Ndryshimet klimatike po ndryshojnë dhe shijen e Shampanjës, por si?
Shitjet e shampanjës po lulëzojnë. Por shija e kësaj pije së shpejti mund të ndryshojë përgjithmonë. Kjo falë ndryshimeve klimatike.
Shampanja ka qenë një shenjë dalluese e festimeve dhe e jetesës luksoze për shekuj. Por temperaturat në rritje të Evropës dhe moti gjithnjë e më i paqëndrueshëm po ngjallin frikën se rajoni i Shampanjës në Francë mund të bëhet i papërshtatshëm për prodhimin e tij.
Më shumë se 325 milionë shishe shampanjë u dërguan nga Champagne në 2022-shin, duke tejkaluar 6 miliardë euro shitje për herë të parë, sipas shoqatës së tregtisë së shampanjës Comité Champagne. Tregjet më të mëdha janë Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Japonia.
Megjithatë kompanitë e prodhimit shampanjës do të duhet të përshtaten për të mbijetuar, pasi aroma e shampanjës mund të ndryshojë gjatë rrugës.
Rrush i djegur nga dielli, shije e dëmtuar
Ekspozimi i rajonit të Shampanjës ndaj rrezikut të shkaktuar nga thatësira pothuajse do të trefishohet deri në vitet 2050, sipas raportit të S&P Global Sustainable1, duke paraqitur probleme serioze për vreshtat.
Rreziku i thatësirës në Shampanjë do të rritet nga niveli aktual prej 16 në 43 deri në vitet 2050, pastaj dyfishohet në 88 deri në vitet 2090 - nëse nuk bëhen ndryshime në politikat aktuale të klimës.
Thatësira nuk është faktori i vetëm që mund të pengojë prodhimin. Moti është gjithnjë e më i çrregullt, me zjarret, përmbytjet dhe ngricat duke u bërë më të shpeshta vitet e fundit.
"Nëse rrushi ekspozohet ndaj rrezeve shumë ekstreme UV, atëherë ata do të marrin ekuivalentin e djegies sonë nga dielli dhe kjo në thelb ... do të dëmtojë shijen", tha për CNBC Matt Hodgson, themeluesi i prodhuesit anglez të verërave Grape Britannia.
Nxehtësia shtesë mund të ndryshojë gjithashtu aciditetin e rrushit, gjë që i jep shampanjës freskinë e saj.
Markat ndërkombëtare janë të vetëdijshme për ndikimin e madh që mund të ketë ndryshimi i klimës në bizneset e tyre.
Rregulli kryesor i Shampanjës është që duhet të prodhohet në provincën e Shampanjës.
Përdorimi i pesticideve dhe acidifikimi shtesë janë të ndaluara dhe të gjitha fazat e prodhimit duhet të zhvillohen në Shampanjë, deri në etiketimin e shishes. Por shtëpitë e shampanjës po përmirësojnë proceset e tyre për të vazhduar prodhimin brenda kufijve nën këto rregulla.
'20 vjet më parë korrja bëhej në fund të shtatorit, fillimi i tetorit. Tani vjelja bëhet në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit.
Për sa i përket shijes, ajo që po vini re shumë është karakteristika shumë më e pjekur. Ndryshimet e temperaturave nënkuptojnë gjithashtu se shampanja po bëhet natyrisht më e ëmbël.
“Ne kemi aq shumë diell dhe aq shumë sheqer në rrush, saqë nuk ka nevojë të shtohet më sheqer,” tha Sarazin, prodhues.