga bashkëqytetarët, jo... nga bashkënjerëzit tanë. Kontakti me të tjerët është bërë një kërcënim për ekzistencën e gjithkujt. Në shumë shtete shëtitjet e paautorizuara dënohen me gjoba, apo edhe burgime dhe kontakti me një njeri tjetër është akti i barabartë me “tradhti” sociale.

Ashtu si dhe e ka shkruar Kamy një pandemi nxjerr në pah “individualizmin dhe singularitetin e çdo njeriu”, një ndjesi të shtuar të brishtësisë sonë, por edhe pamundësisë për të kontrolluar fatin dhe të ardhmen tonë. Të jetosh në pandemi është sikur të flesh me figurën e vdekjes (The Reaper) tek dritarja. Pas një pandemie njerëzit marrin një titull të veçantë... “i mbijetuar”.

Megjithatë, pas disa vitesh sa e gjallë do të jetë kjo eskperiencë në kujtesën tonë? Kjo eksperiencë kaq reale, e pamohueshme që nuk na ndahet në asnjë moment, mos do të jetë thjesht një iluzion në të ardhmen? A do e kujtojmë me buzëqeshje dhe humor, gati si një ëndërr apo iluzion që nuk jemi të bindur se na ka shenjuar?

Një shembull historik që mund të na bëjë të mendojmë se do të jetë kështu, ësht Gripi Spanjoll, për të cilin nuk kishim dëgjuar të flitej përpara pandemisë aktuale. Gripi që zgjati dy vite, 1918-1920 mori dhjetëra miliona jetë dhe preku edhe vetë presidentin e SHBA, Widrow Wilson, por ndryshe nga sa mund të imagjinohej, virusi përbën thjesht një kujtim të vagët në historinë e shekullit të kaluar, ndonëse mori më shumë jetë se lufta e parë dhe e dytë botërore të marra së bashku.

Pra, prej pandemisë ndoshta pasojat në memorien tonë nuk do të jenë aq të rëndësishme, por ajo mund të na ndihmojë të njohim sesa të njëjtë jemi esencialisht. Francezë, bullgarë, amerikanë, të gjithë ndajmë të njëjtin shqetësim, të njëjtat biseda dhe të njëjtat fobi.

Ndjesitë tona nuk ndryshojnë dhe ky është mesazhi që duhet të kujtojmë edhe kur eventi i pandemisë të duket i largët. Ashtu si dhe tek “Murtaja” e Kamysë, frika e vdekjes na jep perspektiva të reja dhe shpeshherë destruktive, por na mundëson të shohim se jeta është njësoj e shtrenjtë dhe përditshmëria jonë plot me konkurrencë, inate të vogla dhe shqetësime të parëndësishme, është iluzioni i vërtetë.

Abnormaliteti i pandemisë hedh dritë mbi absurditetin e përditshmërisë sonë. Le të rikthehemi pra, në përditshmëri më të “ndriçuar” seç kemi qenë më parë.

Përshtatur nga “Philosophie Magazine”/ tiranapost.al