Dy divorcet që kanë lënë shenjë në jetën e Xhensila Myrtezajt
Xhensila Myrtezaj ka hapur për herë të parë zemrën në “Mirëmbrëma Yje” me Arbana Osmanin. Ka folur për ndarjen e bujshme nga Besi, por edhe për ndarjen e prindërve të saj në ato vite. I ka vënë përballë dy divorcet që kanë shenjuar jetën e saj, të dy të vështirë. Të dy vendime të marrë nga gratë. Vetëm me ndryshimin që në rastin e nënës së saj, mospranimi i babait të saj për t`u ndarë nga nëna e saj i ka shkaktuar Xhensilës mbase kujtimin më të errët të jetës.
Për ndarjen nga Besi…
“Më duhej mua ta bëja si hap, pasi nuk shikoja asnjë rrugëzgjidhje tjetër, asnjë zgjidhje të mundshme. Nuk është i lehtë divorci për askënd dhe as nuk është diçka që e parashikon të ndodhë apo e dëshiron. Disa hapa, sado të vështira të jenë në jetë, duhet gjetur forca për t’i marrë. Forcën unë e gjeta te fëmijët e mia, tek ajo që unë doja që fëmijët e mi të kishin në të ardhmen…”
Për ndarjen e prindërve…
“E mbaj mend, sigurisht. Ka qenë shumë më traumatike, është një periudhë tmerrësisht e rëndë e jetës sime, por mund të ketë ardhur koha ta them… E di pse e dua shumë mamin tim dhe e vlerësoj, por në të njëjtën kohën edhe e gjykoj që nuk pati mundësi t’i jepte fund asaj martese përpara se të ndodhte ajo që sytë e mi panë…
Im atë nuk pranoi që t’i jepte divorcin nga ime më dhe mami im është rasti i asaj gruas që u plagos me shtatë thika dhe humbi njërën nga duart. E gjitha kjo ka qenë një veprim që është bërë në sytë e mi. Unë kam parë nënën time të therej për këtë vendim dhe gjithmonë e kam ruajtur shumë këtë sekret dhe nuk e di pse e thashë, se nuk dua të lëndoj as babain tim”, tha Xhensila.