Shënime në Blog

Roula Khalaf drejtorja e gazetës më të rëndësishme europiane FT: Iu përgjigjem brenda 5 minutave emaileve nga lexuesit

Roula Khalaf drejtorja e gazetës më të rëndësishme

Ku po shkon gazetaria, në epokën dixhitale, në periudhën e pandemisë? “Objektivi është gjithmonë i njëjti, të prodhosh informacionin më cilësor të mundshëm, por me ndryshimin se tani duhet të mendojmë se pari për internetin dhe më pas për gazetën e printuar dhe falë të dhënave, tani dimë se cilët janë dhe çfarë duan lexuesit tanë”, përgjigjet Roula Khalaf, drejtore e “Financial Times”, gruaja e parë në krye të gazetës më të rëndësishme europiane.

E lindur dhe e rritur në Beirut, pas një masteri për marrëdhënie ndërkombëtare në Columbia University dhe fillimeve në redaksinë e “Forbes” (dhe ishte ajo që zbuloi mashtrimet e “Ujkut të Wall Street” nga u frymëzua edhe filmi me Leonardo DiCaprio), gjithmonë ka qenë në gazetën angleze fillimisht si korrepondente e Afrikës së Veriut dhe e Lindjes së Mesme, drejtore e sektorit të jashtëm, kolumniste dhe zëvendësdrejtore, përpara se të merrte drejtimin e redaksisë në muajin janar.

Si e shihni rolin e drejtores së një gazete të madhe në epokën dixhitale?
Roli thelbësor nuk ka ndryshuar. Cilado qoftë platforma, objektivi është gjithmonë ai i prodhimit të gazetarisë më cilësore të mundshme, motivimi i gazetarëve, ruajtja e entuziazmit, të uritur për lajme të reja dhe për të gjetur talente. Por ama ka ndryshuar puna e përditshme, sepse nuk ke më në dispozicion gjithë ditën për të përgatitur një lajm, por ka një programim të vazhdueshëm. Nuk mendojmë vetëm se çfarë do të publikojmë nesër, por se çfarë do t’u japim lexuesve në çdo moment të ditës. Një tjetër ndryshim është se falë të dhënave e dimë se cilët janë lexuesit tanë, ku janë, në ç’orë na lexojmë dhe çfarë lexojnë, e kjo na mundëson t’u përshtatemi kërkesave të tyre. Bota dixhitale të shtyn drejt novacionit, të mendosh vazhdimisht se çfarë duan lexuesit.

Si e shihni rolin e gazetave, në një kohë kur lexuesit, përpara se t’i lexojnë, i dinë pjesën më të madhe të lajmeve?
Sot lexuesit janë të ndarë në dy grupe. Njëri grup është i gjithi i dixhitalizuar. Tjetri përfaqësohet nga gjenerata që është ende e lidhur me letrën: njerëz që ndjekin lajmet në platformat online por gjithsesi duan të lexojnë gazetat e printuara, shpjegimin e lajmeve, komentet, analizat dhe për këtë mund të presin edhe një ditë më pas. Në përgjithësi por edhe në veçanti në “Financial Times” duhet bërë dallimi mes lexuesve ditorë të gazetave dhe atyre në fundjave. Kemi lexues që nuk e blejnë gazetën nga e hëna në të premten, por e blejnë të shtunën, ndoshta për ta lexuar në shtrat dhe për të ndarë insertet me familjen.

Si funksionon integrimi mes letrës dhe internetit?
Në redaksinë tonë dua që të gjithë të mendojnë fillimisht për dixhitalin. Pjesa më e madhe e lexuesve tanë, rreth një milionë të abonuar, janë online, ndaj duhet t’i japim përparësi internetit. Prej aty, prodhojmë gazetën në print. Në të shkuarën ndodhte e kundërta: në fillim të epokës dixhitale kërkonim të përkthenim gazetën e printuar në produkt dixhital. Sot dua që ta çoj këtë tendencë edhe më tej, duke prodhur histori tipikisht për dixhital. Kam një grup redaktorësh që punojnë në gazetën print, me detyrën për të marrë nga dixhitalja atë që është e përshtatshme për printin. Por gjithmonë i pari vjen versioni online. Ajo që për mua mbetet e rëndësishme në versionin print është faqja e parë: sepse është shprehja e markës tonë. Ka ende interes për faqen e parë. E di që disa drejtues nuk i japin shumë rëndësi, por dua që gjithmonë ta shoh përpara se gazeta të shkojë për shtyp. Prodhimi i dy faqeve të gazetës, asaj online dhe asaj të printuar, është e ndryshme, por cilësia është e njëjtë. Ndaj kur flas për “Financial Times” nuk them më gazeta apo online, por them “organizata e gazetarisë”.

Mark Thompson, administrator i deleguar i “New York Times” parashikon se gazetat e printuara do të zhduken brenda dhjetë vitesh. A bini dakord?
E sigurt jam se do të ekzistojë ende edicioni i fundjavës i “Financial Times”. Në fillim të pandemisë pyesja veten se për sa kohë do të vazhdojë të ekzistojë edicioni i fundjavës, por më duket se përballuam mirë stuhinë. Jemi një industri në evoluim të vazhdueshëm. Të parashikosh se kur do të përfundojë epoka e gazetës së printuar varet nga rezultatet ekonomike. Sigurisht që jemi të dhënë pas letrës, është shprehja më e fuqishme e markës sonë. Shpresoj se pas dhjetë vjetësh do të kemi ende një gazetë letre nga e hëna në të premten. Ama jam e sigurt 100% se do ta kemi versionin e fundjavës.

Të flasim për pandeminë, si ka ndikuar në redaksi puna në distancë?
Për habinë time, patëm një tranzicion mjaft të thjeshtë që nga dita e parë. Prodhimi i gazetës u bë mirë. Kërkon më shumë përpjekje nga ana e drejtuesve, sepse gazetarët nuk duhet ta shohin veten si të izoluar. Gjëja më e rëndësishme për mua ishte të qëndroja në kontakt të vazhdueshëm me kolegët.

Duke marrë parasysh rënien e reklamave për shkak të pandemisë, mendoni se abonimet janë modeli më i mirë i biznesit për gazetat?
Sigurisht që po. Modeli i duhur është ky. Lexuesit janë të gatshëm të paguajnë për lajmet, nëse cilësia e tyre e justifikon një gjë të tillë. Gjatë pandemisë patëm sukses në thithjen e abonimeve të reja, pjesëmarrja ishte shumë e kënaqshme.

Sa i rëndësishëm është ndërveprimi mes redaksisë dhe komunitetit të lexuesve?
Është shumë i rëndësishëm. Unë vetë u përgjigjem menjëherë emaileve të lexuesve, që shpesh herë çuditen pasi u kthej përgjigje brenda 5 minutave. Dhe u kushtoj shumë rëndësi komenteve të lexuesve të publikuara nën artikujt e faqes së internetit. “Financial Times” është një familje e bashkuar, me një raport të ngushtë me lexuesit edhe përpara epokës dixhitale. Është e rëndësishme për lexuesit që ta dinë gadishmërinë tonë për t’i dëgjuar. Diçka inovative që më pëlqen është kur ka shumë komente për një artikull, i publikojmë veçmas. Një tjetër janë eventet në redaksi me lexuesit mbi faktet që provokojnë debat. Pastaj kemi edhe festivalin tonë vjetor, në të cilin takojmë lexuesit dhe gjithashtu organizojmë një takim në zyrat tona: lexuesit adhurojnë të hyjnë në gazetë, të shohin nga afër, si të thuash, “kuzhinën” e “Financial Times”.

Sa rëndësi ka mbulimi i lajmeve nga jashtë për gazetën?
Kemi më shumë se 100 korrespondentë, në rreth 40-50 zyra jashtë vendit, kryesisht në Europë, që për ne është shumë e rëndësishme. Por lexuesit tanë janë globalë, 60% janë nga Europa, 25% nga Amerika dhe pjesa tjetër nga Azia. Jemi një organizatë gazetarie globale: u japim botën lexuesve dhe lexuesit e vlerësojnë.

Meqë ra fjala: Ju jeni rritur në Beirut, keni qenë korrespondente e Lindjes së Mesme. Situata në atë rajon po ndryshon me shpejtësi, siç dëshmon paqja mes Izraelit dhe Emirateve. Mendoni se vendi juaj mund të dalë nga kaosi ku ka hyrë?
Mendoj se Libani është një tragjedi e vërtetë, sepse është një vend që mund të ofrojë shumë, por ka rënë poshtë nga klasa politike. Rrallë herë e kam parë kaq të pashpresë si tani. Disa thonë se gjërat do të përkeqësohen më shumë përpara se të nisë ringritja, por nuk jam aq e sigurt sepse sistemi qeverisës libanez nuk mund të ndryshohet aq thjeshtë. Një ditë Libani duhet të përfaqësojë një demokraci autentike: sistemi aktual sektar nuk funksionon. Mendoj se shumë të rinj janë dakord, por interesat janë rrenjosur shumë thellë për t’u ndryshuar. Nuk jam optimiste. Një ditë Libani ishte model për botën arabe. Kush e di se kur do të jetë prapë.

*Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.