Sociale

459 familje përfitojnë kredi të butë në Tiranë, Veliaj: Ndihmojmë ata më në nevojë

459 familje përfitojnë kredi të butë në Tiranë,

459 familje dhe çifte të reja në Tiranë do të kenë mundësi, që përmes programit të kredisë së butë, të marrin një shtëpi. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin që i vjen në ndihmë direkt familjeve në nevojë dhe çifteve të reja. Ndërkaq, 268 përfitues të tjerë janë në listë pritje për marrjen e kredisë së butë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj siguroi se në këtë kohë lufte, e cila ka sjellë inflacion, Bashkia e Tiranës do të jetë pranë familjeve në nevojë. “Nga thirrja e këtij viti janë deklaruar të rregullta 727 aplikime. Jemi në një stinë lufte, inflacioni dhe krize. Siç qeveria po ndihmon shtresat në nevojë, pensionistët, ndihmën ekonomike, pagesën e aftësisë së kufizuar, detyra jonë është, sidomos me familjet e reja, me studentët apo me abonentët e UKT, të bëjmë tonën, për aq sa të zgjasë kjo krizë. Edhe gjatë pandemisë dhe pas tërmetit prioritet mori ndihma ndaj atyre që kanë një nevojë në situatë krize. Por, nuk do t’i lemë pas dore edhe investimet, me shtrimin e rrugëve, mbjelljet etj. Thjesht u kemi dhënë prioritet shtresave në nevojë. Për këto 459 familje të reja i kemi gati që sot, që të deklarohen fitues, ndërkohë që 268 të tjerë ne do t’i kemi në një listë pritje”, u shpreh Veliaj.

Programi social i strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë” synon të mbështesë në blerjen e shtëpive të para, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës, nëpërmjet kredive hipotekore me kushte lehtësuese, e cila jepet për strehim. Programi i subvencionimit të interesave të kredive fokusohet në familje/individë që nuk disponojnë banesë në pronësi. Përparësi në përzgjedhje do të kenë: çiftet e reja dhe të rinj me moshë deri në 35 vjeç; individë/familje të minoritetit rom dhe egjiptian; gra kryefamiljare/gra të dhunuara.