Shtëpia që dua

Çfarë nuk duhet të hedhësh për të ndërtuar një shtëpi ‘Marie Kondo’

Çfarë nuk duhet të hedhësh për të ndërtuar

Metoda ‘Marie Kondo’ dhe ‘KonMari’ për dekorimin e kanë sjellë sërish në modë rendin shtëpiak. Parimi kryesor është se duhet të hedhësh gjithçka që nuk vlen nga shtëpia, por dhe kjo duhet bërë në mënyrë të moderuar, pasi mund të pendoheni nëse hidhni më shumë seç duhet. Po cilat janë sendet që nuk duhet t`i hidhni?

Filloni duke ruajtur rrobat tuaja të mira

Maria Kondo në librin e saj “bestseller” “Magjia e Rregullsisë” e fillon organizimin e shtëpisë me kategorizimin e duhur të rrobave dhe largimin e atyre që realisht nuk i duhen apo nuk i pëlqejnë. Fillimisht do e kuptoni se është e thjeshtë të hidhni ose të falni rrobat e vjetra dhe ato që nuk ju pëlqejnë aspak.

Por, duhet të jeni të kujdesshëm! Mos hidhni dhe fustanin tuaj të mirë që mund ta keni veshur vetëm njëherë, apo edhe një gunë që mund t’ju duket demode sot, por që në të ardhmen mund të jetë një perlë e vërtetë.

Në rast se doni të lironi me patjetër hapësirën në gardërobën tuaj, mund t’i magazinoni këto rroba, apo t`i vendosni në një garderobë dytësore në shtëpinë tuaj. Por, mos neglizhoni kurrsesi diçka që në të ardhmen mund t`ju bëjë të dukeni bukur dhe me stil.

Këpucët e shtrenjta

Me këpucët qëndron po i njëjti parim si dhe me rrobat. Ato të cilat janë shumë të përdorura, shumë të veshura apo shumë jashtë mode është e lehtë të vendosësh që t’i hedhësh. Por, ndonëse ju mund të vishni një palë këpucë shumë rrallë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato duhen hedhur.

Disa nuk duhet të mungojnë kurrë në gardërobën tuaj. Po cilat? Takat e zeza, këpucët tip “oxford”, çizmet, balerinat dhe sandalet me bizhuteri.... por, duhet të keni kujdes, kjo nuk do të thotë të mos hidhni asnjë palë këpucë, por gjithmonë kini parasysh se çfarë mund t’ju nderojë në një rast të veçantë.

Gjithashtu, vlen që të ruani këpucët të cilat janë mbajtur mirë. Në rast se diçka është ende në kuti, mbajeni edhe nëse nuk keni rast për ta veshur në të ardhmen e afërt.

Çantat “firmato”

Çfarë nuk duhet të hedhësh për të ndërtuar

Po ashtu si këpucët edhe çantat duhet të spastrohen në rast se gjatë viteve keni mbledhur një sasi shumë të madhe dhe një pjesë e mirë e tyre tashmë nuk janë më të përdorshme. Dihet që blerja e çantave është një hobi për shumë njerëz dhe për pasojë largimi i atyre që nuk përdorni do ju lehtësonte pamasë. Gjithçka që ka dalë nga moda, është defektoze apo thjesht nuk është stili yt, hidhe pa problem.

Çantat që duhet të mbani, edhe në rast se nuk i përdorni shpesh janë ato çanta që mund të përdoren për raste dhe okazione të veçanta (si dasma, apo evente të ndryshme). Gjithmonë në gardërobën tuaj duhet të ketë një çantë të zezë me shkëlqim dhe një tjetër mat. Dhe po ashtu si me këpucët, gjithmonë mendoni se cila çantë mund të rikthehet në modë dhe t’u nderojë në të ardhmen.

Mbaj pjesën më të madhe të librave të tu

Çfarë nuk duhet të hedhësh për të ndërtuar

Kur Marie Kondo mbaron me rregullimin e rrobave të saj ajo vazhdon me librat dhe ju duhet të bëni të njëjtën gjë. Në lidhje me librat këshilla se duhet të hedhësh gjithçka që nuk të pëlqen bëhet më e komplikuar, sepse çdo libër ka momentin e vet kur mund ta vlerësojmë gjatë jetës sonë dhe është shumë e vështirë të konkludosh se cili libër është pa vlerë.

Cila është zgjidhja pra? Guruja japoneze këshillon të falim tek biblioteka apo tek kushdo tjetër libra që mendojmë se mund të jenë të tepërt në shtëpinë tonë, por mos kini frikë të keni më shumë libra nga sa nxë rafti. Libri mund të ketë një vlerë shumë të madhe sentimentale dhe intelektuale në të ardhmen.

Po fotot?

Çfarë nuk duhet të hedhësh për të ndërtuar

Pas rrobave dhe librave, Marie Kondo na fton të guxojmë të ndërhyjmë edhe tek objektet të cilat kanë një vlerë sentimentale për ne. Për rastin e fotove, të cilat të gjithë i çmojmë Guruja japoneze këshillon që të mbledhim të gjitha albumet dhe fotot e shpërndara kudo nëpër dhoma dhe t’i rishikojmë, sepse ku i dihet mund të ketë dhe nga ata që duhet t`i hedhim.

Këshillohet të krijojmë një kuti me fotografi për fotot që vlejnë edhe për njeriun që jemi sot, jo vetëm për atë që kemi qenë. Në rast se disa foto janë të zymta, të dëmtuara apo të ripërsëritura patjetër që duhen larguar.

Çfarë nuk duhet të hedhësh për të ndërtuar

Idealja është që të gjithë fotot të mund të vendosen në një raft dhe të mos jenë të shpërndara kudo nëpër shtëpi.

Gjithashtu, duhet krijuar një vend për objektet e veçanta që kanë vlerë sentimentale për ty. Bileta e koncertit të parë në të cilin ke shkuar, ndonjë çmim apo letër e veçantë. Në këtë kuti duhet të hyjë çdo gjë që ka vlerë sentimentale. Kjo nuk do të thotë se duhet të ruani çdo fletore që keni pasur kur keni qenë në shkollën fillore. Duhet të dini të diferenconi mes asaj që realisht është e vlefshme dhe asaj që ka më pak rëndësi për ju, por e keni ruajtur thjesht për inerci, apo përtaci për ta hedhur.

Çfarë nuk duhet të hedhësh për të ndërtuar

Padyshim, duhet të gjeni një vend të veçantë dhe deri diku intim për bizhuteritë dhe aksesorët tuaj të çmuar të cilët duhet t’i hidhni vetëm nëse kanë dalë komplet jashtë përdorimi dhe nuk ruajnë as vlerë materiale dhe as sentimentale. Edhe diçka prej druri nëse ruhet mund të ketë një vlerë më të madhe në të ardhmen, ndaj duhet të jeni të kujdesshëm në lidhje me çfarë mbani dhe çfarë hidhni. Gjithashtu, mos harroni sesi disa bizhu mund të kombinohen me njëra-tjetrën dhe bëhen më të hijshme nga sa duken.

Përfundimisht, një këshillë për nënat. Të mbani sende nga fëmijëria e hershme e djemve dhe vajzave tuaja është diçka që u pëlqen të gjithëve, por të mbash çdo rrobë dhe çdo lojë është receta për katastrofë dhe rrëmujë në shtëpi. Një sënduk i madh me kujtimet më sentimentale dhe signifikative mjafton. Çdo gjë më tepër duhet larguar sado i vështirë të jetë vendimi për momentin.