Showbiz

Jeta ime, shfaqja më e madhe!

Jeta ime, shfaqja më e madhe!

Enver Petrovci vjen këtë të premte në episodin e podcast të Mira Kazhanit. Është një intervistë shkundëse. Një leksion, ose disa më mirë për jetën, për shqiptarët, për martesën dhe Zotin.

Në këtë podcast Petrovci tregon për gratë e rëndësishme të jetës së tij, që nga nëna, tek gruaja e jetës, mikja e ngushtë, figura televizive që e frymëzoi, vajzat e tij apo mbesat e vogla. Flet edhe për librin e tij ku do të linte amanetet pas diagnostikimit me kancer dhe për shërimin...

Biseda e Mirës me Petrovcin duhet dëgjuar e gjitha, por një esencë të saj e gjen edhe këtu.

Për shqiptarët dhe sidomos për shqiptaret...

"E dua lashtësinë e popullit shqiptar. E dua krenarinë e popullit, pa marrë parasysh se ne jemi të gatshëm ta shajmë veten shumë dhe nuk ka popull që e shan veten aq shumë sa ne dimë ta shajmë. Ky është ndoshta nga kompleksi se kurrë s`kemi pushtuar askënd. Kurrë s`kemi luftuar kundër askujt. Kemi luftuar, por nuk kemi pushtuar. Kam shumë respekt ndaj femrës, nënës shqiptare. Deri në lot kam respekt për nënën shqiptare.

Nënat shqiptare e kanë mbajtur këtë komb. Jo burrat, shkërdhatat shqiptarë. Jo, të betohem. Një prej tyre jam edhe unë, shkërdhat. Familjen time nuk e mbaj unë, po nëna e fëmijëve të mi. Nëna ime më ka bërë ky që jam."

Për nënën dhe fluturat...

"Kur bëja gabime më kërciste shuplakë b*thëve, edhe unë e dija që më priste, që kisha bërë gabim. Gabimet ishin për shembull, kur luaja me top, luaja me teshat, xhaketë edhe pantallona, me kravatë… S`kisha tuta. Luaja futboll me këto tesha, në pluhur. Isha mbrojtës. Kur i përlyeja teshat e dija çfarë më priste. Ka pasur shumë frikë nga insektet. E merrja një flutur mbrapa dhe kur vinte ajo të më jepte shuplakën, unë ia tregoja fluturën, ikte prej meje. Unë e ndiqja atë, ikte prej meje".

Për gruan që e frymëzoi nga televizori me çelës...

"Kur ka ardhur televizori herën e parë në shtëpinë tonë. Unë s`e kam ditur që quhej aktor, por kisha nevojë të isha ai brenda. Atëherë televizori ishte me çelës. Të gjitha gjërat ishin drejtpërdrejt. S`ka pasur t`i xhiroje dhe pastaj transmetoje. Serial kam parë të gjallë. Babai e mbyllte atë me çelës. Unë kisha nevojë ta hapja. Si kanë hyrë brenda? S`e kuptoja si kanë hyrë brenda, si janë zvogëluar ata? Është e bukur figura ime e parë që e kam parë në televizor. Ka qenë një spikere e radiotelevizionit të Beogradit, Dusan Kakanj, një zonjë. Kur kam shkuar pas shumë viteve në Beograd e kam takuar. Ende punonte. Unë kisha bërë pak emër edhe ajo më njohu. Unë i thashë: Zonjë, ju jeni figura e parë që kam parë në televizor. Jeni diku në indirekt, inspirimi im. U gëzua shumë që arrita ta takoja figurën e parë në televizor".

Për Valbonën, që i mësoi jo vetëm pianon, por edhe dashurinë...

"Kam pasur një rol ku ëshë dashur të luaja kompozitorin. Regjisorja më tha: Duhet të mësosh në piano Ave Marian, ta këndoja dhe ta luaja. Kisha dëgjuar për Valbonën si pianiste. E njihja vëllain e saj dhe përmes tij më vuri në kontakt. Bënim pauza për të pirë kafe. Unë pëlqeja një shoqen e saj edhe dilja me të për shkak të shoqes së saj. Me kohën kuptova se ajo ishte vetëm e pashme. Atëherë ka pasur femra të pashme. E shikoja që gjithë kohës dilja me të dhe shoqërohesha me Valbonën. E pashë që ajo po më pengonte, kjo e dyta. Dhe dola veç me Valbonën".

Për kancerin që e shtyu të shkruante një libër amanetesh dhe për shërimin që e detyroi ta redaktonte...

"Kur më thanë se kam kancer, fillova të shkruaj këtë librin, “Amanete zemre”. Në të vërtetë jo. Fillova të shkruaja amanete njerëzve që i dua, thjesht të lija ndonjë fjali të mirë. I shkrova, kur pas 5-6 muajve, më thanë: Enver, je shëruar. Nuk ke më kancer. U mërzita. Të gjithë u gëzuan, unë u mërzita. Thashë: Çfarë do bëj tani me këtë libër? Se s`ka kuptim të dalë. Unë s`po vdes. M`u kujtua një ide gjeniale, të hiqja emrat. I lashë vetëm fjalitë, mendimet. Tani ka dalë një libër për të gjithë. Po në anën tjetër, secili që më njeh do ta gjejë veten aty."

Për Zotin dhe dritën që pa...

"Shkova në anën e majtë, “Valbonë çohu”, i thashë. Çfarë ke, tha. S`e di, i thashë. Hajde me mua. Ku? Këtu në ballkon. Nuk e di pse po e bëja atë. A thua se kishte hyrë dikush tek mua. Kurrë s`e kam bërë në jetë. Shkova në ballkon u ula, mjegull. Asgjë nuk shihej. Ajo erdhi, çfarë ke tha. Nuk e di, i thashë, por ulu. U ul dhe po shikonim në horizont, por nuk shihej asgjë. Përnjëherë, mjegulla filloi si e prerë në mes, u hap. Ama me shpejtësi të tmerrshme. E pashë horizontin. Është një mal atje tek ne në Prishtinë. Po e shihja horizontin. Shihej si vijë e zezë. Mbrapa asaj doli drita e madhe sa njëmijë diej. Nuk u frikësova aspak. E falenderova që doli dhe vërtetoi besimin tim. U zhduk. Erdhi mjegulla siç ishte. U ktheva nga Valbona. Valbonë, pe diçka? Ajo tha, nuk e di çfarë ke parë ti, po unë pashë dritë. Thashë: Mirë jam, normal qenkam. E kam vërtetuar më vonë se po mos ta kisha zgjuar atë ky tregim i imi do kishte mbet gënjeshtër. E zgjova për të qenë dëshmitare. Gruaja ime s`ka besuar në asgjë. Pyeteni tani".

Podcasti ka shumë më shumë se kaq, ndaj dëgjoje: