Shënime në Blog

Yanis Varoufakis flet për një tjetër të tashme, nga teknofeudalët e rinj te sistemi i pagave sipas Eurovizionit

Që tani kapitalizmit po i kundërvihet një lloj teknofeudalizmi. Nëse kam të drejtë, pyetja nuk duhet të jetë nëse do të mbijetojë kapitalizmi, por se cili sistem do t’i zërë vendin: një sistem që demokratizon punën dhe kohën e lirë? Apo një që krijon një soj të ri zotërinjsh teknofeudalë që dominojnë mbi të tjerët?
Yanis Varoufakis flet për një tjetër të tashme, nga

Nuk do që të dobëtit të mbeten përgjithmonë viktima. Dhe me metaforat e mitologjisë, shumë pjellore në Greqi, shpjegon se borxhi është një Minotaur që kërkon sakrifica të vazhdueshme nga ana e njerëzve.

Yanis Varoufakis, 60 vjeçar tashmë, economist, profesor, një mendje poliedrike kulturore beson se politika mund ta orientojë ekonominë drejt drejtësisë, etikës dhe mirëqenies së përbashkët.

Në vitin 2015, ministër i financave në kohën e krizës greke, kërkoi një zgjidhje të ndryshme nga vendimet e bankave. Ndoshta me dhraminë e vjetër. Në fund, dha dorëheqjen me një tweet. Por nuk hoqi kurrë dorë nga lufta. Ka themeluar një parti që propagandon “mosbindjen realiste”. Lufton për një Europë të popujve dhe jo të bankierëve, boton libra me të njëjtën kthjelltësi me të cilën përdor teorinë e lojës në barkun e ekonomisë. Dhe sigurisht i lëshon shigjeta establishmentit në pritje të një të ardhmeje të re. Ose më mirë të thuhet, “Një tjetër e tashme”, siç shprehet në romanin fanta-utopik me këtë titull.

Është më mirë mosbindja e përhershme dhe e kudondodhur (siç bën Iris në romanin tuaj) në vend të ndërtimit të shoqërisë perfekte?
Meqë asnjë shoqëri s’mund të jetë perfekte (për fat të mirë!) mosdakordësia e vazhdueshme me ç’të rrethon është një parakusht i pazëvendësueshëm sa për të jetuar mirë, aq edhe për të ndërtuar një shoqëri të pranueshme.

Në romanin tuaj utopik, kapitalizmi vdiq. Mendoni se kjo është e mundur?
Me rrezikun se mund t’ju bëj të ngrini më shumë se njërën vetull, pohoj bindjen time të salduar se në çdo rast ai po vdes, jo në një “tjetër të tashme”, por në të tashmen tonë. Më lini t’jua shpjegoj. Kapitalizmi në të gjitha format e tij (kapitalizëm konkurrues i viteve tetëqind, kapitalizëm oligopolist, kapitalizëm financiar post-BrettonWoods etj.,) ka dy karakteristika: udhëhiqet nga kërkimi i fitimit dhe formohet nga tregjet. Por pas vitit 2008 dhe mbi të gjitha në kohën post-Covid, ekonomia nuk po ushqehet nga fitimi, por nga paratë e bankave të centralizuara. Për më tepër, tregjet po zëvendësohen gjithmonë e më shumë nga platformat (Amazon, Facebook etj.) që janë feude dixhitale. Që tani kapitalizmit po i kundërvihet një lloj teknofeudalizmi. Nëse kam të drejtë, pyetja nuk duhet të jetë nëse do të mbijetojë kapitalizmi, por se cili sistem do t’i zërë vendin: një sistem që demokratizon punën dhe kohën e lirë? Apo një që krijon një soj të ri zotërinjsh teknofeudalë që dominojnë mbi të tjerët? Në “Një tjetër e tashme” jam përpjekur të skicoj një model të skenarit të parë.

Modeli sovjetik ishte dështim. Do të kishte qenë më mirë me sindikalizmin anarkik spanjoll?
E vërtetë, modeli sovjetik dështoi. Por në disa fusha ka funksionuar dhe mund të nxjerrim ca leksione të rëndësishme. Modeli i rritjes japoneze të pasluftës i ka një goxha borxh planifikimit qendror sovjetik (Gosplan) dhe shumë pjesë të suksesit (përtej disa dështimeve) ia dedikon teorive dhe praktikave të Gosplanit. Por siç tregojnë në mënyra të ndryshme eksperiencat sovjetike, japoneze dhe kineze, anarko-sindikalistët katalanë kishin plotësisht të drejtë kur i druheshin në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën mënyrë pushtetit të burokracisë nga njëra anë, dhe pushtetit të kompanive private nga ana tjetër. Në romanin “Një tjetër e tashme” jam përpjekur të trajtoj se si kompanitë mund të funksionojnë sot, duke shfrytëzuar instrumentet teknologjike, për t’i lejuar prodhimit të bashkojë liritë nga fuqitë shtetërore dhe nga oligarkitë kapitaliste.

Pse zgjodhët një formë fantastiko-shkencore për të shkruar një roman politik?
Sepse fantashkenca është arkeologjia e së ardhmes.

Udhërrëfimi për një shoqëri më të mirë nuk është më Marksi, por admirali Pikard i StarTrek?
Marksi do ta donte shumë Pikardin! Të risjellim ndër mend episodin 26 të sezonit të parë të “Star Trek – The Next Generation” në të cilën Pikardi flet me një biznesmen të shekullit të njëzetë (që sapo ka shkrirë) i cili nuk arrin të perceptojë lajmin se në shekullin e njëzetë e katërt teknologjia i ka lejuar njeriut të heqë qafe paranë, pronën private, varfërinë etj. Pikardi i shpjegon se me t’u plotësuar nevojat dhe dëshirat me teknologjinë riprodhuese, fitimi privat humbi çdo lloj kuptimi dhe aspirata e njerëzve ishte të përmirësoheshin, jo të kishin më shumë mallra. Biznesmeni mendjemprehtë iu përgjigj: “Kapiten, ju keni keqkuptuar gjithçka. Të rëndësishme nuk kanë qenë kurrë mallrat apo paratë. I rëndësishëm ka qenë gjithmonë pushteti.” Pikardi i kthen përgjigjen: “Pushteti ka qenë gjithmonë një iluzion”. Nëse do të mund ta shihte Marksi këtë skenë, do të ngrihej në këmbë duke duartrokitur Pikardin.

Në romanin tuaj, Festivali “Eurovision” është një model për të krijuar një sistem të drejtë page. Si ju erdhi në mend kjo ide?
Nuk e kam shpikur unë. E ka vënë në zbatim një kompani amerikane që veprimtarinë e vetë e ka bazuar në menaxhimin horizontal. Më thanë se idenë e kishin marrë nga Eurovizioni për t’i dhënë secilit punonjës një numër pikësh, në mënyrë që ai mund t’ia shpërndante kolegëve, por jo vetes.

A mos jeni i pasionuar pas muzikës pop?
Po pyesni mos më pëlqen Eurovizioni? Aspak. Por duhet ta pranoj se në të shkuarën jam argëtuar duke ndjekur këngët e tmerrshme për të parë në fund procesin e votimit.

A mund të jenë depresionet ekonomike humus për lindjen e përbindëshave politikë? Çfarë po lind nga pandemia?
Që në vitin 2007 paralajmëroja se deflacioni mund të kthehej në humus për përbindëshat politikë, një profeci e trishtë që u kthye në realitet pas vitit 2008 me politika socialiste për bankat dhe politika ashpërsie për gjithë të tjerët, që nga ana tjetër i dha jetë një të tashme post-demokratike, post-kapitaliste. I gjithë ky proces u përshpejtua nga pandemia. Kështu lindi regjimi i ri, që e quajmë teknofeudalizëm. Është ky realiteti ndaj të cilit duhet të nënshtrohemi, ose siç unë këshilloj, të tentojmë ta përmbysim.

Jeni vaksinuar?
Sigurisht që po. Jam një avokat i vaksinave si e mirë e përbashkët.

Në fund të romanit, protagonisti i hipën motorrit dhe ikën. Çfarë përfaqëson për ju motoçikleta?
Lumturi! Jam gjashtëdhjetë vjeç dhe sa herë hipi në motorrin tim, përjetoj të njëjtën drithërimë, ndjej të njëjtën buzëqeshje në fytyrë si kur isha gjashtëmbëdhjetë.

Përveç dy rrotave, çfarë është lumturia?
Një gjendje bekimi që mund të arrihet vetëm nëse nuk sforcohemi për ta arritur. Një gjendje që me pak fat mund të arrihet edhe si efekt kolateral i një jete kreative dhe virtuoze. Nuk ndryshon shumë nga të bërit mirë, që mund të bëhet realisht kur nuk ka një arsye mbrapa, por thjesht për kënaqësinë e të bërit.

Na paralajmëron miti i Efestit. Është teknologjia shkatërrimi i njeriut?
Teknologjia, siç të gjithë e dimë, është si bekim ashtu edhe mallkim. Por ka një të bukur: na detyron të jemi të përgjegjshëm për fuqinë e madhe që çlirojmë duke e shpikur.

Çfarë gabimi keni bërë si ministër, që nuk do ta përsërisnit kurrë më?
Puna intensive katër mujore për “qetësimin e ujërave” e për t’i dhënë negociuesve tanë me troikën një marrëveshje të pranueshme. Ndërkohë duhet ta kisha hequr spinën qysh prej ditës së parë.

Çfarë ndodhi në vitin 2015?
Kur u bëra ministër, Troika me cinizëm e kishte zhvendosur borxhin e Greqisë nga bankat private (që i kishin dhënë hua një mal me para shtetit tonë të korruptuar) te shpatullat e kontribuesve europiane. Berlini, Banka Qendrore Europiane dhe Troika planifikuan një sulm mbi sportelet e Greqisë, duke shtruar rrugën e mbylljes së bankave në mënyrë që të mposhtnin një qeveri që i thoshte “jo” kartës së kreditit. Kur ia arritën, na u dha një tjetër kartë krediti. Pastaj një tjetër. Dhe tani pas pandemisë, një tjetër përmes BQE-së. Rezultati? Greqia dhe grekët janë në falimentim më shumë se asnjëherë tjetër, ndërsa falimentimi ynë i kushton europianëve, por për këtë askush nuk flet. Omerta!

Pra Greqia nuk e ka marrë kurrë veten?
Po talleni? Në vitin 2010 u shpallëm në falimentim (me të drejtë), sepse të ardhurat tona kombëtare ranë nga 220 në 200 miliardë euro, ndërsa borxhi publik u ngrit në 295 miliardë. Sot të ardhurat tona kombëtare janë më pak se 170 miliardë, ndërsa borxhi publik është 360 miliardë!

Citoni shumë poetë.
Poezia është e vetmja armë me të cilën mund të ndalojmë që ëndrrat të kthehen në makthe.

Libri më i rëndësishëm i jetës?
Odisea.

Ai që ju bënte të ëndërronit kur ishit fëmijë?
“Ishulli misterioz” i Jules Verne.

Libri që mbani mbi komodinë natën?
“Princi i zi” nga Iris Murdoch.

Teksti më i rëndësishëm për formimin tuaj politik?
“Dorëshkrimet ekonomiko-filozofike” të vitit 1844 të Marksit.

Borxhi është një prej mëkateve të mëdha të kapitalizmit: Ju keni pasur borxh ndonjëherë?
Sigurisht. Pjesën më të madhe të jetës si student e më pas si pedagog e kam kaluar i zhytur në borxhe. Kam një eksperiencë direkte për të kuptuar se ç’do të thotë të kesh borxhe mbi supe.

Çfarë bëni për t’u relaksuar?
Luaj në piano. Më duket e mrekullueshme aftësia që ka për të më bërë të harroj se kush jam, ku jam, gjithçka. I jam përjetë mirënjohës për mundësinë që më ofron për t’i ikur vetvetes, situatës ku ndodhem.

Do të rreshtni që bëri politikë?
Jo, kurrë. Fryma ime është ajo e një kafshe politike, për të përdorur një shprehje të Aristotelit.

*Yanis Varoufakis është ekonomist dhe politikan grek. Ka qenë Ministër i Financave i Greqisë në vitin 2015, ndërsa prej vitit 2019 është deputet i parlamentit grek. Ka qenë pedagog për shumë kohë në Universitetin e Sidneit, Universitetin e Athinës dhe në Universitetin e Teksasit në SHBA. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.