Merr fund problemi i Shakirës me shtetin spanjoll për taksat. Do paguajë 7.5 milionë euro dëmshpërblim
Ylli kolumbian i popit Shakira ka arritur një marrëveshje me prokurorët spanjollë për të zgjidhur problemin e saj të evazionit fiskal prej 14.5 milionë eurosh.
Prej disa vitesh tashmë qarkullojnë fjalët se Shakira është në telashe të mosdeklarimit të të ardhurave dhe mospagimit në mënyrë korrekte të taksave.
Nëse do të shpallej fajtore, Shakira rrezikonte 8 vite burg dhe gjobë 23.8 milionë euro.
Vetë këngëtarja nuk i kishte pranuar akuzat dhe as propozimet e prokurorisë për të bërë një marrëveshje e për të shmangur gjykimin. Ndaj çështja shkoi në gjyq.
Së fundmi, në Gjykatën e Barcelonës marrëveshja është pranuar. Pa nisur seanca e parë, Shakira pranoi marrëveshjen. Do paguajë 7.5 milionë euro.
“Ndërsa isha e vendosur të mbroja pafajësinë time në një gjyq ku avokatët e mi ishin të bindur se do të kishin vendosur në favorin tim, unë kam marrë vendimin për ta zgjidhur përfundimisht këtë çështje me interesin më të mirë të fëmijëve të mi, të cilët nuk duan të shohin mamin që sakrifikon mirëqenien e saj personale në këtë luftë", tha Shakira.