Këngëtarja me famë botërore, Tina Turner, ka ndërruar jetë sot, në moshën 83-vjeçare.
“Tina Turner, ‘Mbretëresha e Rock’n Roll’-it ka vdekur sot në moshën 83-vjeçare, pas një sëmundjeje nga e cila vuante prej një kohe të gjatë, në shtëpinë e saj në Kusnacht afër Cyrihut, Zvicër. Me të, bota humbet një legjendë muzikore dhe një model”, tha zëdhënësi i saj në një deklaratë.
Ylli i lindur në SHBA ishte një nga këngëtaret më të pëlqyera të rrokut, e njohur për një varg hitesh, duke përfshirë The Best, Proud Mary, Private Dancer dhe What’s Love Got To Do With It.
Ajo mori famë për herë të parë në vitet '60 së bashku me ish-bashkëshortin, Ike Turner, me këngën klasike River Deep, Mountain High.
Abuzimi i Ike Turner në familje dhe lufta e saj e gjatë për t'u çliruar prej tij u dokumentua edhe në një film të Hollivudit të vitit 1993 me aktoren Angela Bassett, i cili fitoi tre çmime Oscar.
Historia e jetës së Turner u përjetësua gjithashtu në një shfaqje të njohur në West End që vazhdon ende.
Popullariteti i këngëtares si artiste solo u zbeh në vitet 1970, por karriera e saj u ringjall kur nënshkroi me Capitol Records në vitet 1980.
Kënga e saj më e njohur me hyrjen e veçantë dhe korin e fuqishëm është Simply the Best.