Të rinjve u duhet kultura shkencore dhe për këtë nuk nevojitet një reformë
Nga Piero Angela/ Çfarë mund të bëhet konkretisht që shkolla ta përmirësojë kulturën shkencore të brezave të rinj? Një reformë (që do të ishte e radhës ndër shumë të tjera që janë bërë) do të haste në një sërë vështirësish, pengesash dhe kundërshtimesh: cilat lëndë duhen fuqizuar, cilat duhen reduktuar, çfarë duhet hequr, si duhen formuar mësuesit, etj. Përpos të gjithave, kjo do të kërkonte një kohë të gjatë, e me shumë mundësi do t’i linte të gjithë të pakënaqur.
Për sa më takon, sigurisht që nuk kam njohuritë dhe as kompetencat për të hyrë në një çështje kaq komplekse. Ama, mendoj se mund të bëhet diçka nëse përdorim një kriter më të thjeshtë dhe pragmatik. Në fakt, gjëja më e rëndësishme nuk është të studiohet më shumë kimi, matematikë apo biologji për të kuptuar rolin e shkencës dhe të teknologjisë në shoqërinë tonë, ndikimin që ka në ekonomi, mënyrën si prek zgjedhjet tona politike dhe çdo gjë tjetër. Do të arrinim shumë më shumë nëse do të mund të përhapnim një “mentalitet” shkencor që lejon kuptimin më të plotë dhe më të mirë të disa koncepteve bazike, që më pas kthehen në pika referimi për të kornizuar problemet. Me shumë mundësi, kjo gjë mund të bëhet dhe do të përpiqem t’ju shpjegoj se si.
Dua t’ia filloj me një eksperiencë personale. Në vitet e fundit kam bërë shpesh herë pyetjen: cila është mënyra për t’i ndihmuar të rinjtë që të përgatiten për një të ardhme kaq komplekse si kjo që po vjen?
Në vjeshtën e vitit 2017 arrita të nisja një projekt që e kisha shumë për zemër, duke realizuar nje eksperiment të rëndësishëm në Politeknikun e Torinos. Ky universitet, siç dihet, është një ndër shembujt e përsosmërisë italiane me mbi 30,000 studentë të regjistruar. Falë bashkëpunimit të rektorit, të pedagogëve dhe të Shoqërisë San Paolo dhe presidentit të saj, profesor Francesco Profumo, që në shkuarën ka qenë Ministër i Arsimit, i Universitetit dhe Kërkimit Shkencor (mbaj mend se kur fola për herë të parë i ndritën sytë: projektet realizohen vetëm nëse njerëzit besojnë në to), u realizua gjithçka në pak kohë. Ideja ishte që në sallën e madhe të leksioneve të bashkonim 400 studentët më të mirë të Politeknikut (ata me notat më të larta) si edhe një përfaqësi të nxënësve më të mirë nga gjimnazet e Torinos, me angazhimin për të ndjekur një kurs të caktuar. Iu shpërndanë ftesat personaliteteve të shquara nga të gjitha fushat (shkencëtarë, ekonomistë, menaxherë, përfaqësues të administratës, statisticienë, demografë, informaticienë) për të mbajtur konferenca-intervista dhe për të dialoguar me studentët. Të gjithë pranuan, shpesh herë me entuziasëm, pa kërkuar shpërblim financiar, duke ardhur nga qytete të tjera e madje disa herë edhe nga jashtë vendit.
Projekti ishte ky: Në harkun e pesë viteve, thuajse 2,000 studentë të shkëlqyer do të merrnin pjesë në atë eksperiencë: të rinj të destinuar për t’u bërë klasë drejtuese dhe për të formuar një bërthamë të ekselencës. Ishte një eksperiencë e përjetuar së bashku me të rinj të tjerë të motivuar, duke krijuar kështu edhe lidhje që do t’i duheshin për gjithë jetën. Në harkun e tre viteve, më shumë se 80 personalitete të fushave të ndryshme morën pjesë në këto takime në Politeknikun e Torinos dhe lista (e cila është e publikuar) është vërtetë e shkëlqyer. Kjo iniciativë u përsërit menjëherë në dy universitete të rëndësishme italiane, në atë të Trentos dhe në Tor Vergata të Romës, ndërsa të tjerë hynë në kontakt për të mësuar më shumë rreth projektit.
Pastaj erdhi Covid, e fatkeqësisht nuk ishte më e mundur të vazhdohej. Por eksperienca tregoi se projekti funksiononte. Paradoksalisht, Covid na ndihmoi për të zhvilluar një projekt tjetër, me gjasë edhe më efikas. I gjithë mësimi online në shkolla dhe shpërndarja e pajisjeve që duheshin për këtë qëllim, hapi një rrugë tjetër komunikimi, jo më në prezencë fizike por virtuale. Kjo do të ishte e mundur edhe në të shkuarën, por në formë të reduktuar, ndërsa sot ekziston një mbulim kapilar që i hap rrugë iniciativave të reja. Me këtë dua të them se i hapet rruga mbajtjes së këtyre takimeve direkt, ose të regjistruara, në shumë salla nëpër gjithë Italinë, sipas nevojave të pedagogëve. Argumentet mund të jetë të shumtë: nga borxhi publik te produktiviteti, nga prezantimi i pikave më të bukura të një vendi tek informacioni, problemet afatmesme të mjedisit, situata energjitike, perspektivat demografike, nga metoda shkencore te pseudoshkenca etj. Në këtë mënyrë, ekspertët më të mirë do të mund të hynin në shkollë për të “mbjellë” stimuj dhe koncepte me një fleksibilitet lehtësisht të menaxhueshëm. Një ndër këta koncepte do të ishte lidhja shumë e fortë mes anëve pozitive dhe negative të çdo zgjedhjeje që bëjmë.
Në jetë, ne përpiqemi të kërkojmë vetëm anët pozitive dhe është njerëzore që të jetë kështu, por realiteti natyrisht është i ndryshëm. “Pro” dhe “kundër”, siç thuhet, janë gjithmonë të lidhur me faktorë të tjerë, ndoshta më pak të dukshëm. Në momentin kur duhet marrë një vendim, është thelbësore njohja e këtyre ndërlidhjeve. Me fjalë të tjera, kjo gjë nevojitet gjithmonë. Ky koncept është goxha i qartë kur duhet bërë një blerje: çmimi që duhet paguar e bën vlerësimin (të paktën në dukje) më të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Por zakonisht gjërat s’janë kaq të thjeshta. E këtu dua të tregoj një eksperiencë profesionale interesante.
Në vitet ’80 lexova se në Venezuelë ishte krijuar një Ministri për Zhvillimin e Inteligjencës. “Ç’është kjo?!”, pyeta veten. Bëhej fjalë për një nismë të mbështetur nga Presidenti i Republikës dhe që përfshinte spitalet e fëmijëve, programet radiofonike, shoqatat e vullnetarëve dhe mbi të gjitha shkollat, duke nisur nga fillorja deri në gjimnaz. Projekti u ishte besuar dy psikologëve me reputacion si Richard Herrnstein nga Universiteti i Harvardit dhe Edward De Bono nga Universiteti i Oksfordit. Qëllimi ishte ai për të aplikuar realisht të gjitha dijet që ekzistonin deri në ato vite mbi zhvillimin mendor të fëmijëve, në veçanti në kontekste socio-ekonomike të disavantazhuara (isha marrë me këtë temë disa kohë më parë për librin “Nga zero në tre vjeç”). Kështu që vendosa të nisem për ta parë nga afër këtë eksperiement të pazakontë, për të realizuar një program të dedikuar televiziv. Pjesa fillestare e projektit i dedikohej shkollës dhe formimit të gjykimit përmes analizës së faktorëve të ndryshëm që lidheshin me të. Nisej me shembuj të thjeshtë, pastaj kalohej në situata më të ndërlikuara. Gjithmonë duke ndërlidhur avantazhet dhe disavantazhet e një zgjedhjeje dhe duke kalibruar peshën e tyre specifike, formohej një strategji arsyetimi që vinte në dukje disa lidhje të caktuara që me një gjykim përmbledhës e të përciptë mund të humbisnin ose të nënvlerësoheshin. Çdo problem zbërthehej në pjesë të ndryshme dhe vlerësoheshin pasojat e tij. Për lehtësi didaktike, u krijuan madje edhe sekuenca standarde që lehtësonin analizën.
Do të jap vetëm një shembull të vogël për të shpjeguar kuptimin e së gjithës. Duke lëvizur nga njëra shkollë në tjetrën me drejtoreshat, pashë në rrugë një manifest elektoral: ishte koha e zgjedhjeve presidenciale dhe dikush i quajtur Martínez kishte hedhur kandidaturën e tij. Slogani, nën fotografinë e tij, shkruante: “La solución? Martínez”. Fotografia përfaqësonte një person me pamje që të ngjallte besim, me një buzëqeshje që të përcillte siguri që dukej se thoshte: “Rrini të qetë, merrem unë me të gjitha”. E pyeta drejtoreshën se si do të reagonin nxënësit e saj ndaj këtij manifesti. M’u përgjigj:
“Do të thoshin që le të kërkojmë se kush është ky Martínez, cili është jetëshkrimi i tij, cilat janë aftësitë që ka. A janë realiste propozimet që bën, apo janë premtime që s’mund t’i mbajë ndonjëherë? Çfarë thonë mbështetësit e tij? Po kundërshtarët politikë? Çfarë është shkruar për të në të shkuarën? A është përfshirë në ndonjë aferë? Sa njerëz e kanë votuar në zgjedhjet e kaluara? A mund ta shpjegojë ai se përse e quan veten si zgjidhja më e mirë?”.
Përsa i përket lajmit, zgjedhjet në Venezuelë i fitoi një kandidat tjetër që kur erdhi në pushtet, nuk e çoi përpara projektin dhe gjithçka u mbyll aty.
Për t’u kthyer tek tema jonë, të mësuarit e përballjes me problemet duke mbajtur parasysh ndërlidhjet e ndryshme dhe vetëdija se gjithmonë ekziston një çmim për t’u paguar, apo se ekzistojnë kufizime që nuk mund të injorohen, është thelbësore sepse na ndihmon t’i përgjigjemi pyetjes së vërtetë, pra, çfarë disavantazhesh jam i gatshëm të pranoj për të marrë një përfitim të caktuar?
Kjo vlen në plan individual, por vlen mbi të gjitha edhe në plan social kur duhen përballuar çështje angazhuese (mjedisore, energjitike, arsimore, ekonomike) që sjellin sakrifica apo kufizime. Këtu zakonisht pranohen vetëm përfitimet dhe jo kostot.
Shumë prej krizave tona vijnë për shkak të paaftësisë për zgjedhje të tilla. Është vetëm një shembull, por përmes këtyre takimeve, të rinjtë do të zbulonin në mënyrë të qartë dhe pjesëmarrëse, kaq shumë koncepte që shpesh herë janë në themel të problemeve me të cilat duhet të përballet një shtet dhe që vështirë se do të mund t’i gjejnë të shpjeguara në ndonjë vend tjetër.
*Piero Angela (1928-2022) ishte gazetar, shkrimtar dhe prezantues televiziv italian. Pjesa e mësipërme është shkëputur nga libri i botuar pas vdekjes, “Dhjetë gjërat që kam mësuar”, për të cilin punoi deri në ditën e fundit. Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.