Sociale

3 ideale Niçeane që mund t’i aplikoni në jetën tuaj

3 ideale Niçeane që mund t’i aplikoni në jetën tuaj

Frederik Niçe, filozofi i shekullit të XIX tranformoi mendimin modern dhe influencoi perspektivat mbi jetën, politikën dhe vlerat morale më shumë se çdo bashkëkohës dhe pasardhës i tij. Në këtë artikull do të rendisim tre ideale të promovuara prej tij që mund të aplikohen në jetën tonë, për të qenë më të arsyeshëm dhe objektivë.

1. Është e vërtetë apo besim: Mos merr për të mirëqena idetë e të tjerëve, edhe kur ato janë të pranuara nga e gjithë shoqëria.

Vetë kërkimi i Niçes për të gjetur të vërtetën morale të jetës, e dërgoi atë drejt një skepticizmi të madh në lidhje me vetë nevojën tonë instiktuale për të njohur të vërtetën. Ai e nis teorinë e tij duke vënë re se nuk ka të vërteta, por vetëm interpretime dhe se e vërteta e gjithkujt varet thellësisht prej perspektivës që ai ka. Në rast se e shihni imazhin e mëposhtëm nga një perspektivë, duket si një lepur, ndërkohë një perspektivë tjetër nga tregon se bëhet fjalë për një patë. A ja vlen të luftojmë për të “vërtetën” e këtij imazhi?

3 ideale Niçeane që mund t’i aplikoni në jetën tuaj

Një arsye tjetër se përse nuk duhet të pranojmë lehtë “të vërtetat” është fakti që teksa rritemi, ndryshojnë rrethanat tona sociale, ekonomike dhe kultura e përgjithshme edhe vlerat tona transformohen. Një sjellje që konsiderohej e turpshme 10 vite më parë, është përditshmëri sot. Sipas Niçes nevoja jonë gati patologjike për të zbuluar “moralin e drejtë” buron nga frika dhe pasiguria që kemi brenda nesh, frikë kjo që buron nga ideja se bota mund të mos ketë as rend dhe as qëllim dhe për pasojë vetë jeta jonë është e kotë. Ndaj, ne ndërtojmë të vërteta dhe i shpallim ato universale për të bindur veten, më shumë sesa të tjerët se gjithçka në botë është në rregull dhe e disiplinuar brenda rendit. Përderisa çdo njeri ka perspektivë tjetër, çdokush ka të vërtetat e tij dhe për pasojë çdo aksiomë universale është thjesht interpretim që nuk duhet të merret shumë seriozisht.

2. Gjeje vetë kuptimin e jetës tënde

Në rast se duam të diferencohemi nga “mentaliteti i turmës” që denoncon Niçe, duhet të shkojmë “Përtej së Mirës dhe së Keqes” ashtu siç edhe sugjeron libri i tij me të njëjtin titull. Duhet të çlirohemi nga përkufizimet popullore të asaj çka është e mirë dhe e vlefshme dhe çfarë është e keqe dhe të mos marrim hua vlerat e të tjerëve, por nëpërmjet eksperiencën sonë të krijojmë vlerat tona. Le të krijojmë imazhin ideal të vetvetes siç do e imagjinonim vetë dhe jo si mund të na imagjinojnë të tjerë.

3. Nxehtësia më e madhe ndërton çelikun më të fortë: mos prano komfortin dhe rrugën e lehtë në jetë.

Në rast se do të të duhej të rijetoje jetën tënde aktuale në pafundësi, a do të ishte i lumtur apo i zhgënjyer? Kjo dilemë e shfaqur në librin “Kështu foli Zarathustra”, shpreh më së miri motivin se përse nuk duhet të jetojmë një jetë të zakonshme që mjaftohet me plotësimin e nevojave fizike për ushqim dhe strehim. A do të pranoje një përjetësi të jetës tënde aktuale? Në rast se përgjigja është “jo”, refuzo normat që të kanë mbajtur në këtë gjendje që nuk do ja uroje vetes. Por, kjo nuk arrihet lehtë. Duhet të konfliktohesh me ata që janë skllevër të së zakonshmes dhe të transedosh kufizimet moraliste që të mbajnë të lidhur në meskinitet. Merr rrugën e vështirë dhe jeto një jetë që ndoshta nuk i ka të gjitha komfortet, për që të përfaqëson dhe të përmbush si individ.

Natyrisht, duhet të kujtojmë se këshillat e Niçes janë deri diku radikale, por nëse dimë të moderojmë radikalitetin e tyre, janë këshilla të vyera për një ekzistencë më të pavarur dhe të plotësuar.

Tiranapost.al