Showbiz

Babai i Britney Spears bindet dhe dorëzon në Gjykatë kërkesën për të hequr dorë nga kujdestaria e vajzës

Babai i Britney Spears bindet dhe dorëzon në Gjykatë

Jamie Spears është paraqitur në Gjykatë me një kërkesë në të cilën i lutet Gjykatës që të shqyrtojë edhe njëherë kërkesën e vajzës së tij për heqjen e kujdestarisë.

Në kërkese shkruan se është e drejta e vajzës së tij që kjo Gjykatë tani të verifikojë seriozisht nëse kjo kujdestari nuk vlen më.

“Rrethanat e Britney Spears kanë ndryshuar në atë masë sa që mund të mos jetë as nevoja për një kujdestari të tillë”, shkruan ai.

Madje shton se nuk është as i nevojshëm një vlerësim i ri psikologjik pasi edhe vetë Britney refuzon ta bëjë.

Britney Spears, 39 vjeç, është përpjekur ta heqë babain e saj nga kujdestaria dy herë gjatë vitit të fundit, duke thënë se ai po e kontrollon më shumë seç duhet e se ajo nuk e ka më të nevojshëm këtë kontroll 13-vjeçar.

Ajo pretendoi se kujdestaria e saj ishte 'abuzive' dhe se nuk i lejohej as të shikonte fëmijët e saj apo të lindte të tjerë pa lejen e babait.

Avokati i saj i sapoemëruar, Mathew Rosengart, paraqiti në gjykatë një kërkesë për ta zëvendësuar Jamie Spears me një kontabilist profesionist. Rosengart argumentoi se Jamie Spears nuk po vepronte në interesin më të lartë të vajzës së tij dhe e akuzon se ai mund të ketë keqpërdorur financat e saj.

Ka nisur një hetim në lidhje me këtë akuzë.

“Duket se Jamie Spears po përpiqet të shmangë llogaridhënien dhe drejtësinë, përmes kërkesës që ka dërguar në gjykatë, por hetimi ynë do të vazhdojë”, tha Rosengart. Gjithsesi për fansat e Britneyt dhe vetë çështjen, kërkesa e tij është një fitore e madhe.

Seanca dëgjimore e radhës do jetë më 29 shtator.