Showbiz

Nuk e besuan… por Noizy ja doli! Theu rekorde

Nuk e besuan… por Noizy ja doli! Theu rekorde

Një koncert në përmasat e një festivali ndërkombëtar, që bëri bashkë artistët më të mirë shqiptarë (Kida, Loredana, Ledri Vula, Mc Kresha, Elgid Doda, Xhensila Myrtezaj…e të huaj, Ghali, Gue, Raf Camora etj), që zgjati me orë e orë të tëra, me ritme e muzikë që i bëri gjithë njerëzit në shesh të këndojnë njëzëri e të kërcejnë pa u lodhur për asnjë sekond deri përtej mesnatës, në qejfin e një evenimenti me standarte të larta organizative, ku u respektuan të gjithë rregullat e protokollet e sigurisë, që nuk shqetësoi askënd edhe në momentin kur ikja e dritave u duk se do të krijonte probleme për organizatorët… por jo gjithçka u kalua me një eufori të jashtëzakonshme që ta japin vetëm koncerte si ky i “Alpha show”.

Kulmi ishte sigurisht ai momenti kur kurora e madhe e skenës nisi të ngjitej, ndërsa në ledwall po shfaqej në pak fjalë historia e artistit që e kanë dashur e kontestuar në gjithë këto vite ndësa ai shënonte vit pas viti sukseset e tij, kur protagonisti i asaj mbremje, Noizy, u shfaq si nga nëntoka, kur muzika e tij nisi e kur fishekzjarret ndezën qiellin. Pastaj për afro 90 minuta i vetëm, me bandën e tij muzikore në skenë Noizy e rriti adrenalinën e turmës që kishte pushtuar sheshin “Nënë Tereza” në maksimum… derisa do të vinte dhe momenti i dueteve më të sukseshme që ai ka sjellë së fundi në tregun muzikor me Dhurata Dorën, Ylli Limanin, Loredanën e Raf Camorën.

Apo edhe ai momenti i takimit skenik e publik me Stresin, si një sinjal për paqen, që u mirëprit me brohorima nga publiku. Finalja do të ishte ajo e duhura: Noizy përmblodhi në një këngë të fundit gjithë historinë e tij: “Nuk kanë besu” por ja që tashmë askush s’mund të ketë më asnjë pikë dyshimi e diskutimi se ai ja doli të kthehet në një fenomen të muzikës hip- hop e të thyejë rekordet me këtë koncert të madh që solli mbrëmë në Tiranë. Historia që Noizy bëri mbrëmë është vetëm një: theu rekordet. Dhe siç ai e ka thënë në gjithë këto kohë e siç e theksoi dhe në skenën e koncertit: gjithçka ndodhi mbrëmë, çdo këngë e fjalë, edhe kurora e madhe që u ngrit ishte e gjitha për funs-at e tij që e kanë ndjekur e i kanë dhënë suksesin në 16 vitet e karrierës së tij muzikore.

Dy ishin lajmet që prodhoi mbrëmë koncerti i madh “Alpha show”: u shitën mbi 15 mijë bileta, një shifër rekord kjo që u arrit për herë të parë në Shqipëri nga Noizy; performancat e tij këngëtari fenomen i hip- hop-it i solli për herë të parë, në një skenë aq gjigande, live, i shoqëruar nga një band live. Dhe ja doli më së miri të krijojë për gjithë funsat e tij atmosferën e jashtëzakonshme deri përtej mesnatës së të dielës.