Shënime në Blog

Unë do të kujdesem për ty

Unë do të kujdesem për ty

Nga Massimo Recalcati/ Në romanin “Murtaja”, Albert Camus e përshkruan eksperiencën e sëmundjes dhe të vdekjes në formën ekstreme të një epidemie murtaje. Pastori i qytetit të prekur nga murtaja mban dy lutje në dy momente të ndryshme të valës epidemike. Një në fillim kur kurba e infektimeve sapo kish nisur të rritej vrullshëm; tjetrën në pikën më të lartë kur të vdekurit kishin kaluar të gjallët dhe e ardhmja u bë krejt e paqartë.

Në lutjen e parë, Panëluja flet nga foltorja e kishës, përpara një populli të frikësuar dhe të humbur. Zëri i tij është i fortë dhe qortues, imponon një lexim teologjik të murtajës bazuar në parimin e mallkimit: e keqja që na ka goditur nuk është aspak e huaj për të keqen që kemi bërë. Murtaja është fatkeqësia që Zoti ka lëshuar ​​kundër njeriut në mënyrë që njeriu ta kuptojë peshën e mëkateve të tij. Është kamzhiku me të cilin Zoti e thërret njeriun përsëri në përgjegjësitë e tij. Nëse murtaja mbjell vdekje mes njerëzve, do të thotë se duhet t'i rikthejmë njerëzit në rrugën e duhur. Nuk është thjesht një sëmundje e tmerrshme, por një ndëshkim i drejtë, një shenjë e providencës që u takon njerëzve ta njohin dhe ta pranojnë në mënyrë që të shpengohen nga mëkatet e tyre. Në këtë lutje të parë ai predikon se dhuna e murtajës fiton një kuptim teologjik, duke zbuluar nga njëra anë natyrën e pamëshirshme të drejtësisë hyjnore dhe, nga ana tjetër, natyrën mëkatare të pandryshueshme të njeriut.

Parimi që qëndron në themel të interpretimit të tij është ai i një konceptimi rreptësisht proporcional dhe ndëshkues të drejtësisë së Zotit: sa më i lig është njeriu, aq më i ashpër është ndëshkimi i Tij. Por nëse do të ishte siç i tha prifti popullit të tmerruar, nuk do të kishte më dhimbje dhe vdekje të të pafajshmëve. Vetëm të ligjtë do të duhej ta provonin kamzhikun e Zotit, vetëm fajtorët duhet të shëroheshin përmes vuajtjeve. Por llogaritë qartësisht nuk dalin kështu. Është skandali që mishërohet në klithmën e Jobit: pse i drejti goditet pavarësisht shenjtërisë së tij? Pse nuk ka asnjë raport mes të mirës dhe të keqes së pësuar? Përse nën goditjet e së keqes mund të bien edhe të drejtët e të pafajshmit?

Mes lutjes së parë dhe lutjes së dytë, murtaja e vrau popullsinë pa bërë dallime mes të drejtëve dhe fajtorëve. Tërbimi i saj i lig goditi verbërisht, pa dallime. Por mes dy predikimeve, Patër Panëluja pa të vdiste në krahët e tij, në një agoni të ngadaltë dhe shpirtcopëtuese, një fëmijë. Kjo eksperiencë shkatërroi në formë traumatike teologjinë e mallkimit që kishte frymëzuar predikimin e parë: Zoti nuk mund të dojë vdekjen e atyre që nuk kanë faje, sistemi i drejtësisë shpaguese që barazon ndëshkimin me të keqen e kryer shkatërrohet papritur nga tragjedia e dhimbjes dhe e vdekjes së të pafajshmit.

Patër Panëluja për herë të dytë mbledh popullin e tij duke folur në “një ditë me shumë erë” dhe në një kishë “të ftohtë dhe të heshtur”. Vdekja ka shkatërruar popullsinë, njerëzit kanë frikë të dalin nga shtëpitë duke jetuar me frikë dhe të mbyllur brenda mureve. Zëri i priftit duket më i ëmbël dhe reflektues, fjalët e tij nuk kanë tone fyese dhe nuk thotë më “ju”, por “ne”. Arsyetimi i tij përmbys një nga një parimet teologjike që frymëzuan predikimin e parë: nuk është e vërtetë që murtaja ka një kuptim moral, nuk është e vërtetë që në të shfaqet vullneti i Zotit, nuk është e vërtetë që është një ndëshkim ndaj njerëzve për mëkatet e tyre, nuk është e vërtetë se kjo është një shenjë e providencës. E vetmja gjë e vërtetë është se murtaja është një e keqe "e papranueshme" që sjell vdekjen dhe se arsyeja jonë nuk është në gjendje të shpjegojë pse dhuna e shkaktuar prej saj mbetet në vetvete e pashpjegueshme, e palexueshme dhe pa arsye.

Teksa në predikimin e parë theksi bie te Zoti dhe te justifikimi teologjik i murtajës, tani gjithçka bie të njeriu: nëse nuk mund ta shpjegojmë ngjarjen absurde dhe të papranueshme të murtajës, a ka të paktën diçka që mund të mësojmë dhe mund të bëjmë në lidhje me të, duke u përballur me traumën e pakuptimtë të së keqes, të dhimbjes dhe të vdekjes? Plani abstrakt teologjik i predikimit të parë zëvendësohet nga niveli etik i të dytit, ndërsa mallkimi zëvendësohet nga shërimi. Kjo e keqe na bën përgjegjës në një mënyrë thellësisht të ndryshme nga mënyra se si u përshkrua përgjegjësia e njeriut në predikimin e parë. Në atë rast ishte përgjegjësia për të bërë keq dhe si pasojë për të shpenguar dhunën e Zotit. Por në predikimin e dytë, Zoti u distancua nga njeriu, duke e lënë të vetëm përballë karakterit të pamëshirshëm jo të drejtësisë së tij, por të vuajtjeve në vetvete.

Pra çfarë duhet bërë? Janë këtu fjalët e Patër Panëlusë që ndriçojnë çdo eksperiencë njerëzore për “ilaçin” e kësaj situate. Ai tregon se si gjatë murtajës së madhe në Marsejë nga tetëdhjetë e një të pranishëm fetar në Konventën e Mercy, vetëm katër i mbijetuan murtajës. Dhe nga këta katër, tre ikën për të shpëtuar jetën e tyre. Por të paktën njëri ishte në gjendje të qëndronte. Dhe kjo është fjala e fundit që Patër Panëluja i thotë besimtarëve: të jeni ndër ata që dinë të qëndrojnë. Të dish të qëndrosh është efektivisht gjëja e parë që duhet bërë në çdo praktikë shërimi. Do të thotë t'i përgjigjesh thirrjes së atyre që kanë rënë. Në terma biblikë është ajo që ndriçon fjalën "Ja ku jam!" gjë që e bën thellësisht human kujdesin njerëzor duke mos braktisur askënd në dhunën e papranueshme të së keqes. Duke mos i dhënë kuptim të keqes, por duke qëndruar pranë atij që është goditur nga e keqja.

*Massimo Recalcati është psikanalist, akademik dhe publicist italian. Artikulli është përkthyer në shqip nga Erjon Uka.