“Ferma Vip”, reality show që ka disa ditë që ka nisur transmetimin në Vizion Plus është surpriza e televizionit. Një reality show që për qëllim të parë ka kujdesin ndaj kafshëve, punët e fermës po kujdeset edhe të eksplorojë anët më të mira të VIP-ave tanë.
Pa zhurmë, negativitet, luftë për mbijetesë… Puntatën e mbrëmshme ishte rrëfimi i Albano Bogdos për fëmijërinë e tij, për prindërit e divorcuar, për dashurinë për nënën, që rrëmbeu lotët e gjithë konkurrentëve, por edhe Fjoralbës, Besit dhe Kel Demit.
Ajo që e bëri më të fuqishëm rrëfimin e Albanos ishte pranimi i varësisë nga alkooli dhe luftës e fitores ndaj saj. Një moment ky që e bëri të dorëzohej edhe Enkel Demin, duke vlerësuar se duhet forcë e guxim ta pranosh dhe thuash të vërtetën.
Albano për divorcin…
Babai dhe mamaja ime kanë qenë çifti i parë që janë divorcuar në Sarandë, në kohën e demokracisë. Nuk kishte ndodhur asnjëherë divorc në qytet. Dashamirësit të thoshin: Je ti burri i shtëpisë tani. Duhet të punosh. Të heqin nga fëmijëria. Lë librat dhe merr një termus me akullore, qese me kaushë dhe një arkë me banana nga krahu tjetër.
Për babain...
Armiku më i madh që kishte ai në jetë, isha unë. Armiku më i madh që kisha unë në jetë, ishte ai. Ndenjëm 10 ditë bashkë dhe kuptuam që nuk kishim asnjë armiqësi me njëri-tjetrin. Ai filloi qante dhe më përqafoi. Kishim 22 vjet pa u përqafuar. Nuk e dija që më donte babai.
Për nënën...
Të më thotë, hidhu nga kati i 300, pa asnjë arsye, hidhem direkt. E kam dritën e syve. Mezi e kam. Nuk e bënin dot 10 burra atë që ka bërë ajo tek grua për mua.
Albano tregoi për problemet me varësinë nga alkooli, heqjen dorë prej tij dhe në fund e mbylli me një mesazh force: Burrat që nuk pranojnë gabimet që kanë bërë, t`i marrin, t`i përtypin, t`i përpunojnë dhe t`i thonë që i kanë bërë, kanë probleme me veten. Kanë frikë se mos rrëshqasin prapë.
Enkel Demi për Albanon...
Ti e di që unë e çmoj shumë artin, tënd, komendinë, humorin e zi, madje unë çmoj shumë guximin tënd intelektual. Ti Albano je artist i jashtëzakonshëm dhe ke gjithë jetën përpara për të qenë akoma më i madh, akoma më i jashtëzakonshëm. Je ndër të paktët që mendoj se është fatkeqësi që operon në një treg të vogël si Shqipëria. Po sot mendoj që je njeri i mirë dhe njeri i madh, sepse je burrë prej vërteti. Ke guxim të flasësh, të tregosh! Në një pjesë të rrëfimit tënd gjej shumë veten time, sepse raportimi sesi burri (në këtë rast) raportohet me vesin, është raporti me të vërtetën. Një njeri që ka forcën të dalë nga varësia e vesit është një njeri i vërtetë dhe lum ne që të kemi Albano!
Kurse Bes Kallaku në fund recitoi një poezi të Lulzim Tafës, për nënën.