Shqiptarët në botë

55 vjeçari shqiptar vret gruan dhe veten në Itali. Dy letrat që ka lënë për fëmijët dhe policinë

55 vjeçari shqiptar vret gruan dhe veten në Itali. Dy letrat që

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda një familje shqiptare në Itali. 55 vjeçari Shkëlqim Bedeli ka vrarë bashkëshorten e tij Shegushe Paeshti dhe më pas i ka dhënë fund jetës së tij. Plani sipas mediave italiane rezulton të ketë qenë i planifikuar pasi 55 vjeçari ka lënë dy letra të shkruara nga vetë ai, një për policinë dhe një për tre fëmijët të cilët do të ktheheshin në shtëpi pas pushimeve. Shkëlqim Bedeli i cili jetone me familjen në fshatin La Collina ka shkruar në letër se nuk mund të jetonte më me stresin, gjendjen psikologjike pasi mendonte se bashkëshortja e tij e kishte tradhtuar dhe mbante një lidhje të fshehtë me një tjetër person.

Ja si e përshkruan ngjarjen mediat italiane:

Për herë të parë, ajo nuk u paraqit në punë. Dhe fëmijët të cilët sapo ishin nisur për pushime, u përpoqën të kontaktonin prindërit e tyre, por pa sukses. Këto ishin sinjale të trishta të një tragjedie që askush nuk e kishte imagjinuar. Gjithçka ishte e studiuar, ulur në një tryezë e duke u menduar për të gjitha detajet më të vogla: Fëmijët që nuk ishin në shtëpi dhe fqinjë të ikur me pushime larg vendit të banimit. Ky ishte skenari makabër me dy jetë të humbura, një familje të tërë nën dhimbje dhe një lagje e tronditur.

Ngjarja ka ndodhur në Calino, një fshat i Cazzago San Martino, në La Collina: Pikërisht këtu Shkëlqim Bedeli dhe Shegushe Paeshti jetuan për gati 20 vjet. Burri dhe gruaja (të dy 55 vjeç) u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre.

Ata u gjetën mëngjesin e të enjtes. Burri i varur pranë parmakut të shkallëve, ndërsa gruaja e lidhur në kangjella, me shenja dhune në trup. Ajo thuhet të jetë mbytur para se të lidhej nga bashkëshorti e para se ky i fundit t’i jepte fund edhe jetës së tij. Sipas prokurorit Alessio Bernardi, 55 vjeçari ishte varur në atë mënyrë që të mos kishte asnjë shans të shpëtonte, edhe nga vetë instikti i njeriut për të shpëtuar në një situatë rreziku.

Në vendin e tragjedisë, policët gjetën dy letra të shkruara në kompjuter, njëra drejtuar fëmijëve dhe tjetra autoriteteve. Në ato pak rreshta, Shkëlqim Bedeli tregonte për mosmarrëveshjet që e kishin shtyrë atë të bënte aktin e rëndë: Probleme në çift dhe xhelozi. Por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë prekur nga depresioni, ndoshta depresion akut pasi disa javë më parë humbi vendin e punës.

Personat që i kanë njohur kanë treguar se ata ishin një çift i qetë, dhe në përgjithësi të dashur me njëri-tjetrin (ndoshta veç në sytë e të njohurve). Shegushe Paeshti punonte tek Amadori. Ajo kthehej në shtëpi dhe ia përkushtonte pjesën tjetër të kohës punëve të shtëpisë dhe shëtitjeve përgjithësisht me bashkëshortin. Ndërsa Bedeli i cili prej shumë vitesh punonte si farkëtar, kujdesej edhe për kopshtin e tij ku kishte mbjellë domate.

Fëmijët tashmë janë kthyer nga pushimet, të shokuar nga ngjarja. Trupat e prindërve të tyre janë dërguar në morg për ekspertizë, por nuk ka dyshime që kemi të bëjmë me një vrasje-vetëvrasje. Fytyrat e disa fqinjëve këtë mëngjes reflektonin tronditjen.

*Lajmi i Bresciatoday, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.