Shënime në Blog

T’i ndihmojmë gratë të ndryshojnë botën

T’i ndihmojmë gratë të ndryshojnë botën

Nga Roberto Saviano/ “U kemi kërkuar një grupi vajzash të na tregojnë paragjykimet dhe stereotipet me të cilat përballen çdo ditë.” Kështu nis një video shumë e bukur e Save the Children që ju ftoj ta gjeni në rrjet dhe ta shihni. Sjell dëshmitë e disa vajzave mbi të qenit grua...

Mbi punën: Nuk mendoj se ka punë grash dhe punë burrash.

Mbi studimet: Ka njerëz që mund të vazhdojnë për programe shkencore apo sociale.

Mbi mëmësinë: Një grua, për t’u realizuar, nuk ka nevojë për të pasur një apo më shumë fëmijë, apo edhe një burrë.

Mbi jetën e përditshme: Në shtëpinë time çështjet shtëpiake nuk janë ndarë në mënyrë të barabartë. Ndahen vetëm mes meje, motrës dhe mamasë sime.

Mbi veshjen: Ka ndodhur që veshja ime ndonjëherë të jetë konsideruar si jo mjaftueshëm femërore.

Përsëri mbi veshjen: Po shkoja me vrap drejt metrosë dhe kisha veshur një bluzë paksa të hapur... Një burrë po vinte në drejtim të kundërt me mua. Po jua lë ta imagjinoni vetë se cili ishte komenti.

Përsëri mbi veshjen: Një shoqja ime ishte fejuar, kishim shkuar në plazh dhe i fejuari çdo mbrëmje që dilnim i kërkonte fotografi. Ajo nuk mund të vishte minifund.

“Do të doja që vajzat”, thotë një zë i vendosur, “të rreshtin së uluri kokën”.

Dhe një tjetër: Do të doja që vajzat ta ndjenin mundësinë për t’u realizuar në çdo lloj mënyre apo fushe pa pasur frikë nga paragjykimet.

Akoma edhe një tjetër: Uroj që të gjitha betejat që janë bërë të mos jenë të kota, por që në këto beteja të ketë edhe një përbërës mashkullor.

Pse vendosa t’i risjell këto fraza? Sepse jam i sigurt se cilido prej jush që po i lexon, ka njohur në to një pjesë të botës në të cilën jetojmë. Një botë në të cilën vogëlusheve, vajzave dhe grave u kërkohet një përpjekje mbinjerëzore për të qenë vetvetja, për të qenë në gjendje të shqyejnë (fjalë për fjalë) zonat e lirisë, autonomisë dhe përmbushjes, pavarësisht nga pritshmëritë. Sepse është akoma kështu: gratë shpesh nuk mund të jenë të lira pa marrë parasysh që duhet të paguajnë diçka.

Frazat që risolla janë të rëndësishme jo vetëm sepse na tregojnë se çfarë ndodh, por edhe sepse shpjegojnë dinamikat ekonomike: papunësia femërore, dhe se sa pak bëhet për ta korrigjuar, varet në pjesën më të madhe nga paragjykimet dhe kufizimet që gratë pësojnë që fëmijë. Për të arritur më pas te dhuna psikologjike dhe fizike: edhe ato ushqehen me paragjykime dhe kushtëzim.

Është e qartë se nuk mund të ulim vigjilencën. Është e qartë se, secili prej nesh me mjetet që zotëron, duhet të bëjë të mundur që kush lufton (eh, po në fakt, bëhet fjalë për luftë) të mos jetë i vetëm, ose në të vërtetë, e vetme.

15% e adoleshentëve (21% nga meshkujt dhe 9% nga femrat) mendon se viktimat e dhunës seksuale kontribuojnë duke e provokuar atë. Bindja e përhapur gjerësisht më pas është se burri në një çift ka për detyrë ta mbrojë gruan (78% e djemve, 55% e vajzave). Nuk mbaron këtu: 4 të intervistuar nga 10 thonë se në një çift gruaja është e aftë të sakrifikojë më shumë se burri.

Qëndron bindja (29% e adoleshentëve) se ëndrra e vajzave është martesa (35% e djemve, 23% e vajzave) dhe se për të qenë plotësisht grua duhet të kesh një fëmijë (17% e djemve janë të bindur për këtë përkundrejt 9% të bashkëmoshatareve të tyre)

Dhe pastaj janë 40% të djemve që ende mendojnë se realizimi profesional është më i rëndësishëm për meshkujt se sa për femrat (21% e vajzave ndajnë të njëjtin mendim), ashtu siç për të pasur një formim universitar mbetet një prioritet për burrat më shumë se për gratë.

E di se gjithë kjo duket absurde, por nuk është. Përkundrazi, shpesh gratë përjetojnë pikërisht këtë në kontekste ku vëmendja për gjendjen e tyre është thelbësore.

Le të mos rreshtim kurrë së marri pjesë në këtë debat, kurrë mos ta arkivojmë, mos ta konsiderojmë një argument të së shkuarës që mund të kishte të bënte me gjeneratat paraardhëse. Mos ta konsiderojmë diçka që nuk na përket, thjesht sepse ne punët na shkojnë mirë.

Dhe faleminderit Save dhe Children që mban gjithmonë ndezur një dritë ku nuk duhet të ketë hije.

*Artikulli është nga rubrika e përjavshme e Roberto Savianos, “L’antitaliano”. Roberto Saviano është gazetar dhe shkrimtar italian i cili prej më shumë se dhjetë vitesh jeton nën mbrojtjen e policisë për shkak të kërcënimeve nga mafia. Përkthyer nga Erjon Uka.