Shënime në Blog

Rimëkëmbje nuk do të thotë të kthehemi tek e shkuara

Përpjekjet për krijimin dhe shpërndarjen e vaksinës u treguan njerëzve se qeveritë mund të bëjnë gjëra të mira, por edhe se kompanitë nuk dinë vetëm të konkurrojnë njëra ndaj tjetrës, por mund të punojnë së bashku.
Rimëkëmbje nuk do të thotë të kthehemi tek e shkuara

Nga Gillian Tett/ Këtë verë, fraza “të njëzetat e zhurmshme” do të përhapet nga një anë në tjetrën mes këshillave të administrimit, shoqërive të investimit dhe udhëheqësve politikë. Me lehtësimin e masave ndaj Covid-19, optimizmi po rritet dhe për pasojë investitorët parashikojnë një dhjetëvjeçar shpërthyes.

Sidoqoftë, politikanët duhet të marrin në konsideratë rezultatet e fundit të një sondazhi të qendrës kërkimore “Pew”. Në fund të vitit 2020, anketuesit pyetën 4,100 njerëz në Gjermani, në Francë, në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar nëse ishin të kënaqur me ekonominë. Me ardhjen e vaksinave dhe me mundësinë reale të dhënies fund të kufizimeve, do të pritej një përgjigje pozitive.

Ama rreth dy të tretat e të anketuarve në Francë dhe gjysma në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani thanë se dëshironin një “rishikim sistematik” apo edhe një “reformë të plotë” të strukturave ekonomike.

Ndoshta kjo pakënaqësi është ndikuar nga pasojat psikologjike të izolimit dhe do të vijë momenti që do të zhbëhet krejtësisht. Gjithsesi tani për tani mund të kuptojmë se në themelet e saj ka pretendime kuptimplota.

Sondazhi tregon se në Mbretërinë e Bashkuar, ku konservatorët sapo patën sukses të madh në zgjedhjet lokale, qytetarët duan një shtet më të madh dhe më shumë rishpërndarje sesa europianët kontinentalë. 67% e Britanikëve janë pro shtimit të rregullave në botën e biznesit, përqindje kjo që është 58% në Francë, 53% në Gjermani dhe 46% në Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, 62 përqind e britanikëve mendojnë se është “shumë e rëndësishme” që qeveria të shtojë përpjekjet për më shumë strehime sociale dhe 53 përqind janë pro që të rriten të ardhurat e rishpërndara për të varfërit. 50 përqind dëshirojnë të ardhura bazë universale. Më këto rezultate, Margaret Thatcher do të jetë duke u përpëlitur në varrin e saj.

Si në të gjitha sondazhet, rezultatet duhet të kontekstualizohen, por do të ishte e pavend t’i injoronim. Na thonë pa dyshim se rimëkëmbja ekonomike dhe rikthimi në “normalitet” nuk do të përkthehen automatikisht në mbështetje që zgjedhësit i japin status quo-së. Por mund të ndodhë që sondazhi i “Pew” të jetë duke na treguar një ndryshim domethënës në frymën e kohës, përcaktuar në pjesën më të madhe nga pandemia, por me rrënjë më të thella. Sot për shembull, po kërkohet ndërhyrje më e madhe e shtetit sepse Covid-i jo vetëm që ka sjellë pabarazi, por u ka kujtuar njerëzve se sa e pasigurt është e ardhmja. Ekziston dëshira për mbrojtje.

James Manyika, drejtor i “McKinsey Global Institute” është dakord. Ka një ndjenjë pabarazie që godet njerëzit dhe vendet, e shumë nuk mund të kenë më besim tek një vend i sigurt punë, thotë ai. Një tjetër sondazh i kryer nga McKinsey tregon se gjysma e amerikanëve pohojnë se nuk mund të përballojnë më shumë se dy muaj shpenzime në rast se humbasin punën.

Hilary Cottam, lektore në “University College London” që punon mbi bashkësitë britanike post-industriale, shpjegon se kërkesa për ndryshim nxitet nga pasiguria dhe margjinalizimi. Rimëkëmbja nuk mund të arrihet nga institucionet e lindura pas luftës, ka thënë ajo gjatë një seminari në “Stanford University” në Kaliforni. Në të njëjtin seminar, politologia Jenna Bednar deklaroi se struktura shoqërore është përkeqësuar në një masë të tillë që tani është i nevojshëm një ripërcaktim i plotë i institucioneve për të krijuar një sistem më bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës.

Mbetet një faktor pozitiv që mund të nxisë ndryshimin: përpjekjet për krijimin dhe shpërndarjen e vaksinës u treguan njerëzve se qeveritë mund të bëjnë gjëra të mira, por edhe se kompanitë nuk dinë vetëm të konkurrojnë njëra ndaj tjetrës, por mund të punojnë së bashku.

Kjo situatë mund të paralajmërojë bashkëpunime në fusha të tjera, të tilla si lufta kundër ndryshimeve klimatike. Në të dy rastet, pika thelbësore është kjo: le të mos shohim vetëm të dhënat ekonomike për të kuptuar se çfarë po ndodh, le të përpiqemi të kuptojmë frymën e kohës. Kthimi në “normalitet” - në zyra, në shkolla ose në restorante - nuk do të thotë domosdoshmërisht të përqafojmë sërish sistemet e vjetra. Politika dhe kompanitë duhet ta kenë parasysh këtë.

*Gillian Tett është autore dhe gazetare britanike, pjesë e bordit editorial të “Financial Times” për Amerikën. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.