Rita Ora rikthehet me koncert në sheshin “Skënderbej” në Tiranë

Ylli i muzikës Pop Rita Ora do të japë një koncert madhështor në 6 shtator në sheshin “Skënderbej”, duke bërë që qindra qytetarë të shijojnë nga afër tingujt e muzikës së saj.
Lajmi është zbuluar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit në Bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari, e cila ka postuar në rrjetet sociale një poster me imazhin e Rita Orës dhe datën në të cilën ajo do të këndojë në kryeqytet.
Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e 6 shtatorit, në kuadër të “Tirana European Youth Capital 2022”.
Tiranapost mëson se koncerti do të jetë falas për këdo që dëshiron ta ndjekë atë.
Rita Ora e vizitoi Shqipërinë për herë të fundit në vitin 2018, ku mbajti një koncert në Sheshin “Nënë Tereza”.