Shënime në Blog

Tirania e meritokracisë

Ja një pyetje që të gjithë duhet ta bëjmë: Çfarë shkoi keq? Përtej pandemisë, e kam fjalën te jeta jonë shoqërore. Si erdhëm në këtë moment politik të polarizuar dhe nervoz?

Tirania e meritokracisë

Nga Michael Sandel/ Në dekadat e fundit, dallimi mes fituesve dhe humbësve është rritur në mënyrë të ndjeshme, duke helmuar politikën tonë, duke na ndarë. Kjo ndarje ka të bëjë pjesërisht edhe me pabarazitë. Por edhe me sjelljen tonë karshi fitores apo humbjes së shkaktuar. Kush ka arritur në majë, është gjithmonë e më i bindur se për suksesin e tij i detyrohet vetëm vetes, dhe ata që kanë humbur, nga ana tjetër, mund të fajësojnë vetëm veten e tyre.

Kjo mënyrë për të parë suksesin vjen nga një parim mesa duket tërheqës. Nëse të gjithë kemi të njëjtat mundësi, fituesit e meritojnë fitoren e tyre. Këto janë bazat e konceptit të meritokracisë. Por në praktikë, qartësisht ndodh shumë ndryshe. Jo të gjithë kanë të njëjtat mundësi ngritjeje. Fëmijët e lindur në familje të varfëra janë më të prirur që duke u rritur të mbeten të varfër. Prindërit e pasur mund t’ua lënë pasurinë trashëgim fëmijëve të tyre. Në universitetet më të mira, për shembull, ka më shumë studentë që i përkasin 1% të të privilegjuarve se sa nga e gjithë pjesa tjetër e popullsisë të marrë së bashku.

Por problemi nuk është vetëm fakti se kemi dështuar në ndjekjen e parimeve të meritokracisë, për të cilën flasim aq shumë. Ky ideal në vetvete është difektoz. Ka një anë të errët. Meritokracia është gërryese e së mirës së përbashkët. Ajo sjell arrogancën e fituesve dhe poshtërimin e atyre që kanë humbur. Inkurajon të suksesshmit të kënaqen shumë duke harruar edhe fatin që i ndihmoi në udhëtimin e tyre. Dhe kështu i bën të shohim nga lart-poshtë të disavantazhuarit dhe më pak të kualifikuarit. Politika duhet të tregojë interes ndaj kësaj çështjeje. Një nga arsyet e shumta të kryengritjeve popullore është ndjenja e punëtorëve se po gjykohen nga elita e vendit. Është një ankesë mëse e justifikuar.

Edhe pse globalizimi ka sjellë më shumë pabarazi dhe stanjacion të pagave, ithtarët e tij kanë ofruar këshilla zemëruese për punëtorët: “Nëse do të konkurrosh dhe të fitosh në ekonominë globale, shko në universitet!”; “Ajo që fiton, varet nga sa ke mësuar”; “Mund t’ia dalësh vetëm nëse e provon”. Të privilegjuarit që japin këto këshilla nuk vërejnë fyerjen që qëndron në to. Nëse nuk shkon në universitet, nëse nuk arrin suksesin në ekonominë e re, dështimi yt do të jetë vetëm faji yt. Ky është mesazhi i nënkuptuar. Prandaj nuk habit fakti se shumë punëtorë ngrenë krye ndaj të privilegjuarve.

Po çfarë të bëjmë? Duhet të rishohim tre aspekte të jetës sonë shoqërore. Rolin e universitetit, dinjitetin e punës dhe kuptimin e suksesit.

Së pari duhet parë roli i universiteteve, tani të perceptuara si arbitra të mundësive. Për ata të cilët, si ne, bëjnë pjesë në përqindjen e personave të kualifikuar është e lehtë të harrojnë një fakt të thjeshtë: shumë njerëz nuk kanë diplomë. Në fakt, janë gati dy të tretat e amerikanëve që nuk e kanë. Prandaj, është çmenduri të krijosh një ekonomi që e shndërron diplomën në kërkesë themeltare për një punë të respektuar dhe një jetë dinjitoze.

Inkurajimi i njerëzve për të shkuar në universitet është një gjë e mirë. Hapja e dyerve për ata që nuk kanë mundësi është edhe më mirë. Por kjo nuk është zgjidhja e pabarazisë. Ne duhet të mendojmë më pak për të lënduar të tjerët në emër të meritokracisë dhe të përqendrohemi më shumë në përmirësimin e jetës për ata njerëz që nuk kanë një diplomë, por që kontribuojnë në një mënyrë themelore për shoqërinë.

Duhet të rishqyrtojmë dinjitetin e punës dhe ta vendosim atë në qendër të politikës sonë. Duhet të kemi parasysh që puna nuk është vetëm për të siguruar jetesën, por është gjithashtu një mënyrë për të kontribuar në të mirën e përbashkët dhe për të fituar kështu mirënjohje.

Robert F. Kennedy e shpjegoi mirë gjysmë shekulli më parë. Vëllazëri, bashkësi, patriotizëm i përbashkët. Këto vlera themelore nuk rrjedhin vetëm nga blerja dhe konsumimi i mallrave. Atoburojnënga punë të denja dhe paga të denja. Lloji i punës që na lejon të themi: “Ndihmova në ndërtimin e këtij vendi. Kam marrë pjesë në këtë sipërmarrje të përbashkët”. Ky sens qytetar sot mungon në jetën publike.

Shpesh supozojmë se paratë që një person arrin të fitojë, masin kontributin e tyre në të mirën e përbashkët. Por nuk është kështu. Martin Luther King e ka shpjeguar pse. Duke iu referuar një greve nga punëtorët e gjelbër në Memphispak para se të vritej, King tha, “Ata që mbledhinmbeturinat tona janë, në fund të fundit, po aq të rëndësishëm sa mjekët, sepse nëse nuk do ta bënin punën e tyre, do të përhapeshin sëmundjet. Çdo punë është fisnike”.

Pandemia e sotme e ka bërë të qartë. Kjo tregon se sa të varur jemi nga punëtorët që shpesh i injorojmë. Kasierë, punëtorë mirëmbajtjeje, nëpunës të supermarketeve, punëtorë deposh, shoferë kamionësh, edukatorë, kujdestarë. Këta nuk janë punëtorët më të paguar dhe më të respektuar. Por tani, ne i perceptojmë si shumë të domosdoshëm. Është koha për të ngritur një debat publik për të siguruar që paga dhe mirënjohja publike ndaj tyre të bëhen më përfaqësuese për rëndësinë e punës që zhvillojnë.

Është gjithashtu koha që një pikë kthese, morale po aq sa shpirtërore, të vërë në diskutim prezumimin tonë për meritokracinë. Nga pikëpamja morale, a i meritoj talentet që kam? Është metitë e imja nëse jetoj në një shoqëri që rastësisht vlerëson talentet që unë kam? Apo në të vërtetë thjesht kam pasur fat? Këmbëngulja se suksesi im është vetëm meritë e imja, e bën të vështirë lidhjen me të tjerët. Të pranosh se fati luan një rol të caktuar në jetë, ofron sigurisht një masë përulësie.

Kjo ndjenjë përulësie është dhurata qytetare që na duhet tani. Është fillimi i largimit nga etika e vështirë e suksesit që përfundon duke na ndarë. Na lartëson mbi këtë tirani të meritës në një jetë publike më pak të egër dhe më bujare.

*Michael Sandel është filozof politik amerikan. Është profesor i Teorisë së Qeverisjes në “Harvard University Law School”. Në vitin 2002 u zgjodh anëtar i Akademisë Amerikane të Artit dhe Shkencës, ndërsa në vitin 2018 u nderua me çmimin “Princi i Asturias” në shkencat sociale. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.