Shënime në Blog

Reforma pa reformatorë

Reforma pa reformatorë

Nga Erjon Uka

Është e habitshme se si reformat shqiptare, të shpallura plot bujë e pompozitet, arrijnë që pa lindur mirë të reduktohen në krijesa burokratike miopike. Është zhgënjyese se si këto reforma, që synojnë të modernizojnë funksionimin e makinerisë shtetërore dhe të shpërndajnë më shumë mirëqenie, përfaqësim dhe drejtësi për të gjithë, kthehen në diskutime emrash të përveçëm apo ngrehinash të caktuara.

Rasti më i fundit është ai i reformës zgjedhore: e nisur si një garantuese për përfaqësim më gjithpërfshirës dhe dinjitoz të të zgjedhurave në sistemin demokratik me përfaqësim, e sigurisht edhe për të rinormalizuar absurdin politik të këtyre viteve, është shndërruar në një lëvizje kaotike ku partitë e mëdha akuzohen ndër veti, partitë apo nismat e vogla e shohin si një kërcënim direkt për t’i lënë jashtë loje përmes vendosjes së pragut rajonal dhe kombëtar njëkohësisht, ku ndërkombëtarët kërkojnë të respektohet firma e vendosur në një marrëveshje të tre muajve më parë, ku opozita parlamentare e krijuar artificialisht nga bojkoti i opozitës tashmë jashtëparlamentare po zgjedh për vete rrugën e bojkotit, ku datat shtyhen njëra pas tjetrës e ku mëgjithë pas shumë muajsh debate, nuk diskutohet më për cilësi, por shkurt e thjesht se kush ia bëri me hile kujt në këtë histori.

Reformë? Aspak! E nëse shohim thjesht të shkuarën e afërt, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me nisma të tjera të tilla, të ashtuquajtura reforma: ajo e administratës publike, ku vazhdon zgjerimi i saj ndërsa e vetmja gjë që ndryshon është riorganizimi përmes krijimit dhe shkrirjes së ministrive e drejtorive përkatëse; reforma në drejtësi, e cila u pa si shpresë për ndryshim por që u kthye në një parodi ku ambasadorët detyronin deputetët ta votonin, teksa tre vite më pas, kemi vetëm disa dorëheqje e përjashtime nga sistemi pa asnjë pasojë serioze dhe krijime institucionesh të lëna përgjysmë; ajo e arsimit të lartë, ku u zhvillua një debat disa-vjeçar, u mor përsipër një kosto e lartë politike, u përfol për favorizime universitetesh të caktuara por që u la në mes si një krijesë pa identitet duke çuar institucionet në konflikte të brendshme për shkak të zbatimit të njëkohshëm të dy ligjeve. Janë vetëm disa shembuj të reformave, që sipas kuptimit të parë, duhet të ndryshonin thellësisht fushat e tyre të caktuara, por ndërkohë asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në vend të tyre, kemi një sërë arnimesh, masash dhe nismash ligjzbatuese. “Ndrysho procedurën fiskale”, aspak një reformë. “Paguaj dritat”, nuk është reformë, por zbatim i ligjit. “Zëvendëso në ligjin filan, nenin fistek”, në rastin më të mirë mund të jetë një retushim. Por ama në artikulimin publik këto janë quajtur “reforma”, duke rritur inflacionin e këtij termi, duke e zhvlerësuar nga rëndësia që ka.

Por të gjitha këto dështime të njëpasnjëshme pavarësisht qeverive që ndërrohen, të paraqitura në plane strategjike të trumbetuara e që përfundojnë herë në miratime të sforcuara për hir të syrit ndërkombëtar e herë në arbitrazhe ndërkombëtare me fatura të kripura, kanë një emërues të përbashkët: mungesën e reformatorëve.

Nga antikiteti, Aristoteli thoshte se një shtet qeveriset më mirë nga një njeri i shkëlqyer sesa nga një ligj i shkëlqyer. Pas aforizmës që mund të duket e bukur, e vërteta e saj e madhe qëndron në forcën njerëzore në politikë, përtej letrave dhe ligjeve të shkruara.

Shenjtëria e politikës shqiptare qëndron në ruajtjen e gjendjes së ekulibrit dhe kjo, s’do mend, bie ndesh me prirjen reformatore. Prandaj, për sa kohë do të mungojnë reformatorët, reformat nuk do të shkaktojnë kurrë pikën e kthesës, teksa “reforma” do të mbetet termi karakterizues i takimeve me ndërkombëtarë.